Ndërlidhjet

Pushteti zotohet për respektim të vendimit, opozita kërkon dorëheqje


Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa, foto arkivi
Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa, foto arkivi

Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, që përmban konstatimin se parimet e përgjithshme të Asociacionit të komunave me shumicë serbe nuk janë tërësisht në përputhshmëri me frymën Kushtetuese, kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë të enjten, në mbledhjen e qeverisë, se lidhur me Asociacionin, puna e qeverisë do të vazhdojë sipas udhëzime të kësaj gjykate.

“Ne tani do të vazhdojmë, ashtu siç ka udhëzuar Gjykata Kushtetuese, me dekretin e qeverisë, i cili do t’i shkojë Gjykatës Kushtetuese, me statutin mbi të cilin ne kemi interes që të kemi përfaqësues dhe ekspertë ndërkombëtarë, ekspertë të brendshëm dhe nga opozita”, ka thënë zoti Mustafa.

Ai ka shtuar se Qeveria e Republikës së Kosovës e çmon kontributin e Gjykatës Kushtetuese dhe udhëzimet e paraqitura në arsyetimin e aktgjykimit dhe mbetet e përkushtuar për të përmbushur detyrimet ligjore dhe kushtetuese, përballë marrëveshjeve ndërkombëtare.

“Qeveria siguron se i tërë procesi dhe çdo akt juridik për të finalizuar themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe do të bëhet duke u bazuar dhe respektuar konkluzionet e Gjykatës Kushtetuese, të paraqitura në arsyetimin e aktgjykimit”, ka thënë kryeministri Mustafa.

Në anën tjetër, në një konferencë për medie të mbajtur të enjten nga partitë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Për Kosovën, kanë kërkuar largimin e kryeministrit të vendit, Isa Mustafa, dhe zëvendës-kryeministrit, Hashim Thaçi.

Visar Ymeri, kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, tha se për katër muaj opozita në vazhdimësi e ka thënë, sipas tij, atë që Gjykata Kushtetuese e ka thënë të mërkurën.

“Një marrëveshje, ku një pjese konsiderueshme e saj është në kundërshtim me Kushtetutën, atëherë ajo, natyrisht, është në formën e vet absolute anti-kushtetuese dhe si e tillë është marrëveshje e anuluar. Pra, për ne, marrëveshja për ‘Zajednicën’ është anuluar".

"Por dje u vërtetua edhe një gjë tjetër, që Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi, si bartës të institucioneve të Republikës së Kosovës, kanë bërë shkelje flagrante të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. prandaj, ne, si opozitë e bashkuar, kërkojmë urgjentisht dorëheqjen ose largimin e tyre nga pozitat ku ata janë”, tha Ymeri.

Në anën tjetër, lidhur me vendimi e Gjykatës Kushtetuese, të ditës së mërkurë, kanë reaguar edhe autoritetet serbe.

Marko Gjuriq, drejtor i zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, ka thënë se Beogradi pret që marrëveshja mbi Asociacionin për komunat e banuara me shumicë serbe, e arritur në Bruksel më 25 gusht të vitit 2015, të zbatohet në tërësi.

Sipas tij, për Serbinë, ka thënë ai, e vlefshme është vetëm marrëveshja e 25 gushtit.

“Presim dhe kërkojmë zbatimin e plotë të marrëveshjes së Brukselit”, ka thënë Gjuriq, për televizionin shtetëror serb, RTS, duke kërkuar nga komuniteti ndërkombëtar, që pa zvarritje, të sigurojë zbatueshmërinë e kësaj marrëveshjeje, respektimi i së cilës, sipas tij, “është e vetmja mënyrë për të vazhduar me normalizimin e marrëdhënieve dhe zgjidhjen e problemeve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit”.

Drejt rinegociimit të marrëveshjes

Por, njohësit e zhvillimeve politike në Kosovë, vlerësojnë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës do të çojë deri te rishikimi apo rinegocimi i marrëveshjes për themelimin e Asociacionit, marrëveshje kjo që u arrit me 25 gusht 2015.

Naim Rashiti, analist në Grupin Ballkanik për Politika, thotë për Radion Evropa e Lirë, se vendimi i Gjykatës Kushtetuese, megjithatë, nuk ka përcaktuar rrugën se si do të bëhet rishikimi i marrëveshjes.

“Vendimi konstaton se shumica nga pikat e parimeve bien ndesh me frymën e Kushtetutës, kështu që qeveria do të detyrohet që ta rishikojë në tërësi marrëveshjen për parimet".

"Gjykata Kushtetuese nuk e ka thënë rrugën se si duhet të bëhen këto veprime, por qeveria e ka të pamundur që t’i bëjë këto ndryshime dhe këto riparime në procesin e mëtutjeshëm, pa i ndryshuar parimet për themelimin e Asociacionit. Kështu që, kjo është barrë mbi qeverinë”, ka thënë analisti Rashiti.

Ai ka shtuar se marrëveshja duhet rinegocuar në Bruksel, me Serbinë, si dhe të adaptohet duke u bazuar në vendimin e Gjykatës kushtetuese.

“Nuk mund të bëhen marrëveshje tjera në frymën e rikuperimit, sepse këto janë parimet kryesore. Për ta lehtësuar procesin më tutje, parimet duhet të ndryshohen, të rinegociohen, të adaptohen dhe të përputhen me vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, tha Rashiti.

Fisnik Korenica, analist nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson se është shumë e rëndësishme që vendimi i Gjykatës Kushtetuese ka gjetur se parimet që ndërlidhen me formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, janë anti-kushtetuese.

Por, sipas tij, kjo gjykatë nuk e ka çuar deri në fund argumentimin e saj.

“Nuk e bën anulimin e marrëveshjes së dytë, çfarë unë besoj se do të duhej ta bënte. Kjo, natyrisht, është reflektim i faktit që, megjithatë, gjykata ka ndjekur, në fund të fundit, një logjikë të balancuar edhe politike, për faktin se nuk e anuloi, por thjeshtë e konstatoi që parimet janë kundër kushtetuese".

"Nuk e anuloi marrëveshjen që efektivisht i prodhonte këto parime në rendin kushtetues të Republikës së Kosovës, e që ishte marrëveshja e dytë për Asociacionin”, deklaroi Korenica.

Analisti Korenica, vlerëson se tashmë barra e vendimit të Gjykatës Kushtetuese qëndron mbi pushtetin në Kosovë.

“Tash topi është te pushteti në skenën politike, që ata të jenë të vetëdijshëm që një marrëveshje që në tërësinë e saj shkel frymën dhe shkronjën e Kushtetutës, të anulohet dhe të rinegociohet”, shtoi ai.

Interpretimi i kushtetutshmërisë së Marrëveshjes së 25 gushtit për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, është kërkuar nga presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, më 30 tetor.

Kjo kishte ndodhur, pasi partitë opozitare në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, e kanë cilësuar si anti-kushtetuese marrëveshjen dhe në kërkim të shfuqizimit të saj, kanë bllokuar prej rreth tre muajsh punimet në Kuvendin e Kosovës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG