Ndërlidhjet

Edhe një sesion i “nxehtë” e pret Kuvendin e Kosovës


Foto nga arkivi
Foto nga arkivi

Një sesion tjetër plot sfida dhe me paralajmërimet për tensione në rritje e pret Kuvendin e Kosovës.

Nga kjo javë, disa nga komisionet parlamentare kanë në agjendë rikthimin në punë pas pushimeve dimërore, kurse pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit, e cila nuk është caktuar ende se kur do të mbahet, pritet të dihet data e seancës së parë të sesionit të ri.

Opozita paralajmëron vazhdimin e aksioneve bllokuese të punës së këtij institucioni, duke mos e përjashtuar sërish përdorimin e gazit lotsjellës e veprimeve të ngjashme.

Vështruar nga agjenda, zgjedhja e presidentit të Kosovës si edhe miratimi i marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Holandës për selinë e Gjykatës Speciale për krime lufte, shihen si çështjet kryesore dhe më të nxehta të këtij sezoni.

Ndërkaq, çështja e formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe si dhe demarkacioni i kufirit me Malin e Zi, mbeten çështje problematike që nuk kanë marrë një miratim apo kundërshtim të Kuvendit, që nga 25 gushti i vitit të kaluar.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka bërë me dije se nuk do t’i nënshtrohet presionit të opozitës për dorëheqje, kurse është shprehur i gatshëm që nëse ka gabime në marrëveshjen me Serbinë për Asociacionin apo atë me Malin e Zi për demarkacionin, ato të korrigjohen.

“Në qoftë se ka pasur ndonjë gabim, ai korrigjohet dhe duhet të lihet mundësia që gabimi të korrigjohet prej ekspertëve dhe jo prej rrugës, sepse rruga nuk korrigjon, por krijon gabime, krijon rrënim e pakënaqësi. Nuk mund të jenë dy marrëveshje arsye që të ushtrohet dhunë mbi institucionet e Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Mustafa.

Duke iu referuar gjendjes politike në Kosovë, subjekti opozitar, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e ka cilësuar gjendjen aktuale si krizën më të thellë politike deri më tani.

AAK, përmes një komunikate, thotë se idetë që të krijohen komisione për interpretimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Asociacionin apo thirrja eventuale e seancave plenare të Kuvendit, nuk i kontribuojnë zgjidhjes së kësaj krize.

Megjithatë, AAK shprehet e gatshme të përfshihet në procesin e gjetjes së zgjidhjes për tejkalimin e krizës aktuale.

Lideri i këtij subjekti politik, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se opozita në mënyrë të organizuar po i kundërshton vendimet e qeverisë për t’u dhënë fund gabimeve të një pas njëshme dhe në dëm të interesave të vendit.

Ky kundërshtim, sipas tij, do të vazhdojë edhe në të ardhmen, derisa qeveria të mos tërhiqet nga vendimet që po kontestohen nga opozita.

“Ky kundërshtim e ka arritur fuqinë e vet dhe e ka bërë të pamundshme që ata të vendosin në të ardhmen gabimisht për vendin tonë, apo të vazhdojnë në drejtim të gabuar për vendin tonë, e në veçanti të mos kenë më mundësi t’i zbatojnë më këto vendime të gabuara”, ka thënë Haradinaj.

Marrë parasysh tensionet në rritje, edhe analisti i i Institutit Demokratik të Kosovës, Albert Krasniqi ka thënë se Kuvendi, dhe sidomos kryesia, do të duhej të krijonte një ambient dhe klimë më të mirë politike, para se të vendosë për thirrjen e seancave, të cilat do të mund të prodhonin vetëm tensione të reja.

“Mendoj që paraprakisht do të ishte mirë që kryesia e Kuvendit të Kosovës të gjejë një zgjidhje apo një kompromis politik me partitë e përfaqësuara në Kuvend, në mënyrë që të mos vjen deri te përsëritja e skenave dhe skenarëve të sesionit të kaluar vjeshtor. Është më mirë që në fillim të qartësohen këto elemente sesa të zhyten në një kaos edhe me të thellë”, është shprehur Krasniqi.

Tri partitë opozitare në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, më 9 janar 2016 kanë mbajtur një protestë me moton “Protestojmë për shtet me sovranitet dhe kundër Qeverisë anti-kushtetuese”.

Protestat e opozitës kanë nisur muaj më parë, në kundërshtim të marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, më 25 gusht, lidhur me krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, si dhe shënjimit të vijës kufitare me Malin e Zi.

Së fundi, opozita ka shtuar edhe një kërkesë, atë për dorëheqjen e kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa dhe zëvendëskryeministrit të parë, Hashim Thaçi, duke synuar kështu që ta çojë vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG