Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ftoi liderët politikë të Kosovës që të dialogojnë dhe të gjejnë zgjidhje për çështjet që nxisin mosmarrëveshje.
Duke folur për zhvillimet politike dhe bllokimin e punës në Kuvend, Jahjaga në konferencën vjetore të prokurorëve, tha se Kosova ka hyrë në një fazë të re, të një marrëveshjeje të rëndësishme kontraktuale me Bashkimin Evropian. Prandaj, siç u shpreh ajo, duhet konsensus i plotë në gjithë shoqërinë për rrugën drejt integrimeve.
Presidentja Jahjaga theksoi se Bashkimi Evropian nuk ka alternativë për Kosovën dhe njëkohësisht është pika që bashkon gjithë popullin e Kosovës, pa dallim.
E para e vendit deklaroi se rruga drejt BE-së kërkon më shumë përkushtim dhe më shumë punë, kërkon institucione të forta dhe demokratike; kërkon më shumë rend e ligj; respektim të institucioneve të drejtësisë; më shumë angazhim për të ruajtur vlerat e diversitetit të shoqërisë, atë etnik, kulturor dhe fetar.
“Mbi të gjitha, kërkon dialog dhe marrëveshje. Dialog të brendshëm për të zgjidhur çështjet që nxisin mosmarrëveshje. Dialog pa paragjykime, ndërmjet njerëzve që dikur kanë qëndruar së bashku për ta bërë luftën dhe që sot duhet ta ruajnë paqen”.
“Pra, na duhet që të gjithë së bashku të ulemi dhe të gjejmë zgjidhje, sepse shtetin nuk mund ta sfidojmë për çdo ditë dhe sepse nuk mund të rrënojmë institucionet e vendit, besimin te të cilat, me shumë mund, duhet ta rikthejmë te qytetarët”, deklaroi Jahjaga.
Në konferencën vjetore të prokurorëve, ku morën pjesë përfaqësues të lartë të institucioneve, prokurorë e gjyqtarë, ishte i pranishëm edhe ambasadori amerikan, në Kosovë, Greg Delawie. Ai kërkoi nga prokurorët që në punë e tyre të jenë të pavarur.
Delawie deklaroi po ashtu se të gjithë duhet të jenë të barabartë para ligjit - edhe deputetët e Kuvendit të Kosovës të cilët, siç tha ai, kanë hedhur gaz lotsjellës në seancat e Kuvendit.
Ambasadori Delawie pamendi se deputetët jenë zëri i votuesve, por ata nuk kanë të drejt të sillen në mënyrën si po sillen aktualisht në Kuvendin e Kosovës.
“Të gjithë i kemi parë ngjarjet në Kuvend, ku një grup i deputetëve ka zgjedhur gazin lotsjellës dhe sprejin, në vend të debatit dhe diskutimeve. Ambasada jonë dhe partnerët e tjerë ndërkombëtar të Kosovës, kanë qenë të zëshëm në shprehjen e pikëpamjes se salla e Kuvendit, nuk është vend për armë dhe dhunë. Veprimet e tilla e dëmtojnë reputacionin ndërkombëtar të Kosovës dhe të drejtat e qytetarëve".
"Më lejoni të jem i qartë - deputetët e kanë çdo të drejtë dhe në fakt edhe obligim që të jenë zëri i atyre që i përfaqësojnë, por kundër asaj që kemi dëgjuar në media edhe këta deputetë e kanë përgjegjësinë e njëjtë për ta respektuar ligjin, si çdo qytetar”, deklaroi Delawie, duke u thënë prokurorëve që duhet të jenë të pavarur në vendimet e tyre, edhe kur të kenë në dorë lëndët e deputetëve opozitarë.
Që nga 25 gushti, kur kryeministri dhe Qeveria e Kosovës nënshkruan Marrëveshje me Serbinë për krijimin e Asociacionit të komunave të banuara me shumicë serbe dhe asaj me Malin e Zi për demarkacionin e kufirit, partitë politike opozitare kanë bllokuar punën e Kuvendit të Kosovës, kryesisht duke hedhur gaz lotsjellës brenda Kuvendit.
Opozita, për më shumë se dy muaj duke e bllokuar punën e Kuvendit, kërkon që kryeministri dhe Qeveria e Kosovës të tërhiqen nga marrëveshjet me Serbinë dhe ajo me Malin e Zi.
Për shkak të këtyre veprimeve, në paraburgim po mbahet deputeti i Vetëvendosjes, Albin Kurti, deputetët, Albulena Haxhiu e Faton Topalli, kurse në arrest shtëpiak janë edhe katër ligjvënës të tjerë, Fisnik Ismaili dhe Ismail Kurteshi nga Lëvizja Vetëvendosje, Haxhi Shala nga Nisma për Kosovën dhe deputetja e AAK-së, Donika Kadaj - Bujupi.