Ndërlidhjet

Aftësim profesional për qasje në treg të punës


Foto nga arkivi
Foto nga arkivi

Kosova dhe Ambasada gjermane në Kosovë, po i shqyrtojnë mundësitë për bashkëpunim në fushën e arsimimit profesional të të rinjve të Kosovës.

Në Prishtinë është mbajtur panairi për punësim, nën patronazhin e Organizatës Gjermane për bashkëpunim teknik, GIZ-it dhe si dhe Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale e Qeverisë së Kosovës.

Qëllimi i panairit ishte promovimi i punësimit për të rinjtë, përmes arsimimit joformal, si dhe shqyrtimi i mundësive për pozicionim më të mirë në tregun e punës.

Në konferencën e mbajtur të enjten, është konstatuar se mundësitë e punësimit do të ishin shumë më të mira, në qoftë se do të ekzistonte një profilizim më i mirë i arsimimit profesional.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, ka theksuar se ekzistojnë mundësi konkrete për bashkëpunim, sikurse është mundësia me Agjencinë për Punësim në Gjermani, si dhe bashkëpunimi me disa prej qendrave për aftësimin profesional në atë vend.

Megjithatë, ai ka theksuar se panairi i punës, ka nxjerrë në pah disa fakte.

“Për befasinë time, edhe pse kanë qenë diku rreth 300 vende pune të lira, të hapura, panairi është vizituar prej rreth 2 mijë personave. Kjo tregon që ne duhet të punojmë më shumë për informimin e qytetarëve se çka janë kërkesat e tregut të punës dhe çka janë kërkesat e bizneseve dhe t’i orientojmë. Kjo është detyrë e secilit prej nesh, e ministrisë, as disa muajsh edhe e Agjencisë së punësimit, por edhe e medieve dhe publikut”, tha Abrashi.

Ministri Abrashi ka shtuar se po shqyrtohen mundësitë për të ashtuquajturin “migrimin qarkor”, i cili do tu hapte rrugë njerëzve që të punojnë jashtë vendit dhe më pas, me shkathtësitë e fituara gjatë punës, të kthehen dhe të punojnë në Kosovë.

Lidhur me këtë, pikërisht përmes Organizatës Gjermane për Bashkëpunim Teknik (GIZ), vitin e ardhshëm pritet përgatitja e programit, i cili parasheh aftësimin profesional dhe punësimin e të rinjve, ka njoftuar ambasadorja gjermane në Kosovë, Angelika Viets.

Ajo ka theksuar se ministria gjermane për bashkëpunim ekonomik, ka ndarë fonde shtesë për arsimimin dhe punësimin e të rinjve dhe nisur nga kjo, edhe mbështetja do të jetë më e madhe në këtë fushë.

“Përshtypja jonë është që kjo qeveri në Kosovë ka fokus të fuqishëm në zhvillimin ekonomik dhe për krijimin e vendeve të reja të punës. Ekzistojnë shenja pozitive dhe konsiderojmë se janë në rrugë të mirë”, ka theksuar ambasadorja Viets.

Ndërkaq, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë i Qeverisë së Kosovës, Arsim Bajrami, ka theksuar se kur bëhet fjalë për shkollat profesionale, Kosova duhet ta aplikojë modelin gjerman.

“E para, përmes arsimit cilësor profesional, të siguroj punësim. E dyta, një arsim profesional i lidhur me nevoja të tregut të punës. E treta, modeli i një shkolle moderne profesionale, që është edhe edukim, por edhe aftësim. Kjo ka të bëjë me mësimin dual - modeli dual i mësimit që e aplikojnë partnerët tonë në Gjermani, me të cilët kemi bashkëpunim të shkëlqyeshëm - sepse ekonomia e jonë dhe tregu ka nevojë për specialistë automekanikë, specialistë të megatronikës, specialist në bujqësi, specialistë në turizëm, në tregti”.

Papunësia është një nga problemet më të mëdha me të cilat Kosova po ballafaqohet tash e sa vite.

Të dhënat zyrtare flasin se nga 1. 2 milion persona, që janë fuqi punëtore, në Kosovë punësohen vetëm 300 mijë prej tyre, ndërkaq që pjesa tjetër mbetet pa punë ose është joaktive.

Bazuar në informatat e fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, 150 mijë personave që kërkojnë punë, nuk kanë asnjë kualifikim.

Me shkollë të mesme janë 77 mijë persona, ndërkaq me kualifikim 22 mijë. Rreth 7 mijë persona kanë kualifikim të lartë.

Situata ekonomike ka qenë një nga arsyet që Kosova , në fund të vitit të kaluar është ballafaquar me rritjen e migrimit të qytetarëve të saj, të cilët kanë kërkuar azil në vendet e Bashkimit Evropian.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG