Njohësit e sistemit të drejtësisë dhe ata të çështjeve të sigurisë konsiderojnë se për shkak të veprimeve të paligjshme, hedhje e gazit-lotsjellës në mjediset e Kuvendit të Kosovës, të gjithë deputetët që kanë flet-arrestime duhet të arrestohen dhe jo vetëm një.
Njohësi i çështjeve ushtarake dhe të sigurisë, Naim Maloku, tha për Radion Evropa e Lirë, se sistemi i drejtësisë nuk ka vepruar drejt dhe nuk është treguar korrekt me të gjithë deputetët të cilët kanë fletë-arrestime.
“Përshtypja është e tillë që në disa raste drejtësia nuk do vetë të reagojë e në disa raste po. Kjo është selektive dhe imazh i keq për vendin. Nuk plotësohen standardet për të hyrë në Bashkimin Evropian më këtë mënyrë të reagimit të drejtësisë dhe me këtë mënyrë të ndarjes së drejtësisë. Sinqerisht organet e drejtësisë dhe të rendit duhet të mendojnë për imazhin e këtij shteti”, tha Maloku.
Zoti Maloku tha se edhe me herët, por edhe tani me zhvillimet e fundit në Kuvendit e Kosovës, është zbehur besimi në organet e drejtësisë.
Kjo sipas Malokut, nënkupton se vetëm ai person i cili nuk ka përkrahje duhet të përballet me ligjin.
“Selektivitet është të shikohet pika më e dobët dhe aty ku nuk ka rezistencë, te gjinia femërore. Nëse ka qenë puna të gazi lotsjellës [në Kuvendin e Kosovës] aty janë parë edhe të tjerët që kanë hedhur është parë në kamera në televizione. Pra, është një imazh i keq. Me rastin e deputetes Kadaj- Bujupi, janë treguar jo mirë”, tha Maloku.
Gjykata Themelore e Prishtinës ka lëshuar flet-arrestime ndaj katër deputetëve të Kuvendit të Kosovës: Albin Kurtit, Albulena Haxhiut, Donika Kadaj-Bujupit dhe Faton Topallit.
Deputetja Kadaj-Bujupi e cila është arrestuar më 18 nëntor, i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh, për shkak të veprimeve të paligjshme. hedhje e gazit lotsjellës në mjediset e Kuvendit të Kosovës.
Profesori i së drejtës penale në Universitetin e Prishtinës, Ismet Saliu, thotë se para ligjit janë të barabartë të gjithë qytetarët e Kosovës.
Lidhur me flet-arrestimet për deputetët që kanë hedhur gazin lotsjellës në Kuvend, tha se nëse ka flet-arreste për ta, duhet të arrestohen.
“Ose duhet të arrestohen të gjithë ose të lirohet edhe kjo [deputetja Donika Kadaj- Bujupi] nuk shkon ajo punë në mënyrë selektive. Përndryshe politika e ka atë autoritet apo atë të drejtë për të vlerësuar se a është i volitshëm momenti, rrethanat, vendi, koha se kur duhet vepruar”, Salihu.
Zyrtarët e Policisë së Kosovës, kanë thënë për Radion Evropa e Lirë se “në rastin kur do të jetë momenti i reagimit të duhur, zyrtarët policorë do t'i ndërmarrin verimin e tyre për arrestimin e atyre deputeteve që kanë flet- arreste”.
Rreth 22 persona janë arrestuar, më shumë se 13 të tjerë kanë pësuar lëndime dhe janë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale në protestën e 18 nëntorit organizuar nga partitë politike opozitare në Kosovë.
Partitë opozitare për gati dy muaj po pamundësojnë mbajtjen e seancave të Kuvendit, në shenjë kundërshtimi ndaj marrëveshjeve të arritura në bisedimet me Serbinë në fund të muajit gusht, me të cilat marrëveshje thuhet se komunave me shumicë serbe u ofrohet një shkallë e gjerë autonomie.
Opozita kundërshton edhe marrëveshjen për shënimin e kufirit me Malin e Zi.