Ndërlidhjet

Rritja ekonomike e stagnuar në rreth 3%


Ilustrim
Ilustrim

Rritja ekonomike në Kosovë prej një për qind në vitin 2014, dhe tre për qind e parashikuar në vitin 2015, është e pamjaftueshme për zvogëlimin e papunësisë, varfërisë dhe për parandalimin e largimit të qytetarëve nga vendi, thonë përfaqësues të Bankës Botërore në Kosovë.

Gjatë prezantimit të raportit të rregullt ekonomik për Evropën Juglindore, nga udhëheqësit e Bankës Botërore është theksuar se Kosovës i nevojitet rritje ekonomike më e lartë, mbi 6 për qind, për një periudhë shumë të gjatë, për të zbutur problemet thelbësore, siç janë papunësia dhe varfëria.

Investimet vendore dhe ndërkombëtare ka theksuar menaxheri i Bankës Botërore në Kosovë, Jan-Peter Olters, janë çelësi për të përshpejtuar rritjen ekonomike në Kosovë.

“Normat aktuale të rritjes ekonomike janë të pamjaftueshme për të rritur normat e punësimit dhe për të përmirësuar perspektivat ekonomike të kosovarëve. Kriza politike në vitin 2014 së bashku me ndikimin nga shpërthimi në termocentralin Kosova A, kanë dobësuar rritjen ekonomike në Kosovë edhe më shumë”, ka thënë Oltres.

Besimi i sektorit privat në stabilitetin makro-fiskal, besimi në përmirësimin e ambient afarist, në zgjidhjen e problemeve të sektorit të energjisë, besim në zbatimin e reformave strukturore, ka theksuar Oltres, do të ndikojnë në tërheqjen e investimeve.

Zhvillimet e fundit ekonomike dhe fiskale në Kosovë, i ka prezantuar ekonomisti i zyrës së Bankës Botërore në Kosovë, Agim Demukaj.

Ai ka theksuar se krahasuar me shtetet tjera, Kosova është në mesin e vendeve që zhvillohet më shumë sesa disa nga vendet e rajonit, por që siç shprehet ai, nuk është më rëndësi se në cilin vend është Kosova, por sesa është e mjaftueshme rritja ekonomike që ka.

“Rritja ekonomike e cila vitin e kaluar ka qenë vetëm 1 për qind dhe 3 për qind sa pritet të jetë në këtë vit sipas projeksioneve tona është një rritje e pamjaftueshme për zvogëlimin e papunësisë dhe varfërisë".

"Nëse shikohet lidhshmëria e papunësisë dhe rritjes ekonomike është e qartë se eksodi që ka ndodhur vitin e kaluar është si rrjedhojë e një situate ekonomike e cila nuk ka krijuar perspektivë për një numër të madh të njerëzve”, ka theksuar Demukaj.

Kontribues kryesor i rritjes ekonomike në Kosovë, ka theksuar Demukaj, është konsumi i brendshëm dhe eksportet, derisa investimet si private ashtu edhe publike, kanë qenë të vonuara dhe janë zvogëluar.

Remitencat po ashtu kanë pasur rritje deri në 18 për qind në këtë vit.

“Një faktor pozitiv që ka ndodhur në vitin 2015. Investimet e huaja direkte kanë pasur një rritje solide, krahasuar me vitin e kaluar që kanë pasur një rënie të dukshme. Dhe çka është më e rëndësishme që pjesa më e madhe prej tyre vinë nga Bashkimi Evropian që është një ndryshim i trendit, pasi që në vitet paraprake për shkak të mosinteresimit për të ardhur në Kosovë janë tërhequr shumë”, shton Demukaj.

Sipas të dhënave të prezantuara nga Banka Botërore, thuhet se deri më 30 qershor 2015, shihet një ekzekutim i ulët i buxhetit kapital i cili ka krijuar një deficit të përkohshëm fiskal prej 1.3 për qind të bruto produktit vendor.

Kosovës, ka shtuar Demukaj, i nevojiten reforma strukturore në shumë fusha për të përmirësuar prospektet për rritje ekonomike të qëndrueshme dhe që krijon vende të reja të punës.

Raporti i Bankës Botërore i cili paraqet aktivitetet ekonomike në gjashtë shtetet e Evropës Juglindore si Shqipëria, Bosnje e Hercegovina, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia, tregon se rritja ekonomike në vitin 2015 në rajon pritet të jetë mesatarisht 1.8 për qind.

Norma më të larta të rritjes, sipas raportit të Bankës Botërore, janë paraparë në Malin e Zi 3.4 për qind dhe në Maqedoni 3.2 për qind, ndërsa norma më e ulët parashihet për Serbinë me 0.5 për qind.

Raporti i rregullt ekonomik për Evropën Juglindore prodhohet dy herë në vit nga stafi i ekonomistëve në Praktikën Globale për Makroekonomi dhe Menaxhment Fiskal të rajonit Evropë dhe Azi Qendrore në Bankën Botërore.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG