Ndërlidhjet

Rimbursimi zvogëlon ekonominë joligjore


Ilustrim
Ilustrim

Grumbullimi i kuponëve fiskalë dhe rimbursimi i vlerës së tatueshme nga Administrata Tatimore e Kosovës, të të gjithë kuponëve në muajin pasues, pas çdotremujori, po konsiderohet projekt i leverdishëm për autoritetet kompetente. Mirëpo, ndryshe vlerësojnë ekspertë për çështje ekonomike.

Ministri i Financave, Avdullah Hoti, në faqen e tij në rrjetin social Facebook, ka shkruar se nga ky projekt po zvogëlohet ekonomia joformale, konkurrenca po rritet - po përfitojnë qytetarët, bizneset e rregullta dhe buxheti i shtetit.

Kjo, pasi qytetarët, sipas tij, janë të nxitur të blejnë produkte vetëm nga kompanitë, të cilat lëshojnë kuponë fiskal.

"Për tremujorin korrik-gusht-shtator, janë dorëzuar mbi 36 mijë pliko me kuponë fiskalë, krahasuar me mbi 14 mijë pliko për tremujorin prill—maj-qershor, kur filloi së zbatuari ky projekt”, ka shkruar Hoti.

Në anën tjetër, ekspertë për çështje ekonomike, vlerësojnë se projekti për një periudhë të shkurtër, nuk mund të japë efekte të mëdha në zvogëlimin e ekonomisë joligjore, por vlerësohet si projekt vetëdijësues për konsumatorët.

Menderes Ibra, ekspert i ekonomisë, rimbursimin e vlerës së tatueshme të kuponëve fiskal e vlerëson veprim të duhur, i cili, sipas tij, duhet të arrijë tri efekte kryesore.

“Rritja e nivelit të procesit të fiskalizimit të bizneseve, zvogëlimi i nivelit të ekonomisë joformale dhe krijimi i kushteve të barabarta në treg, sepse përmes këtij aksioni, qytetari duke dorëzuar kuponët fiskal, ai merr si shpërblim një pjesë të tatimit të paguar me rastin e blerjes. Këto mënyra janë përdorur edhe në vendet tjera dhe kanë pasur efekte dhe suksese të caktuara”, thotë Ibra.

Edhe Mustafë Hasani, ekspert i çështjeve ekonomike, pohon se vetëdijesimi i konsumatorëve për marrjen e kuponit fiskal, në të ardhmen obligon në një mënyrë bizneset që të pajisen me arka fiskale.

“Por, unë konsideroj se elementi kryesor është rritja e efiçiencës së Administratës Tatimore të Kosovës, në kontekstin e zgjerimit të funksionimit edhe të ndjekjes së rriskut ku mundësitë ekzistojnë për zvogëlim të evazionit fiskal përmes administratës”, konsideron Hasani.

Ndryshe, Menderes Ibra, nuk e vlerëson shumë të arsyeshëm kufizimin maksimal prej 20 eurosh për rimbursim të kuponëve fiskalë.

“Rimbursimi te konsumatori do të duhej të bëhej çdo muaj dhe jo çdo tre muaj, edhe pse pavarësisht kohës që i merr kjo gjë Administratës Tatimore të Kosovës, efektet do të ishin më pozitive. Dhe masa e tjetër, në rastet kur qytetari kërkon kuponin fiskal dhe biznesi nuk ia jep, këto raste do të duhej të hulumtoheshin nga Administrata Tatimore e Kosovës”, thekson Ibra.

Sipas Administratës Tatimore të Kosovës, për blerjet prej 250 deri në 500 euro, do të kthehen nga 10 euro prej TVSH-së që kanë paguar.

Për blerjet prej 501 deri në 800 euro, kthehen nga 15 euro, dhe për blerjet mbi 800 euro do të kthehen nga 20 euro.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG