Ndërlidhjet

Bie fuqia blerëse në Kosovë


Ilustrim
Ilustrim

Në Kosovë, të dhënat e fundit zyrtare dhe të shoqatave ekonomike tregojnë se fuqia blerëse në Kosovë ka shënuar rënie. Arsyet e rënies së fuqisë blerëse vlerësohet të jenë ngritja e çmimeve të konsumit si dhe punësimi i ulët.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, indeksi i harmonizuar i tërësishëm i çmimeve të konsumit në Kosovë është më i lartë për 0,6 për qind në muajin tetor 2015 krahasuar me muajin shtator 2015.

Derisa, shkalla e inflacionit e matur në muajin tetor 2015 me muajin tetor 2014 ishte -0.8 për qind.

Profesori i ekonomisë në Universitetin e Prishtinës, Isa Tahiri, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë thotë se rritja e çmimeve dhe mbajtja e nivelit të njëjtë të të ardhurave për familje, ka ndikuar në dobësimin e fuqisë blerëse të qytetarëve.

Por, sipas tij, në ngritjen e çmimeve dhe më pas, uljen e fuqisë blerëse, kanë ndikuar ndryshimet e fundit të bëra në Tatimin mbi Vlerën e Shtuar.

“Në 100 artikuj sipas të dhënave minimumi 8 deri në 12 artikuj janë liruar nga aplikimi i TVSH-së së përshkallëzuar, derisa 92 artikujve ju ka rritur çmimi dhe kjo ka ndikuar në masë të madhe. Një familje kosovare i ka të ardhurat fikse ndërsa kërkesat apo nevojat familjare ndryshojnë dhe ato shumë herë rriten, derisa të hyrat mbeten të njëjta”, thotë Tahiri.

Tahiri thekson edhe një faktor tjetër që mund të ketë ndikuar te rënia e fuqisë blerëse, siç e quan ai kursimi i domosdoshëm që po bëhet nga qytetarët për shkak të punës jostabile që kanë një numër i madh i qytetarëve.

Edhe sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, depozita e qytetarëve në bankat komerciale, vlerësohet të jetë e lartë dhe atë deri në fund të vitit të kaluar ka arritur në 2.53 miliardë euro.

Në anën tjetër, edhe qytetarët e intervistuar nga Radio Evropa e Lirë kanë treguar se kanë vërejtur ngritje të çmimeve.

Lah Simnica, qytetar nga Prishtina, tregon se nuk ka vërejtur rënie të çmimeve nga ndryshimet që Qeveria e Kosovës i ka bërë në Tatimin mbi Vlerën e Shtuar.

“Jo nuk ka pasur rënie të çmimeve, një artikull mund të ketë shënuar rënie, por më shumë se tre apo katër artikuj kanë shënuar ngritje. Çmimet janë të papërballueshme”, shprehet ai.

Ligji për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar në Kosovë, tani përcakton dy norma të TVSH-së, si norma standarde e TVSH-së 18 për qind, si dhe norma e reduktuar e TVSH-së 8 për qind.

Syzana, një qytetare tjetër, tregon se fuqia blerëse në familjen e saj ka shënuar rënie pas ndryshimeve të fundit tatimore.

“Mendoj se rënia e fuqisë blerëse është shkak i ndryshimeve në TVSH. Është folur se do të ketë zbritje të bukës dhe produkteve tjera, por që kjo nuk ka ndodhur, ndërkohë që kemi pasur rritje të çmimeve të produkteve tjera”, thotë Syzana.

Ngjashëm shprehet edhe Hyseni.

“Shtrenjtim ka shumë, çmimet janë të larta, pagat janë të ulëta, nuk di si po arrijmë t’i përballojmë”.

Ndërkohë, një studim i fundit i bërë nga Oda Ekonomike e Kosovës ka vlerësuar se në tremujorin e tretë të vitit 2015, situata e bizneseve është përkeqësuar dukshëm, krahasuar me tremujorin e tretë të vitit paraprak.

Pengesë kryesore ishte theksuar të jetë mungesa e porosive.

Përfaqësuesit e Odës Ekonomike të Kosovës kishin theksuar se kjo ka ardhur si pasojë e rënies së fuqisë blerëse.

Po ashtu, ishte thënë se fuqia blerëse ka shënuar rënie në Kosovë edhe për shkak të migrimit të të rinjve, gjatë vitit të kaluar.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG