Ndërlidhjet

Zotim për luftimin e ekstremizmit dhe terrorizmit


Isa Mustafa - Kryeministër i Kosovës
Isa Mustafa - Kryeministër i Kosovës

Aktiviteti për parandalimin e ekstremizmit dhe të dhunës që çon në terrorizëm është një nga prioritetet që Kosova dhe ekzekutivi i vendit duhet ta zhvillojnë bashkërisht, ka thënë të hënën kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa.

Këto deklarata Mustafa i ka bërë në konferencën e donatorëve, lidhur me zbatimin e Strategjisë nacionale për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit që shpie në terrorizëm, për periudhën 2015-2020.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, duke iu drejtuar pjesëmarrësve në konferencë, ka theksuar se Kosova është vend i vogël, por që e ka përgjegjësinë e vet në luftën globale kundër terrorizmit, pasojat e të cilit janë të mëdha, afatgjate dhe kërkojnë aleancë të përbashkët për të luftuar kundër tyre.

Në instancat e qeverisë, siç ka thënë kryeministri Mustafa, karshi planit të punës që është bërë me objektiva konkrete, është përcaktuar edhe bashkërenditja apo koordinimi i aktiviteteve kundër terrorizmit dhe radikalizmit.

“Kemi vlerësuar se këtë aktivitet duhet ta zhvillojmë së bashku me ju, së bashku me shoqërinë civile, së bashku me njerëzit që punojnë në arsim dhe edukim, si dhe me bashkësitë fetare”.

“Në hartimin e Strategjisë kemi pasur një mbështetje të konsiderueshme të gjithë atyre subjekteve dhe ne vlerësojmë se një mbështetje të tillë duhet ta kemi edhe në sendërtimin, përkatësisht, zbatimin e kësaj strategjie”, ka theksuar kryeministri Mustafa.

Ai ka shtuar se Strategjia nacionale për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit që shpie në terrorizëm, definon disa faza të punës, të cilat kërkojnë angazhim të përbashkët.

“Duhet të angazhohemi veçmas në parandalimin e ekstremizmit dhe terrorizmit. Ky parandalim kërkon masa të ndryshme edhe në fushën e arsimit, në mënyrë që njerëzit në shkolla të edukohen në formën e tillë që të mos orientohen në mënyra të dhunshme”.

“Kërkon masa edhe në fushën e ekonomisë, në mënyrë që atyre personave t’iu sigurohet punësimi dhe mirëqenia dhe kjo të mos jetë shkas i bashkimit të tyre me grupet e ndryshme”, ka thënë kryeministri Mustafa.

Ai, gjithashtu ka theksuar se kërkohen edhe masat e riedukimit të atyre që kanë qenë në fronte të ndryshme dhe kthehen në Kosovë, dhe se kërkohet punë e përbashkët e të gjithë faktorëve relevantë për të gjetur mënyrën e riintegrimit të këtyre personave në shoqëri, por që edhe organet e drejtësisë të punojnë me masa të caktuara.

Mustafa ka potencuar, siç e ka quajtur ai, faktin që qytetarët e Kosovës, të të gjitha moshave, janë të orientuar në mënyrë pro evropiane dhe pro amerikane, si dhe kanë pranuar vlerat e demokracisë evropiane dhe amerikane.

Skënder Perteshi, analist nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, duke folur për Radion Evropa e Lirë, pajtohet se nevojitet një qasje gjithëpërfshirëse për zbatimin e Strategjisë nacionale për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit që shpie në terrorizëm.

“Kjo strategji, pak a shumë po përpiqet t’i përmirësojë gabimet që janë bërë në të kaluarën, sidomos në periudhën 2012 - 2015, kur nuk është punuar dhe vepruar shumë në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm, por i është lënë vetëm një institucioni që të merret me luftimin e këtij fenomeni, Policisë së Kosovës”.

“Do të thotë, qeveria dhe shteti kanë mësuar nga kjo dhe e kanë bërë Strategjinë në frymën e asaj që ky fenomen duhet të trajtohet në mënyrë të përgjithshme”, ka thënë Perteshi.

Analisti Perteshi gjithashtu ka shtuar se zbatimi i kësaj strategjie ka nevojë për buxhet dhe aktualisht ka mjaft donatorë të huaj që janë të gatshëm të japin fonde dhe mbështesin zbatimin e saj.

Por, sipas tij, Kosova nuk duhet të varet vetëm nga fondet e huaja për zbatimin e strategjisë, të cilat, megjithatë janë të mirëseardhura.

Perteshi ka shprehur mendimin se Qeveria e Kosovës duhet të punojë më shumë në krijimin e mekanizmave, fondeve apo resurseve lokale, të cilat mund të jenë më afatgjate dhe më të qëndrueshme në drejtim të luftimit ose parandalimit të ekstremizmit të dhunshëm në Kosovë.

XS
SM
MD
LG