"Deputeti i Kuvendit të Kosovës, aktualisht ushtrues detyre i shefit të grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, pas përjashtimit nga seanca e sotme plenare, dhe me të dalë nga ndërtesa e Kuvendit, është marrë nga policia e Kosovës", ka njoftuar AAK përmes një komunikate.
"Është hera e dytë që deputeti Lekaj, bëhët cak i arrestimit politik, me qëllim të frikësimit të tij, për çfarë Policia e Kosovës, ditë më parë ia kishte arrestuar edhe djalin dhe po e mban në paraburgim", thuhet në komunikatë, në të cilën njëkohësisht "dënohen ashpër aksionet politike të policisë kundër deputetëve dhe familjarëve të tyre".
Mbështetësit e opozitës që po qëndrojnë para objektit të Kuvendit të Kosovës, kanë hedhur ngjyrë në drejtim të objektit.
Brenda objektit, punimet po zhvillohen në një sallë alternative, në të cilën raportohet se nuk është lejuar hyrja e asnjë ligjvënësi nga radhët e opozitës.
Forca të njësive speciale të Policisë së Kosovës kanë rrethuar disa rrugë qendrore në Prishtinë, të cilat çojnë në drejtim të Kuvendit të Kosovës.
Dhjetëra mbështetës të opozitës kanë hedhur ngjyrë dhe gurë në drejtim të Kuvendit të Kosovës, dhe forcave të policisë.
Në njërën nga sallat alternative të Kuvendit të Kosovës, ligjvënësit e këtij institucioni, me shumicë votash, kanë miratuar Buxhetin për vitin 2016.
Seanca e sotme e Kuvendit të Kosovës po mbahet pa ligjvënësit e opozitës, të cilët me vendim të Kryesisë së Kuvendit, edhe kësaj radhe u pezulluan, për shkak të hedhjes së gazit lotsjellës në sallën e seancave plenare dhe atë ku mban mbledhjet Kryesia e Kuvendit.