Ndërlidhjet

MSA sjellë përfitime dhe obligime


Foto nga arkivi
Foto nga arkivi

Marrëveshja për Stabilizim Asociim, e cila është nënshkruar të martën në Strasburg, ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, është e rëndësishme për Kosovën, për shkak se e hap dialogun politik dhe përfshinë bashkëpunimin me Bashkimin Evropian në fushën e sundimit të ligjit, të tregtisë, edukimit, punësimit, energjetikës, mbrojtjes së ambientit etj.

Njohësit e integrimeve evropiane vlerësojnë se Marrëveshja për Stabilizim Asociim nënkupton marrëdhëniet e para kontraktuale ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, por edhe mjaft obligime në kuptimin politik dhe ekonomik.

Fatmir Curri, drejtor i programit në Fondacionin Kosovarë për Shoqëri Civile, thotë për Radion Evropa e Lirë se pjesa kryesore e kësaj marrëveshje ka të bëjë me krijimin e tregut të lirë ndërmjet Kosovës dhe BE-së, si dhe ndërtimin e tregut të lirë në Kosovë.

“Përfitimet e kosovarëve do t’i shohim vetëm atëherë kur të përmirësohet Kosova. Sidomos prodhimi bujqësor edhe industrial. Pa prodhim, me këtë marrëveshje, faktikisht, ne nuk do të përfitojmë asgjë, meqenëse një mundësi të eksportimit të produkteve kosovare në BE, ne tashmë e kemi pasur, përmes marrëveshjeve asimetrike me BE-në".

"Por, dallimi është që tani këtë garanci të eksportimit në BE do ta kemi për 10 vite”, tha Curri.

Avni Mazreku, profesor i të Drejtës Evropiane, vlerëson se duke pasur parasysh që Kosova ka përpjesëtim jo të favorshëm midis eksportit dhe importit, ajo nuk mund të ketë kapacitete të krahasimit brenda tregut evropian, në të cilin konkurojnë kompanitë më të fuqishme të vendeve të Bashkimit Evropian.

Megjithatë, sipas tij, Marrëveshja për Stabilizim Asociim, i sjell Kosovës edhe përfitime.

“Përfitimi i Kosovës është që produktet që aktualisht importohen në Kosovë nga vendet e rajonit, ato do të futen në konkurrencë të drejtpërdrejtë me produktet që prodhohen nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian. Me këtë, konsumatorët e Kosovës do të kenë rast të kenë produkte më cilësore për çmime më të ulëta".

"Ndërsa, sa i përket eksportimit të Kosovës dhe kapaciteteve eksportuese të saj, unë jam skeptik në këtë drejtim, për shkak se Kosova aktualisht, raportin midis importit dhe eksportit e ka në disproporcion ekstremist të madh”.

Profesor Mazreku ka shtuar se obligimet që dalin nga Marrëveshja për Stabilizim Asociim lidhen drejtpërdrejtë me lirinë e qarkullimit të mallrave dhe kjo nënkupton që Kosova me kohë duhet t’i heqë të gjitha barrierat doganore për mallrat e importuara nga vendet e BE-së.

“Kur e kemi parasysh që dy të tretat e buxhetit të Kosovës vijnë pikërisht nga taksat doganore, ky do të jetë një efekt i drejtpërdrejtë në buxhetin e Kosovës. kjo është një goditje e parë për Kosovën".

"Por, normalisht, në periudha afatgjate, kjo ka efekt ekstremist pozitiv për Kosovën, sepse Kosova duhet t’i krijojë hapësirë sektorit privat, që aktualisht është pothuajse jo ekzistues. Heqja e këtyre barrierave doganore nënkupton zhvillimin e sektorit privat dhe uljen e shpenzimeve në administratën publike”.

Në anën tjetër, Curri vlerëson se pas zbatimit të Marrëveshjes për Stabilizim Asociim, Kosova do të mund të aplikojë për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Por, sipas tij, pa njohjen e Kosovës nga ana e pesë vendeve të Bashkimit Evropian, që ende nuk e kanë njohur, nuk mund të flitet për hapa të mëtutjeshëm.

Curri thekson se marrëveshja bartë më vete edhe mjaft obligime politike dhe siç thotë ai, në artikullin e pestë të marrëveshjes ‘Kosova zotohet për marrëdhënie të mira me Serbinë dhe përmirësimin e vazhdueshëm të tyre, si dhe bashkëpunimin me misionin e BE-së në Kosovë, EULEX’.

“Është rast i rrallë kur BE-ja, përmes MSA-së kërkon këtë lloj kushtëzimi, për përmirësimin e raporteve bilaterale. Natyrisht, në marrëveshjet tjera në rajon, kërkohet bashkëpunim më i mirë rajonal. Por, thuhet, prerë, se në rast të mosrespektimit të këtij zotimi nga Kosova, BE-ja mund t’i marrë masat që ta anulojë këtë marrëveshje”, tha Curri.

Curri ka shtuar se për Kosovën, përmes MSA-së, dhe për Serbinë, përmes kapitullit 35, po bëhet i domosdoshëm bashkëpunimi, nëse synohet integrimi në BE.

Marrëveshja për Stabilizim Asociim, paraqet kornizën e marrëdhënieve të Bashkimit Evropian dhe vendeve të Ballkanit perëndimor.

Marrëveshja i përshtatet situatave specifike të secilit vend partner të Bashkimit Evropian dhe krahas vendosjes së tregtisë së lirë ndërmjet Bashkimit Evropian dhe, në këtë rast, të Kosovës, ajo i identifikon edhe caqet e përbashkëta politike dhe ekonomike dhe inkurajon bashkëpunimin rajonal.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG