Ndërlidhjet

Thirrje për luftë të ashpër kundër korrupsionit


Qytetarët flasin për korrupsionin
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:01:46 0:00

Qytetarët flasin për korrupsionin

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit, zyrtarë të institucioneve të Kosovës dhe ato ndërkombëtare, por edhe përfaqësues nga shoqëria civile kanë bërë thirrje për një angazhim shumë me të madh në luftën kundër korrupsionit.

Në bazë të hulumtimeve të bëra nga organizata vendore dhe ndërkombëtare, del se korrupsioni në Kosovë është i pranishëm në pothuajse të gjitha institucionet dhe në nivele të larta udhëheqëse.

Në debatin e organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë me temën “Lufta kundër korrupsionit: Mision i mundshëm”, ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, tha se për të, por edhe për qeverinë amerikane, lufta kundër korrupsionit në Kosovë është prioritet.

Për këtë arsye, ai shtoi se është vendosur që vitin që vjen të shpenzohen dymbëdhjetë milionë dollarë për fuqizimin e sundimit të ligjit dhe luftën kundër korrupsionit.

Zoti Delawie theksoi se edhe pse ka disa përparime në luftën kundër korrupsionit, niveli i korrupsionit në Kosovë mbetet më i larti në krahasim me vendet e rajonit.

"Korrupsioni pengon punën e qeverisë, kufizon prosperitetin ekonomik, ndikon në cilësinë e demokracisë dhe zvogëlon legjitimitetin e qeverisë. Korrupsioni bllokon burimet publike, kufizon sipërmarrësit dhe largon investimet e huaja dhe vendase", tha Delaëie duke shtuar se ata që e shfrytëzojnë besimin e publikut për qëllime private, duhet të përgjigjen para drejtësisë.

"Është një problem në të cilin duhet të punojmë së bashku", tha Delawie.

Fusha e prokurimit publik, vazhdon të mbetet një ndër fushat më të korruptuara në Kosovë. Ndryshe, rreth 700 milionë euro në vit të buxhetit të Kosovës thuhet se shpenzohen përmes prokurimit publik.

Hasan Preteni, drejtor i Agjencisë Kundër Korrupsionit, theksoi se edhe pse lufta kundër kësaj dukurie thuhet në vazhdimësi se është një nga prioritetet e Qeverisë së Kosovës, megjithatë angazhimi i institucioneve përkatëse për ta luftuar këtë dukuri ka munguar edhe në vitin 2015.

“Janë të gjitha parakushtet për të luftuar, për të parandaluar korrupsionin. E vetmja gjë që po na mungon janë rezultatet. Të gjitha raportet dhe matjet e përceptimit të përgjithshëm na vlerësojnë njësoj dobët. Duhet një vullnet i fuqishëm politik, e ky vullnet politik po mungon dhe kursesi lufta kundër korrupsionit nuk po arrin të vijë në top agjendën e prioriteteve”, tha Preteni.

Zoti Preteni deri sa ka folur për korrupsionin në Kosovë, ka kritikuar sistemin e drejtësisë duke thënë se nuk është duke u punuar sa duhet as nga prokurorët e as nga gjyqtarët.

Besim Kelmendi, përfaqësues nga Zyra e Prokurorit të Shtetit, tha se prokuroritë e Kosovës kanë ngritur aktakuza te shumta ndaj personave të dyshuar për korrupsion dhe janë në pritje të vendimeve nga gjykata.

“Neve më të drejtë presim vendime nga gjykatat për aktakuzat që kemi ngritur për rastet e korrupsionit sepse puna jonë finalizohet me aktgjykimet e gjykatave”, tha Kelmendi.

Kosova është e zhytur thellë në korrupsion dhe nuk ka indikacione që institucionet kompetente po ndërmarrin masa për të luftuar këtë dukuri negative.

Kështu thanë të mërkurën përfaqësuesit e Institutit Demokratik të Kosovës (KDI) me rastin e Ditës Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit, gjatë një aktiviteti simbolik të organizuar në Prishtinë.

Artan Canhasi nga kjo organizatë, tha para gazetarëve, se viti 2015 mund të thuhet se ishte vit i humbur në luftën kundër korrupsionit.

“Kemi probleme shumë të mëdha më rastin e portretizimit të rasteve të korrupsionit. Kemi ndërhyrje politike të ndryshme dhe nuk kemi ndonjë adresim të qartë nga qeveria dhe nga organet tjera vendimmarrëse se si do të adresohet ky problem. Nuk ka as plan se si do të shkohet tutje”, tha Canhasi.

Canhasi tha se niveli i lartë i korrupsionit, vazhdon të ndikojë në mënyrë të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve.

Shkalla e lartë e papunësisë, sipas tij, është pasojë e mungesës së investimeve, të cilat në vitin 2015, mbetën larg dyerve të Kosovës, pikërisht nga korrupsioni dhe ngathtësia e gjyqësorit për të garantuar sundimin e ligjit.

“Bllokada politike që ka qenë në këtë vit dhe ka eskaluar deri te dhuna e hapur mes pozitës dhe opozitës, ka shkaktuar mjaft probleme dhe ka devijuar plotësisht prioritetin e luftës kundër korrupsionit. Për shkak të korrupsionit kemi mungesë të liberalizimit të vizave dhe kemi mungesë të investimeve të huaja”, tha Canhasi.

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, permes një komunikate për media ka thënë se është e përkushtuar për të luftuar korrupsionin dhe për të ndërtuar një sistem të pavarur të drejtësisë, në shërbim të qytetarit dhe në shërbim të shtetit ligjor.

“Përmes Këshillit Kombëtar Kundër Korrupsionit, të themeluar dhe udhëhequr nga unë, ne kemi përmirësuar bashkërendimin dhe efikasitetin ndërmjet institucioneve të mandatuara për ta luftuar korrupsionin. E kemi përmirësuar transparencën si dhe po punojmë me shoqërinë civile për të ngritur vetëdijesimin për domosdoshmërinë e rezultateve konkrete në luftën kundër korrupsionit”, thuhet mes tjerash në komunikatën e presidencës.

Korrupsioni në Kosovë konsiderohet si një nga sfidat me të mëdha me të cilën duhet të merren institucionet përkatëse.

Në vitin 2014, Kosova ka shënuar një përmirësim të lehtë dhe jo të efektshëm në indeksin e korrupsionit të botuar nga Transparency International, duke u radhitur bashkërisht me Shqipërinë në vendin e 110-të, në atë që njihet si “zonë e kuqe”.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG