Ndërlidhjet

Kuvendi i Kosovës ratifikon MSA-në, pa opozitën


Kuvendi i Kosovës
Kuvendi i Kosovës

Kuvendi i Kosovës ka ratifikuar Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit (MSA) të nënshkruar me Bashkimin Evropian.

Ratifikimi i marrëveshjes është bërë pa votat e opozitës në formën e miratimit të projektligjit.

Për miratimin e MSA-së kanë votuar 86 deputetë, ndërkohë që nuk kishte vota kundër dhe as abstenime, pasi që opozita në atë moment e kishte lëshuar sallën.

Në arsyetimin e projektligjit, ministri i Integrimeve Evropiane, Bekim Çollaku ka thënë se Marrëveshja e Stabilizim Asociimit paraqet hapin e parë, por edhe më të rëndësishëm deri më tani në rrugëtimin e Kosovës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Ndër tjera, ministri Çollaku tha se nënshkrimi i kësaj marrëveshje ka ndodhur pavarësisht faktit që pesë vende anëtare të Bashkimit Evropian nuk e kanë njohur shtetin e Kosovës.

Kjo sipas tij, nënkupton që vendi i Kosovës në BE nuk po kontestohet më nga askush.

Po ashtu, Çollaku ka nënvizuar edhe faktin që zbatimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit mbetet i ndërlidhur edhe me zbatimin e marrëveshjeve të arritura në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

"Kjo marrëveshje është e ngjashme me ato që kanë nënshkruar vendet e rajonit. Është e pamohueshme që ne jemi rast më specifik, por nuk duhet harruar që janë pesë shtete të BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën, por ato kanë pranuar që vendit tonë mos t’i mohohet e drejta për në rrugën drejt BE-së”, ka deklaruar Çollaku.

Në deklarimet parlamentare, përfaqësuesit e partive të koalicionit qeveritar nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kryesisht e vlerësuan këtë marrëveshje me BE-në si të arriturën më të madhe që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës.

Mbështetje pa rezerva ratifikimit të MSA-së, në emër të Listës Serbe i ka dhënë edhe kryetari i Grupit Parlamentar të këtij subjekti politik, Sllavko Simiq.

Përderisa partitë opozitare kanë ngritur dyshime dhe shtruar vërejtje në këtë marrëveshje, andaj edhe nuk e kanë votuar atë.

Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca tha se Kosova në këtë marrëveshje është prezantuar me fusnotë, çka sipas tij, nënkupton neutralitetin në raport me statusin e saj.

Po ashtu, ka nënvizuar ai, marrëveshja e parasheh qartë se zbatimi i MSA-së ndërlidhet drejtpërdrejtë me zbatimin e marrëveshjeve që Kosova ka arritur në dialogun me Serbinë.

“MSA-ja nuk u kushtëzua me luftimin e korrupsionit, apo de-politizimin e administratës shtetërore, MSA-ja erdhi veç për një arsye, për shkak të marrëveshjeve me Serbinë. Ato marrëveshje nuk zbatohen me reciprocitet, ato a krijojnë Beogradi një instrument të fuqishëm brenda Kosovës”, ka thënë Konjufca.

Me qëndrime afërsisht të ngjashme rreth kësaj marrëveshjeje janë prezantuar edhe dy partitë tjera opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën.

Pas arsyetimit pse nuk e mbështesin MSA-në, deputetët opozitar lëshuan sallën. Por, nga ky qëndrim unik i opozitës, është distancuar deputeti i Vetëvendosjes, Ilir Deda duke e mbështetur MSA-në.

Kurse dilemave të shtruara në Kuvend nga opozita rreth trajtimit jo të barabartë të Kosovës me MSA-në, u është përgjigjur edhe kryeministri Isa Mustafa.

Ai ka thënë se nuk ka dilema që Kosova trajtohet si shtet i barabartë dhe se puna e Kosovës tani mbetet zbatimi i obligimeve që ka marrë me këtë marrëveshje.

"Nuk shtrohet pyetja se cili është relacioni i Bashkimit Evropian ndaj Kosovës sepse është shumë i qartë me këtë marrëveshje për ne. Por, shtrohet pyetja që ne duhet t'i plotësojmë të gjitha kriteret që ne i kemi pranuar me këtë marrëveshje si kontratë që po e bëjmë me Bashkimin Evropian", ka deklaruar Mustafa.

Në këtë seancë, ka qenë e pranishme edhe presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.

Përmes një deklarate me shkrim, ajo e ka përshëndetur ratifikimin e MSA-së, duke e cilësuar atë si hap përcaktues të rrugës së pakthyeshme të Kosovës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Marrëveshja e Stabilizim Asociimit me Bashkimin Evropian është nënshkruar javën e kaluar në Strasburg, duke shënuar edhe hapin e parë të marrëdhënieve kontraktuale të Kosovës me Bashkimin Evropian.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG