Ndërlidhjet

Qendrat e arbitrazhit, më efikase së gjykatat


Ilustrim
Ilustrim

Dy qendrat e arbitrazhit në Kosovë, subjekteve private po iu ofrojnë zgjidhjen e kontesteve biznesore shumë më shpejt sesa Gjykata Ekonomike në Prishtinë apo gjykatat tjera kompetente, thonë përfaqësuese të këtyre qendrave.

Ata tregojnë se që nga viti 2011, kur kanë filluar së funksionuari këto qendra, e deri më tani, kanë arritur të bëjnë zgjidhjen e disa kontesteve ekonomike ndërmjet bizneseve.

Vegim Kraja, sekretar i Qendrës për zgjidhjen alternative të kontesteve ekonomike në Odën Ekonomike të Kosovës, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë tregon se ka një rritje të interesit të bizneseve që zgjidhjen e kontesteve biznesore ta bëjnë përmes arbitrazhit.

“Sa i përket aspektit kohor, Qendra e arbitrazhit është shumë më efikase krahasuar me Gjykatën Ekonomike. Në Gjykatën Ekonomike, një kontest ndërmjet subjekteve juridike dhe bizneseve, mund të zgjasë deri në tre apo katër vjet, ndërsa arbitrazhi ynë rastet që i ka zgjidhur, i ka bërë në një periudhë kohore prej 6 muajve deri në 1 vit”, sqaron Kraja.

Kraja tregon se biznesit iu është ofruar një titull përmbarimor shumë më shpejt nga arbitrazhi sesa nga gjykatat. Ai sqaron se në bazë të Ligjit për përmbarim, vendimi i arbitrazhit është i barabartë me aktgjykimin e gjykatës.

“Para kësaj qendre, prej vitit 2011, janë paraqitur 7 raste nga lëmi të ndryshme të së drejtës ekonomike, kryesisht konteste të shitblerjeve, konteste nga kontratat e ndërtimit, prokurimi publik etj. Këto palë kanë qenë biznese private, organizata ndërkombëtare dhe po ashtu kanë qenë organizata joqeveritare, pra ka profile të ndryshme të palëve”, tregon Kraja.

Edhe, drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, tregon se rastet, të cilat paraqiten në Qendrën e Arbitrazhit, zgjidhen në mënyrë shumë më efikase sesa në gjykatat e Kosovës.

Në rastin e Kosovës, nëse kemi parasysh mosefikasitetin e gjykatave, atëherë arbitrazhi jo vetëm se ka qenë një mënyrë e drejtë e zgjidhjes së kontesteve komerciale, por ka qenë shumë më e shpejtë sesa gjykatat. Për këtë ka pasur edhe një rritje të interesimit të bizneseve që mosmarrëveshjet ekonomike t’i zgjidhin përmes kësaj qendre”, thotë Zeka.

Zeka shton se vazhdimisht kanë diskutuar më biznesit për përparësitë që i ofron arbitrazhi dhe përfshirjen e klauzolave të arbitrazhit nëpër marrëveshjet apo në kontratat komerciale të bizneseve.

Ai tregon se e ka pasur raste edhe të kompanive ndërkombëtare, të cilat janë paraqitur në qendrën e arbitrazhit për të zgjidhur një kontest biznesor që kanë pasur me kompanitë në Kosovë.

“Lëndët, të cilat janë zgjidhur gjatë vitit të fundit apo paditë ndaj bizneseve, që kanë kaluar në qendrën tonë të arbitrazhit, kanë qenë kryesisht të natyrës së pagesave të vonuara apo mosrespektim të kushteve të kontratës që janë paraparë në marrëveshjet ndërmjet bizneseve të caktuara”, sqaron Zeka.

Kosova është kritikuar në raportet e ndryshme ndërkombëtare për mosefikasitet të gjykatave.

Në ato raporte ishte theksuar se zgjidhja e një kontesti tregtar ndërmjet bizneseve në vlerë prej 3 mijë eurosh, në Gjykatën Ekonomike të Prishtinës, zgjat 420 ditë, gjë që ishte konsideruar kohë e gjatë.

Po ashtu, ishte konstatuar se në Kosovë ekzistojnë konteste të shumta ndërmjet bizneseve dhe se ato biznese shpesh nuk iu drejtohen gjykatave për shkak të procedurave të stërzgjatura dhe kostos së lartë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG