Elma Gjyshinca, të cilën autoritetet e Bosnjë e Hercegovinës e kanë arrestuar për përfshirje në terrorizëm, ndërkaq që javën e kaluar e kanë dëbuar për në Serbi, prej nga është marrë nga babai i saj, Beqiri, është marrë në pyetje disa orë nga Policia e Kosovës në Mitrovicën e jugut dhe është liruar.
“Gjithçka ka kaluar në rregull dhe ajo tashmë është në shtëpinë e familjes. I është thënë që ta vazhdojë jetën më tutje normalisht dhe se ka liri të plotë të lëvizjes. Ne kemi qenë aty gjithë kohën. Zyrtarët e policisë janë sjellur mirë me ne, anëtarët e familjes".
"Madje edhe neve na kanë thënë të mos ushtrojmë ndonjë presion mbi të. Se si do të vazhdojë situata më tutje, nuk e di”, ka thënë Beqir Gjyshinca, për Radion Evropa e Lirë.
Paraprakisht, Fatos Makolli, drejtor i Departamentit kundër terrorizmit në Policinë e Kosovës, kishte thënë për Radion Evropa e Lirë se Elma Gjyshinca, me rastin e kalimit të kufirit, në vendkalimin kufitar në Bërnjak, ka kaluar nëpër kontrollin rutinë dhe është marrë në pyetje, por ajo nuk ishte arrestuar.
Babai i Elmas thotë se në Serbi nuk ekziston aktakuzë për vajzën e tij.
“E kemi marrë para një jave. Është nën stres dhe e rraskapitur. Ka kaluar 29 ditë në kamp dhe normalisht që nuk e ka pasur të lehtë. Ishte e brengosur dhe nuk hante asgjë. Nuk kemi biseduar mjaftueshëm me të, sepse nuk dëshironim ta ngarkonim. Ajo qante. Nuk besoj në ato që kanë shkruar për të, se ka trajnuar te tjerët për vepra terroriste. Ta kishte bërë këtë, atëherë do të arrestohej edhe në Serbi”, ka thënë Beqir Gjyshinca.
Pasi që autoritetet e Bosnjë e Hercegovinës, e kanë dëbuar Elma Gjyshincën, me 22 dhjetor, të cilës i është shqiptuar masa e dëbimit dhe ndalimi i hyrjes në Bosnjë e Hercegovinë për periudhën prej 5 vjetësh, Elman, në vendkalimin kufitar me Serbinë, e ka marrë vetë babai i saj.
Më pas, rreth 1 javë ajo ka qëndruar në Novi Pazar, te xhaxhai i saj. Ata, të martën janë nisur për në Mitrovicë, në Lagjen e Boshnjakëve, ku e kanë shtëpinë e familjes.
Elma Gjyshinca, 21 vjeçe, boshnjake nga Mitrovica, është arrestuar më 25 nëntor në qytetin e Bosnjës, Kalesija, nën dyshimet për terrorizëm. Është thënë po ashtu se ajo ka paraqitur kërcënim të mundshëm.
Elma është arrestuar së bashku me bashkëshortin e saj, Enes Meshiq, i cili menjëherë pas arrestimit është liruar.
Ai, edhe më herët, ka qenë i njohur për agjencitë e zbulimit dhe të sigurisë në Bosnje.
Ai ka qenë në grupin e njerëzve që janë arrestuar më 3 shtator të vitit të kaluar, në aksionin policor “Damask”, nën dyshimet që lidheshin me terrorizmin.