Kthimi i një pjese të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), për qytetarët e Kosovës, të cilët mbledhin kuponët fiskalë nga blerjet që ata bëjnë, nuk mund të ketë efekt të madh në luftimin e evazionit fiskal apo edhe në procesin fiskalizimit të bizneseve, vlerësojnë ekspertë të çështjeve ekonomike dhe përfaqësues të organizatave që merren me mbrojtjen e konsumatorit.
Rimbursimi nga 10 deri në 20 euro, thonë ata, nuk është inkurajues për qytetarët që të bëjnë grumbullimin e kuponëve fiskalë.
Eksperti i çështjeve ekonomike, Naim Gashi, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, ndonëse e konsideron si një punë të mirë shpërblimin e qytetarëve përmes grumbullimit të faturave fiskale, sipas tij, vlera është mjaft e ulët.
“Administrata Tatimore e Kosovës nuk është treguar shumë efikase sa i përket fiskalizimit të bizneseve në Kosovë dhe ajo çka është shqetësuese, qytetarët nuk janë në nivelin e dëshiruar për t’i kërkuar faturat fiskale në mënyrë që ata me ato pagesa të ndikojnë në mbushjen e arkës së shtetit”.
“Krahas kësaj mundësie, që qytetarët t’i mbledhin faturat dhe të përfitojnë financiarisht, duhet paralelisht të organizohet një fushatë informuese për qytetarët, në të cilën do të tregoheshin dobitë që ata dhe shteti i tyre i kanë nëse marrinë faturat e tyre”, thotë Gashi.
Ndryshe, që nga muaji prill ka hyrë në fuqi një udhëzim administrativ, i cili parasheh që për të gjithë konsumatorët, të cilët grumbullojnë kuponët fiskalë dhe si të tillë i dërgojnë në Administratën Tatimore të Kosovës, do të aplikohet rimbursimi i vlerës së tatueshme të të gjithë kuponëve fiskal në muajin pasues të çdo tremujori.
Për blerjet prej 250 deri në 500 euro, do të kthehen nga 10 euro prej TVSH-së që kanë paguar.
Për blerjet prej 501 deri në 800 euro, kthehen nga 15 euro, dhe për blerjet mbi 800 euro do të kthehen nga 20 euro.
Udhëheqës i Organizatës Joqeveritare “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku, konsideron se këto vlera janë minimale dhe se nuk nxit aspak qytetarët të bëjnë grumbullimin e kuponëve fiskalë.
“Të paktën kanë shprehur vullnet të mirë, mirëpo ka mënyra, metoda apo forma tjera shumë më të lehta për të kontribuar në fiskalizimin e bizneseve. Konsumatori blen çdo ditë dhe kur përfundon ky tremujorësh, dikujt mund t’i grumbullohen një mijë kuponë fiskalë dhe kjo është punë e mundimshme që kërkon angazhim dhe nëse për këtë angazhim do të fitojë 10 euro, çdo muaj nga tre euro, është shpërblim minor”, vlerëson Kaçaniku.
Qytetarët, të cilët kanë filluar të bëjnë mbledhjen e kuponëve fiskalë, tregojnë se është një punë goxha e mundimshme, ndërkohë që edhe ata thonë se shpërblimi është i ulët.
Ariana, një qytetare nga Prishtina, thotë se këtë është duke e bërë me qëllim që të ndikojë në atë që bizneset të pajisen me arkat fiskale, në mënyrë që të luftohet evazioni fiskal dhe të mbushet arka e shtetit.
“Jam duke i mbledhur kuponët fiskalë, nuk është edhe punë e lehtë kjo kur kihet parasysh se te ne duhet të kërkohen çdo herë kuponët fiskalë. Para disa ditëve, në njërën nga këto marketet tona të mëdha, me arsyetimin se nuk po iu punon arka fiskale, nuk ma kanë dhënë kuponin fiskal. Kam pritur 20 minuta për kupon fiskal dhe në fund prapë nuk kam arritur ta marr”, tregon Ariana.
Ndryshe, edhe pse ka vite që ka filluar procesi i fiskalizimit për bizneset e Kosovës, deri më tani as gjysma e tyre nuk janë pajisur me mjetet elektronike fiskale.
Sipas të dhënave zyrtare të vitit të kaluar, mbi 130 mijë biznese sa janë të regjistruara në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, Administrata Tatimore e Kosovës ka fiskalizuar mbi 20 mijë biznese me afër 26 mijë pajisje të instaluara në këto biznese.