Shënimi i tetë vjetorit të pavarësisë së Kosovës, sivjet pritet të përcillet edhe me protesta. Kështu kanë vendosur tri partitë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe partia Nisma.
Të tre kryetarët e këtyre subjekteve politike, Visar Ymeri, Ramush Haradinaj e Fatmir Limaj kanë konfirmuar se më 17 shkurt – Ditën e Pavarësisë së Kosovës, në Prishtinë do të organizohet një protestë, e cila si qëllim kryesor do ta ketë kërkesën për dorëheqjen e qeverisë aktuale dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme.
Kryetari i partisë Nisma, Fatmir Limaj ka thënë se protesta në ditën e pavarësisë ka një mesazh të qartë për qeverinë aktuale të Kosovës.
“Si opozitë e bashkuar e kemi gjetur këtë datë simbolike për të përçuar mesazhin se qytetarët e Republikës së Kosovës, tetë vjet pas pavarësisë janë të pakënaqur, dhe se atyre nuk u janë realizuar pritjet që i kanë pasur”.
“Tetë vite pas shpalljes së pavarësisë, në krye të qeverisë vazhdojnë të jenë ata që kanë shkelur themelin, aktin më të lartë shtetëror, siç është Kushtetuta”, ka thënë Limaj.
Ndërkohë, Kuvendi i Kosovës nuk do të mblidhet në seancë plenare gjatë këtij muaji, duke lënë edhe disa ditë afat për dialog eventual ndërmjet qeverisë dhe opozitës, nëse do të paraqitet ndonjë nismë konkrete.
Kryesia e Kuvendit të Kosovës u mblodh të premten për herë të parë këtë vit, duke shënuar kështu fillimin e sesionit të ri pranveror në Kuvend, pas përmbylljes së sesionit vjeshtor me përplot tensione politike.
Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli ka thënë se partitë në pushtet dhe ato në opozitë duhet të ulen dhe të gjejnë një zgjidhje, sepse kriza dhe bllokimi i punës së Kuvendit tashmë po shihen si irrituese nga vet popullata e Kosovës.
“Besoj që e kemi marrë një mësim nga ajo që kemi kaluar. Nuk po dua të paragjykoj as pushtetin e as opozitën, por të gjithë bashkërisht mendoj që e kemi lodhur popullin”.
“Njerëzit nuk janë të kënaqur me atë që shohin, pavarësisht a janë pushteti a opozita, sepse duan të shohin seriozitet dhe duan që të ketë përmirësim në jetën e tyre, e jo të shohin gjëra që nuk kanë ndodhur askund, e që na turpërojnë”, ka theksuar Veseli.
Në anën tjetër, për opozitën më nuk ka kuptim vazhdimi i seancave plenare. Opozita paraqitet vetëm me një kërkesë, atë për dorëheqjen e qeverisë dhe organizimin e zgjedhjeve.
Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosjes, Aida Dërguti, ka thënë se nuk e kupton arsyen pse mblidhet Kryesia e Kuvendit.
“Me pafytyrësinë më të madhe sot na e kishin sjellë edhe planin për Kuvendin, se cilat ligje do të procedohen në këtë sesion pranveror. Kjo qeveri e ka humbur legjitimitetin me shkeljen e Kushtetutës me marrëveshjet (me Serbinë dhe Malin e Zi), tash është e rrugës të japë dorëheqje sa më shpejtë”, ka thënë Dërguti.
Protestat e opozitës kanë nisur muaj më parë, në kundërshtim të marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, më 25 gusht, lidhur me krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, si dhe shënjimit të vijës kufitare me Malin e Zi.
Së fundi, opozita pati organizuar edhe një protestë më 9 janar, duke kërkuar me ngulm dorëheqjen e kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa dhe zëvendëskryeministrit të parë, Hashim Thaçi.
Protesta e thirrur për 17 shkurt, nuk është e para që organizohet në një ditë feste, pasi opozita kishte protestuar edhe më 28 nëntor, ditën e flamurit shqiptar, e cila ndonëse nuk bën pjesë në kalendarin e festave zyrtare, kremtohet në Kosovë si një “ditë e shënuar”.