Ndërlidhjet

Sistemi i drejtësisë, i lënduar nga politika


Ilustrim
Ilustrim

Pavarësisht konstatimeve në Raportin e Progresit që në sistemin e drejtësisë të Kosovës ka ndikim politika, zyrtarët e këtij sistemi thonë se deri më tash nuk janë në dijeni se diçka e tillë ka ndodhur ose është duke ndodhur.

Agim Maliqi, zëvendës-kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë se si Këshill nuk janë të informuar për ndonjë rast të ndikimeve politike në gjyqësor.

“Nuk kemi ndonjë politikë të veçantë për trajtimin e këtyre rasteve. Por, është e rëndësishme që të potencohet se deri më tani nuk kemi pasur ndonjë denoncim nga ndonjë gjyqtar se ka qenë i ndikuar në punën e tij, ashtu siç potencohet në Raportin e Progresit”, tha Maliqi.

Në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë, zëvendës-kryeprokurorja e Shtetit, Sevdije Morina, lidhur me ndikimet e mundshme politike në Prokurori thotë se “zyra e Kryeprokurorit të Shtetit dhe Këshilli Prokurorial i Kosovës do të vazhdojnë të angazhohen për të siguruar funksionimin e sistemit prokurorial në mënyrë të pavarur dhe të paanshme”.

Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Betim Musliu, tha se gjetjet se Raportit të Progresit ku flitet për ndërhyrjet politike në sistemin e drejtësisë janë reale.

Ai thotë se politika në Kosovë vazhdon të ketë ndikim në sistemin e drejtësisë në forma të ndryshme.

“E para është përmes resurseve të kufizuara që nuk lejon [politika] që të ketë funksionalitet të duhur sistemi i drejtësisë. E dyta është përmes ndërhyrjeve ndoshta më të izoluara, më individuale, që mund të behën në raste të caktuara te prokurorët apo gjykatësit e ndryshëm. Një shqetësim shumë më i madh sesa ndikimi i drejtpërdrejtë politik në rastet e sistemit të drejtësisë, unë besoj se është nënshtrimi i vetë sistemit të drejtësisë në raport me politikën”, tha Musliu.

Raporti i Progresit për Kosovën i Komisionit Evropian ka vlerësuar se sistemi gjyqësor vuan nga mungesa e llogaridhënies dhe resurseve, dhe i nënshtrohet ndërhyrjes politike.

Musliu tregon se në rastet kur ndonjë politikan ka shkelur ligjin dhe i duhet të përballët me drejtësinë, më parë prokurorët i thërrasin politikanët sesa politikanët prokurorët ose gjyqtarët.

“Ajo që asnjëherë nuk e kanë bërë deri më tash duhet ta bëjnë udhëheqësit e sistemit të drejtësisë. Ta kuptojnë fare mirë se pushtetet janë të ndara dhe pavarësia e këtyre pushteteve mund të ruhet pikërisht nga vetë këta bartës të pushtetit gjyqësor dhe prokuroria".

"Në ketë rast, nuk duhet që të ketë nënshtrim dhe në të gjitha rastet ku mund të ketë ndikime politike, kjo duhet të adresohet në rrugë ligjore ashtu siç përcaktohet në dispozita ligjore”, tha Musliu.

Edhe Lorik Bajrami, nga Organizata për Demokraci dhe Anti-Korrupsion “Çohu“, thotë se ndikimi politik në sistemin e drejtësisë është evident që nga emërimi i anëtarëve të Këshillit Gjyqësor e Prokurorial, ndarjes së buxhetit e deri te kultura e mosndëshkimit brenda vetë sistemit.

“Ndikimi në sistemin e drejtësisë është i dukshëm, nuk ka nevojë që domosdoshmërisht ata ta pranojnë. E jona është që t'ua ekspozojmë atyre vazhdimisht, madje edhe me raste konkrete se ku ndodhin ndikimet në sistemin e drejtësisë. Nuk mund të presim që ata do ta pranojnë që ka ndikim”, tha Bajrami.

Sistemi i drejtësisë në Kosovë, në vazhdimësi është kritikuar nga organizatat vendore dhe ndërkombëtare, si një nga sistemet me probleme të shumta në funksionim, përfshirë këtu edhe dukurinë e korrupsionit.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka kërkuar në vazhdimësi nga gjyqtarët dhe të gjithë punonjësit në sistemin e drejtësisë që të punojnë drejtë, në mënyrë që qytetarët të kenë besimin në gjyqësor.

Përfaqësuesit ndërkombëtarë të Kosovës pas publikimit të Raportit të Progresit, kanë deklaruar se pavarësisht përparimeve në fusha të caktuara, Kosova nuk ka kohë për të humbur.

Komisioni Evropian publikon një herë në vit të gjeturat, që njihen si Raporte Progresi, për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe për Turqinë, me anë të të cilave mat përparimin e këtyre vendeve drejt integrimeve evropiane dhe përcakton detyrimet për të përmbushur kriteret.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG