Për shkak të sjelljeve destruktive të autoriteteve serbe ndaj Kosovë, dialogu politik për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve mund të ketë vështirësi në vazhdim. Kështu të paktën thonë zyrtarët e Qeverisë së Kosovës.
Ata theksojnë se vazhdimin e dialogut e vështirëson edhe moszbatimi i marrëveshjeve të arritura deri tash ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.
Valon Murtezaj, këshilltar për politikë të jashtme i kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, tha për Radion Evropa e Lirë, se në vitin e ardhshëm kur mund të ketë bisedime politike me Serbinë, pala kosovare do të jetë e kujdesshme për atë se çka do të bisedojë dhe kur do të shkojë në dialog.
“[Vazhdimi i dialogut] do të ketë vështirësi në radhë të parë për shkak të sjelljeve destruktive të Serbisë. Në përgjithësi kur flasim për rrjedhën e mëtejme të dialogut, vëmendja dhe kujdesi i Qeverisë së Kosovës do të jetë në dy drejtime; e para që të jetë e kujdesshme në strategjinë në kohën në vijim duke pas parasysh destruktivitetin e palës serbe dhe moszbatueshmërinë e [marrëveshjeve] si dhe sjelljen destruktive në forumet ndërkombëtare dhe në pengimin e Kosovës në anëtarësime të ndryshme".
"Dhe e dyta, qeveria duhet të jetë e kujdesshme në mbrojtjen dhe avancimin e interesave nacionale dhe në ketë kuadër disa aspekte lidhen edhe me dialogun”, tha Murtezaj.
Autoritetet në Prishtinë kanë akuzuar Beogradin për mosgatishmërinë e treguar rreth zbatimit të marrëveshjes.
Murtezaj theksoi se pala Kosovare nuk mundet në pafundësi që të jetë konstruktive, kurse pala tjetër, Serbia, në pafundësi destruktive.
Mosanëtarësimi i Kosovës në UNESCO, por edhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës lidhur me formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, së fundmi ka krijuar debate të shumta dhe polemika rreth asaj se kur duhet të ketë dialog apo jo ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Njohësit e zhvillimeve politike në Kosovë, konsiderojnë se ngjarjet e fundit në Kuvendin e Kosovës, reflektojnë edhe dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë i ndërmjetësuar nga përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini.
Fisnik Korenica, analist nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, thotë se nëse Qeveria e Kosovës shkon në Bruksel për dialog me Serbinë pa i zgjidhur dilemat e brendshme politike, do të tregohet e papërgjegjshme.
"Duhet sqaruar njëherë mirë vendimin e Gjykatës Kushtetues dhe duhet gjetur konsensus politik për ta adresuar atë. Dhe e dyta, duhet zbutur dhe ulur armiqësitë mes skenës politike. Duhet bërë një konsensus të përbashkët dhe qëndrim unik sa i takon dialogut e tek pastaj pasi të jenë zgjidhur këto dy dilema, Kosova do mund të vazhdonte tutje në dialogun me Serbinë”, tha Korenica.
Ai ka shtuar se shndërrimi i dialogut me Serbinë në një instrument të izoluar për qeverinë është i pa pranueshëm.
Kjo çështje sipas tij, po shndërrohet në problem politik dhe po i merr shumë kohë vendit.
“Nëse Mustafa e vazhdon dialogun në janar me të njëjtin ritëm që praktikisht po e imponon Vuçiqin nga Beogradi, mendoj se ne i nënshtrohemi hapjes së temave të reja në dialog dhe sa më shumë çështje që hapen aq më problematike behet për Kosovën zgjidhja e terenit të brendshëm politik, më problematike bëhet edhe adresimi i duhur i detyrimeve që një herë janë marrë, e të cilat aktualisht janë shumë të vështira për t’u adresuar se janë në kundërshtim me Kushtetutën e vendit”, tha Korenica.
Ndryshe, zyrtarët nga Brukseli kanë përmendur së në muajin e parë të vitit të ardhshëm bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të vazhdojnë.
Dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, zhvillohet në nivelin politik dhe atë teknik. Qëllimi i këtij dialogu është thënë se është normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve.