Gjatë shtatë vjetëve të Kosovës si shtet i pavarur, autoritetet e këtij vendi dështuan në krijimin e një ekonomie më të qëndrueshme. Indikatorët ekonomik të Kosovës ishin shumë më të mirë para viteve të pavarësisë sesa pas saj.
Këto janë disa nga vlerësimet që dhënë ekspertët e ekonomisë dhe përfaqësuesit e biznesit.
Ata përmendin shumë dështime të Qeverisë së Kosovës.
Sipas tyre, është dështuar në tërësi lufta ndaj korrupsionit, ekonomisë jo formale evazionit fiskal dhe krimit të organizuar.
Gjithashtu, sipas tyre, nuk është arritur të adresohenproblemet kryesore, siç është papunësia dhe varfëria.
Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë Arian Zeka në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thekson se autoritetet e Kosovës kanë mundur të bëjnë shumë më shumë për ekonominë gjatë këtyre shtatë viteve.
“Me shumë pesimizëm, me shumë keqardhje duhet të thuhet që ndoshta gjithaindikatorët ekonomik kanë qenë shumë më të mirë në vitet e para shpalljes së pavarësisë, kjo ndoshta është edhe për shkak të një situatë më të mirë ekonomike në mbarë botën. Janë pikërisht viti 2008 kur ishtepërhapur kriza ekonomike globale që Kosova ishte ndikuar”, thekson Zeka.
Zeka si dështim të autoriteteve kompetente gjatë këtyre shtatë viteve e quan edhe privatizimin e ndërmarrjeve publike. Ai kujton dështimin e privatizimit të Postë Telekomit të Kosovës.
Dështim tjetër, sipas Zekës është edhe ngecja e projektit të Termocentralit "Kosova e re".
“Kemi dështuar në shtyrjen përpara të projekteve të mëdha strategjike të cilat do të krijonin vende të reja të punës dhe në të njëjtën kohë do të mundësonin zhvillimin më të shpejtë dhe më të qëndrueshëm ekonomik të vendit tonë. Është shtyrë me vite të tëra projekti i ndërtimit të Termocentralit ‘Kosova e re’, pavarësisht asaj se mburremi me atë se kemi 1/3 të rezervave të linjitin në Evropë, ne ende importojmë energji elektrike”, shprehet Zeka.
Në anën tjetër, drejtori ekzekutiv i Institutit për Hulumtim të Avancuara, Agron Demi thotë për Radion Evropa e Lirë, se me shpalljen e pavarësisë shumë indikatorëtekonomik janë përkeqësuar.
Investimet e huaja të cilat ishin parë si një mundësi e mirë për zhvillimin ekonomik, shton ai, kanë shënuar rënie gjatë viteve të Kosovës shtet i pavarur.
“Investimet e huaja direkte janë përgjysmuar në krahasim me periudhën e para shpalljes së pavarësisë, kemi keqmenaxhuar me ndërmarrjet publike, e kemi sjell vendin në një kolaps energjetik pa arritur të ecim asnjë hap përpara sa i përket fushës energjisë. Është dëmtuar tej mase Postë Telekomi i Kosovës duke krijuar miliona euro humbje çdo vit”, shton Demi.
Gjendja ekonomike dhe sociale e qytetarëve nuk u përmirësuar gjatë këtyre viteve thonë ekspertët e ekonomisë.
Projekte të cilat u finalizuan nga Qeveria e Kosovës nuk krijuan mirëqenie më të mirë për qytetarët, thotë Demi.
“Me një fjalë do ta përmbledhja veprimin ekonomik të Qeverive të Kosovës. Pas vitit 2008 fokusi kryesor është në shtrimin e asfaltit. Asfalt në rrugët rajonale dhe autostradat që lidhnin Kosovën me vendet e rajonit, e të cilat nuk kanë treguar impaktnë zhvillimin ekonomik të vendit”, thekson ai.
Kosova shpalli pavarësinë më 17 shkurt të vitit 2008.
Tani është anëtare e disa mekanizmave ndërkombëtarë, si Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Botërore, dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).