Seanca plenare
Kuvendi i Kosovës pritet të mblidhet sot në seancë plenare, për të shqyrtuar gjithsej 35 pika të rendit të ditës.
Seanca e sotme vjen pas një operacioni të forcave speciale të Policisë së Kosovës të shtunën më 28 nëntor, në selinë qendrore të Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, me ç’rast u arrestuan mbi 90 aktivistë të kësaj lëvizjeje, përfshirë këtu edhe ish kryetarin e saj, deputetin Albin Kurti.
Ai është arrestuar në bazë të një fletarresti, për hedhje të gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës.
18 nëntor
Më 18 nëntor, është arrestuar edhe deputetja Donika Kadaj Bujupi, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Gjykata Themelore e Prishtinës, më 17 nëntor ka lëshuar gjithsej katër fletarrestime ndaj deputetëve të Kuvendit të Kosovës: Albin Kurtit, Albulena Haxhiut, Donika Kadaj-Bujupit dhe Faton Topallit.
Kundër Asociacionit dhe demarkacionit
Tri partitë politike në opozitë, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, po kundërshtojnë ashpër marrëveshjen për ngritjen e Asociacionit të komunave të banuara me shumicë serbe, dhe atë për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, duke i cilësuar të dyja si të dëmshme për tërësinë territoriale të Kosovës.
Ato janë zotuar se do të pengojnë punimet në Kuvendin e Kosovës, deri në shfuqizimin e këtyre marrëveshjeve.
Deri më tash, në funksion të bllokimit, forcat politike në opozitë kanë përdorur gaz lotsjellës, vezë dhe gjësende të tjera.
Autoritetet e rendit kanë shtuar masat e sigurisë përreth ndërtesës së Kuvendit të Kosovës dhe brenda saj, si edhe përreth ndërtesës së Qeverisë së Kosovës. Të gjithë personat që po hyjnë në Kuvend po u nënshtrohen masave të shtuara të kontrollimit.