Ndërlidhjet

Shporta e konsumatorit të lirohet nga TVSH-ja


Ilustrim
Ilustrim

Kosova është i vetmi shtet në rajon, që ende nuk ka bërë përshkallëzimin e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH).

Ekspertë të çështjeve ekonomike dhe përfaqësues të organizatave për mbrojtjen e konsumatorit, i bëjnë thirrje Qeverisë së Kosovës, që të iniciojë masat legjislative për zbritjen, apo heqjen e këtij tatimi nga produktet bazike të shportës së konsumatorit.

Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, është tatim që i ngarkohet konsumatorit në mallëra dhe shërbime. Në Kosovë, tatimi mbi vlerën e shtuar, zbatohet prej 1 korrikut të vitit 2001. Norma e TVSH-së është 16 për qind për të gjitha mallërat, pa marrë parasysh origjinën e tyre.

Eksperti i çështjeve ekonomike, Naim Gashi, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se përqindja e njëjtë e tatimit si për mallra luksoze, si për produktet bazike jetësore, është i dëmshëm edhe për bizneset edhe për qytetarët.

“Unë inkurajoj qeverinë, që sa më shpejtë të bëjë përshkallëzimin e TVSH-së, në mënyrë që produktet bazike ekzistenciale për jetën e qytetarëve të Kosovës të mund të blihen pa TVSH, apo me TVSH të zbritur”, shton Gashi.

Në programin e Qeverisë së Kosovës është theksuar se gjatë pjesës së parë të mandatit, do të konsiderohet përshkallëzimi i TVSH-së. Ulja e normës së Tatimit mbi Vlerën e Shtuar mund të bëhet për produktet bazike si: buka, qumështi, vaji, uji i pijshëm dhe disa produkte të tjera.

Sidoqoftë, eksperti i çështjeve ekonomike Naim Gashi, thekson se procesi i përshkallëzimit të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, mund t’i ketë disa mangësi.

Sipas tij, Administrata Tatimore dhe Doganat e Kosovës, nuk kanë kapacitete të mjaftueshme për realizimin e një projekti të tillë.

“Ideja e përshkallëzimit të TVSH-së, daton qysh nga koha e UNMIK-ut, mirëpo gjithmonë arsyetimet kanë qenë se përmes përshkallëzimit të TVSH-së, shtohet mundësia e korrupsionit në ATK [Administratën Tatimore] dhe Dogana, për arsye se ne mund të fusim mallra luksoze dhe t’i faturojmë ato sikur mallra që janë të liruara nga TVSH-ja. Këtu ekziston rreziku i krijimit të hapësirës për korrupsion”, shton Gashi.

Edhe kryetari i Organizatës Joqeveritare “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku, dyshon se përshkallëzimi i Tatimit mbi Vlerën e Shtuar për produktet elementare për jetesë, mund të keqpërdoret nga individë të caktuar.

“Ne kemi sistem juridik jashtëzakonisht të brishtë, kemi një zbatueshmëri të ligjit jo më shumë se 40 për qind dhe kjo dëshmon se ne e kemi ngritur individin mbi ligjin dhe derisa është kjo klimë, ne nuk mund të shpresojmë se vendimi apo ligji për përshkallëzimin e TVSH-së mund të japë rezultate”, thekson Kaçaniku.

Heqja apo edhe zbritja e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, për shportën ushqimore do të siguronte një mirëqenie më të mirë për qytetarët e Kosovës.

Kompensimi nga ky lirim tatimor, vlerësohet se do të mund të arrihej me ngritjen e tatimit të produkteve të luksit, siç janë duhani dhe alkooli.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG