Të dhënat e papunësisë në Kosovë për vitin 2014 pritet të publikohen në qershor të këtij viti nga Agjencia e Statistikave të Kosovës.
Deri më tani, zyrtarë të këtij mekanizmi, thonë se nuk dinë nëse ka rënie apo ngritje të shkallës së papunësisë.
Drejtori i Departamentit të Politikave Sociale në Agjencinë e Statistikave të Kosovës, Bashkim Bellaqa, ka bërë të ditur për Radion Evropa e Lirë se janë në proces të përgatitjes së Anketës së Fuqisë Punëtore për vitin 2014, ku do të tregohen të dhënat mbi papunësinë në Kosovë.
“Për momentin ende nuk kemi ardhur te të dhënat preliminare, por së shpejti do të dalim me këto të dhëna. Dinamika e hulumtimit kërkon të dhëna vjetore dhe brenda vitit intervistohen 4800 ekonomi familjare në tërë territorin e Kosovës, duke përfshirë edhe veriun e vendit. Përveç se ka një intervistë për ekonominë familjare, kanë edhe anketime dhe pyetësori është vuliminoz”, sqaron Bellaqa.
Në anketën e Fuqisë punëtore për vitin 2014, tregon Bellaqa, janë intervistuar 25 mijë persona, të moshës 15 deri në 64 vjeç.
Statistikat e tregut të punës të vitit 2013 tregojnë se tregu i punës në Kosovë është në gjendjen më të rëndë krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor dhe vendet anëtare të Bashkimit Evropian.
Shkalla e pjesëmarrjes në fuqinë punëtore në Kosovë është 40.5 për qind, ndërkohë që në vendet e Ballkanit Perëndimor sillet nga 43 për qind në 68 për qind dhe 71.8 për qind në vendet e Bashkimit Evropian
Papunësia në Kosovë, sipas këtyre të dhënave të vitit 2013, është 30.0 për qind.
Sidoqoftë, hulumtimet e bëra nga Aleanca Kosovare e Biznesit që kanë të bëjnë me shuarjen e bizneseve kanë treguar se gjatë vitit 2014 ka pasur ngecje në zhvillimin ekonomik në Kosovë.
Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini i ka thënë Radios Evropa e Lirë se ky mos aktivitet ekonomik ka ndikuar të mos ketë hapje të vendeve të reja të punës dhe në të njëjtën kohë humbje të vendeve të punës.
“Vitit 2014 ka qenë një vit i turbulencave ekonomike dhe politike dhe kjo ka ndikuar që të ketë të papritura në ekonominë e Kosovës, të mbyllen me mijëra biznese. Vetëm gjatë viti 2014 janë shuar më shumë se 4 mijë biznese, që ka rezultuar se kanë mbetur pa punë rreth 4 mijë persona”, tregon Shahini.
Gjatë vitit 2014, kujton Shahini, Kosova po ashtu ka shënuar rënie rekorde të investimeve të huaja dhe po ashtu sipas tij, një numër i madh i investitorëve që kanë qenë në Kosovë kanë ikur.
Investimet ndërkombëtare, sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës deri në shtator të vitit 2014 kanë qenë 121 milionë euro. derisa në vitin 2013 këto investime kanë qenë 258.9 milionë euro
Nëse krahasohen të dhënat e Anketës së Fuqisë Punëtore të vitit 2012 me ato të vitit 2013 shumica e indikatorëve të tregut të punës kanë mbetur të ngjashëm.
Shkalla e papunësisë kishte rënë vetëm pak, nga 30.9 për qind sa ishte në vitin 2012 në 30.0 për qind në vitin 2013.