Policia e Kosovës ka njoftuar përmes një komunikate se me "urdhëresë të Gjykatës kompetente, zyrtarët policor kanë ndaluar zotin Ismail Kurteshi për mosrespektim të arrestit shtëpiak". Me vendim të organeve të drejtësisë, atij i është zëvendësuar masa e dënimit nga arrest shtëpiak me masën e dënimit prej 30 ditësh paraburgim.
Policia thotë gjithashtu se ka njoftuar organet e drejtësisë për mosrespektimin e arrestit shtëpiak nga dy deputetë të tjerë - Fisnik Ismaili dhe Faton Topalli.
Që të tre, nga Lëvizija Vetëvendosje, akuzohen për hedhje të gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës, në seancat e mëparshme.
Për Pal Lekajn ndërkaq, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, policia thotë se ai është shoqëruar në stacionin policor, bazuar në një urdhëresë gjykate.
Kuvendi i Kosovës i ka rifilluar punimet në një sallën alternative, pas pauzës që erdhi si rezultat i hedhjes së gazit lotsjellës nga deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Besa Baftia.
Seanca po vazhdon pa asnjë deputet opozitar, shumica e të cilëve tashmë janë pezulluar nga ana e Kryesisë së Kuvendit. Ligjvënësit nga radhët e opozitës ndërkaq kanë zënë vendet e tyre në sallën kryesore, ku zakonisht mbahen seancat plenare.
Zëvendës kryeministri i parë në qeverinë e Kosovës, Hashim Thaçi, ka kërkuar nga Kuvendi i Kosovës të dënojë atë që ai e quajti "uzurpimin e dhunshëm të objektit të Kuvendit të Republikës së Kosovës nga një grup i deputetëve të opozitës".
Duke i cilësuar veprimet e sotme të opozitës si të papranueshme, zoti Thaçi ka thënë se dialogu është zgjidhja e vetme për të gjitha çështjet, të cilat i konteston opozita.
Ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, ka thënë se gazi lotsjellës në Kuvend nuk bën asgjë për të përmirësuar mundësitë e punësimit.