Ndërlidhjet

Nënshkruhet marrëveshja për bashkëqeverisje PDK-LDK


Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa
Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa

Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë zyrtarizuar marrëveshjen për bashkëqeverisje. Liderët e këtyre dy partive, Hashim Thaçi (PDK) dhe Isa Mustafa (LDK), janë paraqitur para mediave duke konfirmuar arritjen e marrëveshjes. Por, ata nuk kanë dhënë asnjë detaj në lidhje me ndarjen e posteve dhe përgjegjësive.

Mediat kanë raportuar se kryetari i LDK-së, Mustafa është nominuar si kandidat i kësaj partie dhe PDK-së, për të qenë kryeministër i Kosovës.

Kurse kryeministri i deritashëm i Kosovës, Hashim Thaçi, sipas marrëveshjes, thuhet jozyrtarisht se do të emërohet në pozitën e zëvendskryeministrit dhe ministrit të jashtëm të Kosovës.

Pas nënshkrimit të marrëveshjes, pritet që në orën 12:00 të mbahet seanca konstituive e Kuvendit, ku do të zgjedhet kryetari i ri i këtij institucioni, si edhe pesë nënkryetarët. Më pas, presidentja Atifete Jahjaga pritet të mandatoj Isa Mustafën për kryeministër të ardhshëm të Kosovës. Në bazë të këtij mandati, Kuvendi i Kosovës më pas pritet të votoj qeverinë e re të Kosovës.

****

Marrëveshja për bashkëqeverisje ndërmjet Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, pritet të nënshkruhet të hënën. Kështu ka paralajmëruar kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi, pas një takimi që zhvilloi me kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa.

Takimi ndërmjet Thaçit e Mustafës, ku kanë marrë pjesë edhe zyrtarë të të dyja partive që kanë lidhur partneritet që nga 19 nëntori, ishte paralajmëruar si vendimtare për të arritur deri te finalizimi i marrëveshjes për bashkëqeverisje.

Megjithatë, pas dy orë diskutimesh, Thaçi e Mustafa kanë shmangur kontaktet me mediat dhe kanë preferuar forma tjera të komunikimit, siç është rrjeti social Facebook.

"Jemi takuar me kryetarin e LDK, Isa Mustafa ku diskutuam për formalizimin e Marrëveshjes se koalicionit dhe u pajtuam se nënshkrimi i Marrëveshjes se koalicionit PDK-LDK të behet nesër ne ora 10 në Kuvendin e Republikës së Kosovës", ka shkruar Thaçi në profilin e tij në rrjetin social Facebook.

Po ashtu, ka vijuar ai, PDK dhe LDK janë pajtuar që ndërtimi i institucioneve qendrore të bëhet menjëherë pas nënshkrimit të marrëveshjes, po ditën e hënë.

Thaçi dhe Mustafa, megjithatë nuk kanë sqaruar disa dilema që e mbanin peng deri më tani nënshkrimin e marrëveshjes. Fjala është për postin e kryeministrit të Kosovës, të cilin e synonin të dy partitë e koalicionit.

Në deklaratat e mëhershme, Isa Mustafa kishte thënë se marrëveshja me PDK-në finalizohet vetëm nëse LDK e merr nën drejtim qeverinë e re.

"Ne jemi deklaruar edhe në Këshillin e Përgjithshëm të LDK-së se nuk do të bëjmë marrëveshje me askënd, në qoftë se LDK-ja nuk e ka pozicionin e kryeministrit”, kishte deklaruar Mustafa.

Partneriteti ndërmjet dy partive më të mëdha në Kosovë, që njëherësh njiheshin dikur edhe si dy partitë rivale, nuk e ka zanafillën tek kjo marrëveshje.

PDK dhe LDK kanë bashkëqeverisur edhe në periudhën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ku pjesë e koalicionit ishte edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Lideri i PDK-së, Hashim Thaçi në paraqitjet e tij të mëhershme kishte deklaruar se PDK dhe LDK ngjasojnë shumë si për nga profili, ashtu edhe programi qeverisës.

"Që të dy partitë, PDK dhe LDK, janë parti të një orientimi që prezantojnë vlerat, por edhe interesat e qendrës së djathtë në Republikën e Kosovës", pati deklaruar Thaçi.

Marrëveshja parimore për bashkëqeverisjen ndërmjet dy liderëve të partive më të mëdha në Kosovë ishte arritur në prani te presidentes Atifete Jahjaga dhe ambasadores amerikane në Kosovë, Tracey Jacobson më 19 nëntor.

Në qeverisjen e ardhshme të PDK-së dhe LDK-së, pritet të përfshihen edhe komunitetet pakicë si kategori kushtetuese.

Kryesuesja e seancës, Flora Brovina, ka thirrur për të hënën në orën 12:00 vazhdimin e seancës konstituive, e cila ka filluar por nuk ka përfunduar që nga data 17 korrik. Fillimisht, pritet që të zgjedhet kryetari dhe pesë nënkryetarët e Kuvendit.

Kurse më pas, bazuar në marrëveshjen Thaçi - Mustafa, nëse ajo do të nënshkruhet në orën 10:00 siç është paralajmëruar, presidentja mund të mandatoj kandidatin për kryeministër të ardhshëm i cili do të paraqitet para Kuvendit dhe kërkoj miratimin për formimin e qeverisë së re të Kosovës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG