Ndërlidhjet

Jahjaga dhe mbreti Al Hussein dënojnë terrorizmin


Vizita e mbretit Abdullah Ibn Al Hussein në Kosovë.
Vizita e mbretit Abdullah Ibn Al Hussein në Kosovë.

Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga dhe mbreti i Mbretërisë Hashemite të Jordanisë, Abdullah Ibn Al Hussein kanë shprehur shqetësimet e tyre lidhur me sulmet terroriste që ndodhën në Paris javën e kaluar.

Mbreti i Jordanisë, i cili po qëndron në Prishtinë tha gjatë një konference të përbashkët për media me presidenten Jahjaga se “Evropa dhe Islami janë të sulmuar nga terroristët".

“Sulmet e tmerrshme në Paris tregojnë se terrorizmi mund të sulmojë kudo dhe kurdo. Ne po ballafaqohemi me Luftën e Tretë Botërore kundër njerëzimit dhe kjo na bën edhe me të bashkuara. Ashtu siç kam thënë edhe me herët kjo është një luftë brenda Islamit dhe fatkeqësisht më shumë se 100 mijë mysliman janë vrarë nga Shteti Islamik brenda dy vitesh”, tha Hussein.

Sipas Hussein, Joradania e sheh Kosovën si një partner të rëndësishëm kundër terrorizmit pasi që sipas tij institucionet e Kosovës kanë dhënë një përgjigje të mirë ndaj kësaj çështje.

Ndërkaq, Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga tha se sulmet terroriste në Paris nuk ishin sulme vetëm kundër Francës, por ishin sulme kundër çdo shteti paqedashës.

“[Sulmet në Paris] Ishin sulmet kundër vlerave dhe lirive që janë fundamentale për njerëzimin dhe fundamentale për shoqërinë. Mposhtja e këtyre grupeve terroriste është një sfidë që duhet ta konfrontojë secilin nga ne. Është e rëndësishme që kësaj çështje t’i përkushtojmë vëmendje dhe resurse të nevojshme për ta shkatërruar dhe mposhtur përfundimisht. Kosova do të vazhdojë të dëshmojë përkushtimin e saj në këtë drejtim”, tha Jahjaga.

Presidentja e Kosovës ka potencuar po ashtu se institucionet e vendit nuk do të lejojnë që Kosova të jetë një strehimore apo rrugë transitore për grupet e tilla.

“Ne do të vazhdojmë të punojmë më partnerët tanë dhe organizatat ndërkombëtare të sigurisë për të adresuar ketë çështje”, tha Jahjaga.

Sipas Jahjagës, Kosova është e përkushtuar që të avancojë vlerat e demokracisë, lirisë, paqes dhe tolerancës.

Pas takimit në zyrën e Presidentes, Mbreti Abdullah II është takuar edhe me kryeministrin e Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, në ndërtesën e Qeverisë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG