Ndërlidhjet

Numër rekord i ankesave ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve


Ilustrim
Ilustrim

Zyra e Prokurorit Disiplinor në Kosovë, gjatë vitit 2015 ka pranuar shumë parashtresa për gjyqtarë dhe prokurorë, ku ka pasur dyshime se të njëjtit kanë bërë shkelje ligjore gjatë kryerjes së punës së tyre. Tetëdhjetë (80) nga këto raste janë trashëguar nga vitet paraprake, ndërsa afro 500 raste të tjera janë pranuar gjatë vitit 2015.

Drejtori i Zyrës së Prokurorit Disiplinor, Zef Prendreca, tha për Radion Evropa e Lirë se disa nga parashtresat që janë pranuar kanë bazë për shkelje disiplinore, dhe se organet kompetente duhet t’i ndërmarrin hapat e mëtutjeshëm ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve që dyshohen për shkelje të ligjit gjatë punës së tyre.

“Zyra e Prokurorit Disiplinor ka hapur 27 hetime ndaj gjyqtarëve dhe 30 ndaj prokurorëve. Prej këtyre rasteve,10 janë hapur në vitin 2015. Zyra e Prokurorit Disiplinor ka gjetur sjellje të pahijshme ndaj gjyqtarëve dhe këto raste i kemi dërguar në komisionin disiplinor të Këshillit Gjyqësor të Kosovës'.

'Kurse te 21 raste të tjera kemi gjetur sjellje jo të mirë ndaj prokurorëve. Zyra e Prokurorit Disiplinor ka pranuar 14 vendime prej Këshillit Gjyqësor të Kosovë dhe 11 vendime nga Këshilli Prokurorial i Kosovës. Nga këto vendime, vetëm një rast është liruar nga përgjegjësia”, tha mes tjerash, Prendrecaj.

Ai shpjegoi se për rastet që është vërtetuar se ka pasur shkelje ligjore janë ndërmarrë veprimet e duhura.

“Në të gjitha këto raste janë shqiptuar sanksione, prej qortimit e deri në ulje të pagës. Kemi edhe tri raste ku me kërkesën e Zyrës e Prokurorit Disiplinor, Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës ka suspenduar dy prokurorë dhe një gjyqtar në vitin e kaluar”, tha Prendrecaj, duke shtuar se Zyra e Prokurorit Disiplinor ka bërë më shumë kërkesa për suspendime, por ato në disa raste nuk janë marrë parasysh.

Nga Zyra e Prokurorit Disiplinor është thënë se rastet me të shpeshta të shkeljeve nga gjyqtarët dhe prokurorët janë ato që kanë të bëjnë me parashkrimin e rasteve, kryesisht me lëndët e korrupsionit, vonesat në vendosjen e lëndëve, vendime të njëanshme, por edhe raste të tjera, të konsideruara si të ndjeshme.

Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Betim Musliu tha për Radion Evropa e Lirë se numri i madh i parashtresave, rreth 500 brenda një viti, duhet të jetë një shqetësim për sistemin e drejtësisë.

“Jo gjithherë ankesat dhe parashtresat që bëhen nga palët janë të bazuara. Mirëpo, duke parë performancën e sistemit të drejtësisë, atëherë mund të themi se një pjesë e këtyre parashtresave duhej të kishte bazë, për shkak se nuk ka një performancë të duhur të sistemit të drejtësisë”, thotë Musliu.

Ai shton se Instituti i Kosovës për Drejtësi ka shprehur shqetësime në lidhje rfhjr me punën e Zyrës së Prokurorit Disiplinor, ku ka vërejtur zbatim të drejtësisë selektive.

“Ka pasur raste të parashtruara para shumë vitesh ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve të caktuar, ndaj të cilëve nuk janë zgjidhur rastet, por që, nga ana tjetër, ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve të tjerë janë zgjidhur rastet me një shpejtësi shumë më të madhe. Kemi parë seleksionim. Kjo nuk është e mirë sepse e ulë besueshmërinë e qytetarëve në Zyrën e Prokurorit Disiplinor”, tha Musliu.

Përveç parashtresave që janë bërë në vitin e kaluar, edhe viti 2016 ka nisur me ankesa.

Në fillim të këtij viti në Zyrën e Prokurorit Disiplinor janë grumbulluar 40 parashtresa të dorëzuara nga banorët serbë të Kosovës, të cilët janë ankuar për vonesat që kanë të bëjnë me funksionimin e dhomës së veçantë të Gjykatës Supreme.

Sistemi i drejtësisë në Kosovë në vazhdimësi është kritikuar nga organizatat vendëse dhe ndërkombëtare si një nga sistemet me probleme të shumta në funksionim, përfshirë këtu edhe dukurinë e korrupsionit.

XS
SM
MD
LG