Ndërlidhjet

MSA-ja, mundësi për integrimin ekonomik të Kosovës


Ilustrim
Ilustrim

Kosova pritet të nënshkruajë javën e ardhshme Marrëveshjen e Stabilizim- Asociimit (MSA) me Bashkimin Evropian. Kjo marrëveshje po vlerësohet si një hap mjaft i rëndësishëm për vendin.

Në aspektin ekonomik, ekspertë të çështjeve ekonomike dhe përfaqësues të biznesit në vend, thonë se nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit do të jetë një mundësi, e cila do të hapë perspektivë për ekonominë dhe biznesin vendor.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë tregon për përfitimet që do t’i ketë vendi nga nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje.

“Përftimet nga një marrëveshje e tillë, do të jenë të shumta. Në rend të parë po hapet një perspektivë drejt integrimit ekonomik evropian. Në rend të dytë është një mundësi për komunitetin e biznesit vendor që të jetë pjesë e këtyre proceseve”.

“Dhe, në rend të tretë, një momentum ku produktet kualitative të Evropës do të jenë më lehtë të plasuara në tregun e Kosovës dhe anasjelltas edhe produktet vendore do të jenë më lehtë të plasuara në tregun evropian”, thotë Gërxhaliu.

Për shtetet, të cilat eksportojnë produktet e tyre në Bashkimin Evropian, MSA-ja ka qenë mjaft e rëndësishme, pasi që si e tillë kjo marrëveshje iu ka mundësuar kompanive vendore qasje në tregun e BE-së me kushte shumë të mira.

Eksperti i çështjeve ekonomike, Naim Gashi, konsideron se Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit e bën më të hapur tregtinë ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

“MSA-ja nënkupton që nga 1 janari i vitit 2016, kur pritet të hyjë në fuqi, atëherë një pjese të produkteve që nuk prodhohen në Kosovë, do t’iu hiqet taksa doganore dhe në 10 vjetët e ardhshëm taksa doganore për produktet e BE-së që futen në tregun e Kosovës do të hiqet dalë ngadalë”, tregon Gashi.

Bashkimi Evropian, nëpërmjet kësaj marrëveshjeje, thekson Gashi, do të investojë në rritjen e kapaciteteve prodhuese vendore, në rritjen e kapaciteteve institucionale, në mënyrë që prodhimet e Kosovës të jenë fillimisht konkurrent me vendet e rajonit, pastaj me vendet e BE-së.

Efektet në ekonominë e Kosovës në 10 vjetët e ardhshëm pritet të jenë rreth 60 milionë euro më pak të hyra në Doganat e Kosovës, por njëkohësisht BE-ja, përmes instrumenteve të para-anëtarësimit, do të bëjë investime në ekonominë e Kosovës, në rritjen e kapaciteteve konkurruese të saj me një vlerë prej 650 milionë eurosh për të rritur kapacitetet konkurruese të Kosovës në raport me vendet e Bashkimit Evropian”, shpjegon Gashi.

Përveç tjerash, hyrja në fuqi e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, vlerësohet se është sinjali më i mirë që do t’u dërgonte investitorëve të jashtëm se Kosova është një ekonomi, e cila i plotëson kriteret bazike evropiane sa i përket funksionimit të ekonomisë së tregut.

Nënshkrimi i marrëveshjes së Stabilzim Asocimit që shënon edhe vendosjen e parë të marrëdhënieve kontraktuale të Kosovës me Bashkimin Evropian, do t‘i japë fund një procesi, negociatat për të cilin filluan në tetor të vitit 2013 dhe ato u siguruan pas angazhimit të Kosovës në bisedimet me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG