Ndërlidhjet

Elma - vajza nga Mitrovica që u arrestua për terrorizëm


Babai dhe gjyshja e Elmës
Babai dhe gjyshja e Elmës

Familja e Elma Gjyshincës, nga Lagjja e Boshnjakëve në Mitrovicën Veriore, është tronditur rëndë nga ajo që i ka ndodhur.

“Duke e njohur mirë, ajo nuk ka bërë asgjë nga ajo që thuhet”, thotë gjyshja e saj, Ismeta, duke qarë.

“Se çfarë ka ndodhur atje, me burrin e saj, se si e ka kthyer ai kah vetja, unë nuk e di”, shton ajo.

Elma, 21 vjeçe, boshnjake nga Mitrovica, është arrestuar më 25 nëntor në qytetin e Bosnjës, Kalesija, nën dyshimet për terrorizëm. Është thënë po ashtu se ajo ka paraqitur kërcënim të mundshëm.

Elma është arrestuar së bashku me bashkëshortin e saj, Enes Meshiq, i cili menjëherë pas arrestimit është liruar.

Ai, edhe më herët, ka qenë i njohur për agjencitë e zbulimit dhe të sigurisë në Bosnje. Ka qenë në grupin e njerëzve që janë arrestuar më 3 shtator të vitit të kaluar, në aksionin policor “Damask”, nën dyshimet që lidheshin me terrorizmin.

Gjyshja e Elmës, Ismeta
Gjyshja e Elmës, Ismeta

Familja e Elmës ka mësuar për të gjitha këto përmes mediave. Babai, nëna, gjyshja, motra dhe dy vëllezërit janë të bindur se Elma është e pafajshme dhe se me siguri ka qenë nën presionin dhe kërcënimet e të tjerëve.

“Nuk mund të besoj se ajo ka bërë diçka të tillë. Ajo nuk guxon të mbajë as fishekzjarre në duar. Është natyrë e druajtur”, thotë babai i Elmës, Beqiri.

Nëna e saj nuk ka fuqi të flasë nga vaji.

Elma ka studiuar gjuhën gjermane në Universitetin e Prishtinës. Në fillim të këtij viti, me vendim të sajin, ka nisur të veshë shami në kokë, pavarësisht kundërshtimeve të familjes.

Sipas babait të saj, Elma, më 9 shkurt, 2015, është larguar për në Bosnje dhe Hercegovinë për t’u martuar me Enes Meshiqin. Elma e ka njohur Enesin përmes Facebook-ut dhe pas pesë ditësh komunikim, ka ikur tek ai.

“I kam thënë të përfundojë shkollën sepse martesa do t’i vijë te hunda. Për të kam marrë edhe kredi. Ajo ka heshtur. Pas dy ditësh, kur jam kthyer në shtëpi, i kam gjetur të gjithë të mërzitur. Askush nuk fliste. Kam hyrë në dhomën ku kemi internetin, Elma nuk ka qenë. Kam hyrë në banjë, as aty nuk ka qenë. Kur i kam pyetur se ku është Elma, më kanë thënë se ka ikur. Në atë moment, sikur të më kishte rënë shtëpia mbi kokë”, rrëfen babai i Elmës.

Ai menjëherë e ka raportuar rastin në polici në pjesën jugore të Mitrovicës, ku i kanë thënë se derisa të kalojnë 24 orë, nuk mund të ndërmarrin asgjë. I është drejtuar edhe policisë së Kosovës në veri të Mitrovicës, por edhe aty i kanë thënë të njëjtën gjë. Rastin në polici e ka lajmëruar edhe vëllai i Beqirit në Novi Pazar.

“Rreth orës 1 të mëngjesit, më ka thirrur policia nga kufiri Serbi-Bosnje dhe më ka thënë se vajza ime është atje. I kam lutur ta mbajnë aty derisa të arrij unë, por më kanë thënë se nuk munden pasi ajo ka deklaruar se vullnetarisht po martohet dhe se është e rritur”, tregon Beqiri.

Beqiri, babai i Elmas
Beqiri, babai i Elmas

Elma është lajmëruar të nesërmen dhe ka treguar se është martuar në qytetin Cazin të Bosnjës. Babai nuk ka dashur të dëgjojë më për të.

Sipas fjalëve të tij, Elmën në Novi Pazar e ka pritur vjehrri, i cili më pas e ka dërguar në Bosnje. Babai i Elmës është i befasuar se si nuk ka reaguar vjehrri kur ka vënë re se policia po heton.

“Kam pyetur policinë se a e njeh atë njeri, sepse unë nuk e njoh. Më kanë thënë se ajo është e rritur dhe se nuk mund të bëjnë asgjë”, thotë Beqiri.

Megjithatë, babai dhe nëna kanë vendosur ta vizitojnë Elmën më 28 prill. Kanë dashur të shohin se ku është, pasi shpesh ka lëvizur. E kanë gjetur më pas në Gornje Raince të qytetit Kalesija. Përveç shamisë në kokë, ka mbuluar edhe fytyrën.

“Atëbotë është sjellë mirë, edhe ai (dhëndrri) po ashtu. Më ka thënë se jeton mirë. Na kanë pritur normalisht. Ai ka thënë se babai i jeton në Austri. Unë nuk e kam parë. Nënën e tij e kam parë, grua e thjeshtë, e mirë…”, tregon babai i Elmës, Beqiri.

Ai thotë se ka folur pak me dhëndrrin pasi ai kryesisht ka punuar në laptopin e tij.

Në ndërkohë, Elma ka vizituar familjen e saj në muajin gusht, për të nxjerrë pasaportën e Serbisë, e cila i është dashur për t’u martuar. Babai i saj thotë se Elma ka pasur dokumentet e Kosovës, por ato nuk ka mundur t’i përdorë pasi Bosnja nuk e njeh Kosovën.

Në pasaportën e Serbisë, mbiemri i Elmës tani figuron si Gjushinac.

“Na ka telefonuar në gusht dhe na ka thënë se duhet të lë Bosnjën, pasi i është shqiptuar ndalim qëndrimi për tre muaj, sepse, sipas saj, ka hyrë ilegalisht në atë vend. Na ka thënë se i duhet pasaporta e Serbisë për shkak të martesës. Një muaj ka qenë në Novi Pazar, dy javë te ne. Nuk ka pritur të kalojnë tre muaj dhe nga këtu është nisur një muaj e gjysmë më herët”, thotë Beqiri.

Shtëpia e Elmas, në Lagjen e Boshnjakëve, Mitrovicë
Shtëpia e Elmas, në Lagjen e Boshnjakëve, Mitrovicë

Ai beson se ka shumë gjëra që familja nuk i di.

“Është dukur nervoze. Është dridhur në telefon. A është shkruar me të, ai i ka thënë ai të niset, vetëm ajo e di. Është nisur nga Mitrovica për në Novi Pazar, ku e ka pritur xhaxhai. Të nesërmen është nisur për në Beograd, ndërsa më pas, me pasaportën që ka fituar, është nisur për në Bosnje. Se si ka hyrë në Bosnje, nuk e di. I kam thënë të qëndrojë, të mos ngutet, më ka thënë se duhet të shkojë”, tregon Beqiri.

Komunikimin me të e kanë mbajtur përmes internetit, por një ditë Elma nuk është përgjigjur. Kjo ka qenë dita kur është arrestuar. Beqiri ka mësuar nga mediat se dhëndrri i tij ka ikur në Siri, por thotë se nuk ka vërejtur ndonjë shenjë se edhe Elma do të bëjë diçka të tillë.

Familja e Elmës pret në ankth zhvillimin e mëtejshëm të situatës, ndërsa babai thotë se nëse kthehet, nuk do të shkojë kurrë më në Bosnje.

Përgatiti: Valona Tela

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG