Brenda sallës së Kuvendit shihen forca të shtuara të sigurisë, derisa deputetët po zënë vendet e tyre, për të nisur seancën e planifikuar për sot. Opozita ka paralajmëruar sërish bllokim.
Veseli fton opozitën të mos bojkotojë seancat
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka ftuar opozitën që të marrë pjesë në seancat plenare. Këto komente, Veseli i ka bërë pas një takimi që zhvilloi Kryesia e Kuvendit të Kosovës sot. Sipas Veselit, Kuvendi duhet të reflektojë edhe në prag të vizitës së Sekretarit amerikan të Shtetit, John Kerry.
Zoti Kerry pritet ta vizitojë Kosovën më 2 dhjetor.
Opozita: Vazhdojmë me bllokimin e seancave
Tri partitë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën kanë mbajtur një takim para fillimit të seancës plenare. Pas takimit, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri ka thënë shkurt se "bllokimi i i seancave do të vazhdojë".
Paraprakisht, nga Kryesia e Kuvendit të Kosovës kishte një lloj oferte për opozitën që të propozojë një seancë e cila do të zhvillohej në rrethana normale. Megjithatë, opozita nuk është deklaruar në lidhje me këtë çështje.
Ndërpritet seanca - sërish gaz lotsjellës
Kuvendi i Kosovës ka ndërprerë sërish punimet, ende pa filluar me pikat e rendit të ditës. Shkas i ndërprerjes sërish ishte hedhja e gazit lotsjellës nga partitë opozitare në Kuvend. Menjeherë pas hedhjes së gazit, ka reaguar kryetari i Kuvendit Kadri Veseli i cili ka thirrur një pauzë dhe një mbledhje të Kryesisë dhe shefave të grupeve parlamentare.