Kryesia vendos nëse seanca do të vazhdojë pa opozitën
Pas ndërprerjes së seancës nga hedhja e gazit lotsjellës, me ftesë të kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, pritet që Kryesia e këtij institucioni të vendos nëse mbledhja sërish do të vazhdojë pa opozitën, ashtu siç u veprua në seancën e 30 nëntorit.
Pa nisur mirë punimet në seancën e Kuvendit të Kosovës, kryetari i tij, Kadri Veseli, shpalli pauzën, për shkak të hedhjes së gazit lotsjellës edhe sot.
Në sallë gjendeshin të gjithë ligjvënësit, kurse foltorja ishte rrethuar nga pjesëtarë të sigurimit të Kuvendit të Kosovës.
Në sallën e seancave të Kuvendit të Kosovës, ligjvënësit kanë filluar të arrijnë.
Në mesin e tyre është edhe Fisnik Ismaili nga Lëvizja Vetëvendosje, ndaj të cilit autoritetet e rendit kanë shqiptuar masën prej arresti shtëpiak. Në Kuvend raportohet se është edhe ligjvënësi tjetër, Faton Topalli, gjithashtu nga VV dhe ndaj të cilit po ashtu ka masë prej arresti shtëpiak.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës, kanë nisur të mblidhen në sallën e Kuvendit ku pritet të mbahet seanca për miratimin e Buxhetit për vitin 2016.