Zgjedhja e presidentit të ardhshëm të Kosovës besohet se do të jetë një sfidë, jo vetëm për mbijetesën e koalicionit aktual qeverisës, por edhe për ruajtjen e stabilitetit politik në vend.
Deri në datën e votimit për president në Kuvendin e Kosovës, e cila nuk është caktuar ende, subjektet relevante politike preferojnë që të arrihet një marrëveshje për zgjidhjen e krizës aktuale, në mënyrë që ky votim të mos ndodhë nën gazin lotsjellës dhe fishkëllimat e opozitës.
Në bazë të marrëveshjes për koalicion ndërmjet dy partive më të mëdha politike në Kosovë, Partia Demokratike dhe Lidhja Demokratike, të datës 8 dhjetor të vitit 2014, kandidati i përbashkët për këtë post është lideri i PDK-së, Hashim Thaçi, aktualisht zëvendëskryeministër dhe ministër i Jashtëm i Kosovës.
Memli Krasniqi, nga kryesia e Partisë Demokratike (PDK), u ka thënë medieve pas dy takimeve që zhvilluan strukturat udhëheqëse të këtij subjekti politik se Thaçi mbetet kandidati për president dhe se koalicioni nuk tërhiqet nga zbatimi i marrëveshjes.
“Ne, brenda afateve të parapara kushtetuese, do të kemi edhe zgjedhjen e presidentit. Besoj që nuk do asnjë koment se kush do të jetë president i ardhshëm i vendit apo kush do të jetë kandidat i Partisë Demokratike të Kosovës, sepse kjo është ditur qysh në kohën e arritjes së marrëveshjes për qeverinë", ka thënë Krasniqi.
Përkrahje kandidaturës së Hashim Thaçit për president të Kosovës i ka dhënë edhe kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, njëherësh kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ngjashëm me Mustafën, janë deklaruar edhe shumica e deputetëve nga ky subjekt politik.
Por, përbrenda LDK-së ka edhe disa deputetë që nuk e mbështesin kandidaturën e Thaçit. Në mesin e tyre është edhe deputetja Vjosa Osmani. Në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, deputetja Osmani ka folur për skenarët që mund të rrëzojnë kandidaturën e Thaçit, ditën e votimit të tij në Kuvend.
“Unë jam e bindur që e vetmja mënyrë për ta parandaluar zgjedhjen e Thaçit president është duke e pamundësuar kuorumin prej dy të tretave të votave që kërkohen qysh në momentin kur fillon procedura e zgjedhjes së presidentit".
"Pra, përveç opozitës, duhen edhe 10 deputetë të LDK-së që atë ditë të mos qëndrojnë në sallë në mënyrë që të pamundësohet zgjedhja e tij në krye të shtetit për pesë vitet e ardhshme", ka thënë Osmani.
Në arsyetimin e saj se pse nuk do ta mbështet Thaçin për president, deputetja Osmani, mes tjerash, vlerëson se ai nuk i plotëson dy kritere kryesore, që parashihen me Kushtetutën e Kosovës.
"E para, Thaçi nuk është figurë uniteti, por, përkundrazi, është figurë përçarëse. Dhe së dyti, për shkak se posti i presidentit është edhe shef apo udhëheqës i politikës së jashtme, sipas Kushtetutës, që nënkupton se duhet ta kemi një figurë që e rregullon imazhin e Kosovës në botë, ndërkaq z.Thaçi e ka bërë dhe vazhdon ta bëjë vetëm të kundërtën", ka vlerësuar Osmani.
Lidhur me procedurat dhe sfidat e zgjedhjes së presidentit të ardhshëm, analisti i Institutit Demokratik të Kosovës, Albert Krasniqi mendon se Thaçi nuk do ta ketë të vështirë të zgjidhet në postin e presidentit.
Ai nuk parasheh as probleme në krijimin e kuorumit për votim në Kuvend, duke u thirrur në numrat që përfaqësojnë dy partitë e koalicionit dhe pakicat.
Megjithatë, problemi i zgjidhjes së Hashim Thaçit në postin e presidentit, sipas Albert Krasniqit, qëndron te fakti që ai nuk përfaqëson unitetin politik, pavarësisht që është lideri më i votuar në Kosovë.
"Thaçi nuk është personi i cili do të përfaqësonte unitetin e popullit. Ai po thirret që është lideri më i votuar, mirëpo, për të qenë president duhet të ketë më shumë se gjysmën e votuesve, jo vetëm të elektoratit të tij (PDK-së)", ka theksuar Krasniqi.
Lideri i PDK-së dhe kandidati i ardhshëm për president, Hashim Thaçi, nuk do të mund të llogarisë as në votat e partive opozitare, të cilat e kundërshtojnë ashpër atë.
Por, ai në masën më të madhe mund të llogarisë në votat e pakicave, të cilat janë pjesë e koalicionit.
Presidenti i Kosovës, sipas Kushtetutës, zgjidhet nga Kuvendi për një mandat pesë vjeçar.
Analistët politik në vazhdimësi kanë tërhequr vërejtjen se nëse koalicioni qeverisës ka vendosur ta çojë vendin në zgjedhje, dështimi eventual për zgjedhjen e presidentit detyrimisht do ta diktonte këtë proces.