Konjufca: Nuk lejojmë punimet e Kuvendit
Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca ka thënë se mbeten të vendosur që të bllokojnë punën e Kuvendit të Kosovës. Ai ka konfirmuar se policia ka ndaluar deputetin e këtij subjekti politik, Fisnik Ismaili, por sipas tij, nuk dihen arsyet.
"Si duket, kanë vendosur ta arrestojnë gjithë opozitën", është shprehur Konjufca.
Momenti i hedhjes së gazit lotsjellës në sallën e Kuvendit të Kosovës.
Lëvizja Vetëvendosje përmes një njoftimi në Facebook, ka deklaruar se është arrestuar deputeti Fisnik Ismaili, duke kërkuar lirimin e menjëhershëm të tij.
Ligjvënës nga radhët e opozitës janë duke u kontrolluar nga sigurimi i Kuvendit të Kosovës, pas hedhjes së gazit lotsjellës sot nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Nisma për Kosovën, brenda në sallë.
Autoritetet e rendit duket se janë duke mbledhur prova nga salla, për gazin lotsjellës, dhe prandaj nuk po lejojnë hyrjen e deputetëve brenda saj.
Ndërkohë, në hapësirat e Kuvendit është duke u mbajtur edhe mbledhja e Kryesisë së Kuvendit, në të cilën pritet të vendoset për vazhdimin ose jo të seancës së sotme.