Ndërlidhjet

Rreth 17 mijë të punësuar gjatë 2015-s


Ilustrim (©Shutterstock)
Ilustrim (©Shutterstock)

Edhe gjatë vitit që lamë pas, papunësia ka qenë problemi kryesor, me të cilin janë ballafaquar qytetarët e Kosovës. Me gjithë shifrat e larta të Qeverisë për punësimin e punëkërkuesve, sipas statistikave zyrtare, shkalla e përgjithshme e papunësisë në Kosovë ka arritur në 35. 3 për qind.

Më shumë se 33 për qind e të papunëve i takojnë gjinisë mashkullore, kurse 41 për qind janë të gjinisë femërore.

Në mesin e të papunëve është edhe Blina Mustafa, e diplomuar në Fakultetin Ekonomik. Ajo tregon se pavarësisht interesimit të madh për ta gjetur një vend pune, edhe gjatë vitit 2015 nuk ka arritur të punësohet.

Jam munduar shumë që të gjej një vend pune dhe kam konkurruar si në sektorin publik, po ashtu edhe në atë privat. Po të kisha arritur të punësohem, do të mund ta ndihmoja veten dhe familjen time. Do të vazhdoja studimet edhe për master dhe do të punoja në njëjtën kohë. Por, nuk po arrij. Kështu që, edhe t’i regjistroj studimet në shkallë më të lartë, nuk po arrij, për shkak të mungesës së parave”, thotë Blina.

Të dhënat zyrtare flasin se nga 1, 2 milionë persona, që janë fuqi punëtore, në Kosovë janë të punësuar rreth 300 mijë prej tyre, ndërkaq pjesa tjetër mbetet pa punë ose është joaktive.

Bazuar në të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës, 150 mijë persona që kërkojnë punë, nuk kanë asnjë kualifikim. Me shkollë të mesme janë 77 mijë persona, ndërkaq me kualifikim 22 mijë.

Ndërkaq, rreth 7 mijë persona kanë kualifikim të lartë.

Në anën tjetër, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, për Radion Evropa e Lirë, thotë se në periudhën janar- tetor të vitit 2015, janë punësuar mbi 15 mijë punëtorë të rinj.

Kurse, duke llogaritur edhe muajin nëntor dhe dhjetor, shifrat e të cilave ende nuk janë bërë publike, sipas tij, numri mund të shkojë në 17 mijë qytetarë të punësuar gjatë vitit që lamë pas.

“Ne presim edhe të dhënat e muajit nëntor dhe dhjetor, e të cilat janë po ashtu inkurajuese, por në minimum mbi 15 mijë punëtorë të rinj që kanë filluar punën, qoftë tek efektet e punësimit direkt, qoftë efektet e punësimit të luftës së ekonomisë joformale”.

“Edhe nga informaliteti që është formalizuar, por sipas trendëve, afër 16 mijë ose 17 mijë duhet të jetë numri i punëtorëve të rinj”, thotë Abrashi për Radion Evropa e Lirë

Edhe përfaqësues që mbrojnë të drejtat e punëtorëve, konsiderojnë se gjatë këtij viti janë hapur mbi 15 mijë vende pune.

Megjithatë, kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Haxhi Arifi, thotë se numri i të punësuarve është i pamjaftueshëm për të ulur nivelin e lartë të papunësisë.

“Unë besoj se aq vende të punës janë hapur, por nevoja e Kosovës është që të krijohen më shumë vende pune. Normalisht, ne si BSPK, nuk jemi të kënaqur, pasi shkalla e papunësisë është shumë e madhe në Kosovë”, shprehet Arifi.

Por, ministri i Punës, Arban Abrashi, thotë se trendi i punësimit është pozitiv dhe tregu i punës është duke u stabilizuar.

“Unë e kam përmendur edhe rastin e Veteranëve të UÇK-së, pa dashur të them se ata janë të punësuar, por largohen nga tregu i punës një numër prej tyre, sepse përfitojnë nga një skemë e pensionit”.

“Ne flasim për gati 30 mijë punëkërkues aktiv që kanë qenë në 2015, e të cilët në janar nuk do të jenë punëkërkues aktiv. Mund të jenë punëkërkues për një punë më të mirë, por punëkërkues si të papunë nuk do të jenë. Do të thotë, gjendja e tyre do të stabilizohet. Kjo tregon për një stabilitet”, thekson Abrashi.

Por, ekspertë për çështje ekonomike konsiderojnë se problemi kryesor qëndron se nuk ka shifra të sakta të punësimit.

Ibrahim Rexhepi, drejtor Qendrës për Hulumtime Strategjike dhe Sociale “STRAS”, dyshon në deklaratën e ministrit Abrashi.

“Kjo nuk mund të vërehet askund dhe nuk dihet se cili është burimi. Unë dyshoj te deklarata e ministrit, pasi ai përmend edhe angazhimet në sferat e ndryshme në sferat sociale, pasi nuk është punësim i ri, nuk është punësim i qëndrueshëm”.

“Dhe, çështja tjetër është se ministri këto shifra i nxjerr vetëm nga evidenca që ka në ministri, e jo që bazohet në burime të qëndrueshme, siç është Agjencia e Statistikave e Kosovës apo ndonjë institucion tjetër, i cili në mënyrë të pavarur e trajton këtë problem”, vlerëson Ibrahim Rexhepi.

Kurse ministri Abrashi, lidhur me këtë thotë:

Shifrat e punësimit, të cilat janë të vërtetueshme, të pranueshme, të prekshme edhe ndoshta mund të bëhen edhe publike, ka pak hamendje, por ato janë të vërtetuara dhe ato kanë një numër personal dhe dihet se ku është punësuar”.

Ndryshe, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, gjatë fushatës parazgjedhore pati premtuar se për 4 vjet do t’i punësojë 120 mijë qytetarë, që sipas ekspertëve të ekonomisë, i bie që 125 qytetarë të punësohen për çdo ditë pune, pa përfshirë festat.

Kjo shifër është debatuar shumë nga shoqëria civile, si premtim i pamundur.

Lidhur me këtë Ibrahim Rexhepi, konsideron se shifra prej 120 mijë vendesh pune apo 30 mijë brenda një viti, është shifër e nevojshme, por në rrethana të tilla - e paarritshme.

“Vetëm të kemi parasysh se vjet Kosova ka pasur rritje 1.2 për qind, sivjet nëse arrihet tre përqindëshi, duhet të jemi të lumtur, kurse vitin e ardhshëm katër përqindëshi”.

“Rritja ekonomike me këto norma, nuk premton punësim, nuk premton gjenerim të vendeve të reja të punës, por më tepër premton ruajtjen e një status-quo, apo ruajtje e këtij momenti social, në të cilin gjendet Kosova”, shton Rexhepi.

Ndryshe, shkalla e lartë e papunësisë dhe varfërisë Kosovën e ka përcjellë që nga përfundimi i luftës së fundit.

Ndërkaq, pikërisht situata ekonomike ka qenë një nga arsyet që Kosova, në fund të vitit të kaluar është ballafaquar me rritjen e migrimit të qytetarëve të saj, të cilët kanë kërkuar azil në vendet e Bashkimit Evropian.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG