Ndërlidhjet

Përfitimet nga UNESCO, imponojnë edhe përgjegjësi


Lidhja e Prizrenit
Lidhja e Prizrenit

Anëtarësimi eventual në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Arsimin, Shkencën dhe Kulturën - UNESCO, do t’i sillte Kosovës përfitime në dy rrafshe, vlerësojnë zyrtarët e Qeverisë së Kosovës.

Petrit Selimi, zëvendësministër i Punëve të Jashtme i Qeverisë së Kosovës, duke folur për Radion Evropa e Lirë thotë se në nivelin politik, Kosova tashmë është anëtare e dy agjencive të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Fondi Monetar Ndërkombëtarë dhe Banka Botërore.

Por, sipas tij, UNESCO është agjencioni i parë, ku Kosova, me anëtarësimin eventual, do ta merrte votën e saj, e cila është e barabarte me vendet tjera.

“Pra, derisa në Bankën Botërore e kemi votën e aksionarit - dhe ne jemi aksionar minor- në UNESCO, vota jonë do të jetë e njëjtë si e Kinës, Rusisë, Malit të Zi, Shqipërisë, Gjermanisë etj. Si e tillë, e amplifikon jashtëzakonisht diplomacinë tonë multilaterale. Pra, e fitojmë një mjet të mirë të interaksionit diplomatik dhe e fitojmë një mundësi të mirë për zërin tonë në një platformë globale dhe shumë të rëndësishme”.

Ndryshe, zëvendësministri Selimi shpjegon se në rrafshin praktik, në shkencë , kulturë dhe arsim, UNESCO mbulon mbi 70 programe të ndryshme, në të cilat Kosova do të mund të merrte pjesë, që në vitin e parë pas anëtarësimit eventual.

Sipas tij, Kosova me popullatën shumë të re, ka nevojë për reforma dhe ndihmë në arsim dhe UNESCO është ajo që merret me çështjen e reformave, standardizimit dhe shkëmbimeve të programeve arsimore.

Ngjashëm, sipas zëvendësministrit Selimi, përfitimet janë edhe në shkencë, si dhe në kulturë dhe trashëgiminë kulturore.

Anila Statovci Demaj, zëvendësministre e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, thotë për Radion Evropa e Lirë se Kosova ka rreth gjysmë milionë persona që janë brenda zinxhirit arsimor, që nga institucionet parashkollore e deri në arsimimin e lartë universitar.

Anëtarësimi eventual i Kosovës në UNESCO, sipas saj, ofron mundësinë e bashkëpunimit për gjithë këtë zinxhir me vendet tjera, si dhe është shtytje për krijimin e një standardi krahasues.

“Bashkëpunimi është i larmishëm dhe i paskajshëm, që nga fillet e edukimit, do të thotë, që nga edukimi parashkollor, edukimi fillor, i mesëm, arsimimi i lartë e edhe pastaj më tutje në lëmin e shkencës. Pra, formalizohen disa gjëra, me matjet dhe standardet ndërkombëtare. Kjo do të jetë edhe një motiv, shtytje edhe për ne që t’i realizojmë këto standarde dhe e gjithë kjo, nën objektivën e përgjithshme të rritjes së cilësisë në arsim”.

Arsim Canolli, këshilltar për trashëgimi kulturore i ministrit për Kulturë, Rini dhe Sport, Kujtim Shala, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson që me anëtarësimin eventual në UNESCO, përveç përfitimit politik dhe simbolik, Kosova përfiton edhe në rrafshe tjera, që ndërlidhen me trashëgiminë kulturore.

“Thyhet miti propagandistik i Serbisë për Kosovën, si vend që e shkatërron trashëgiminë kulturore e po ashtu edhe miti i Serbisë për Kosovën si djep të saj, si dhe mite tjera të këtij soji. Së treti, Kosova përfiton sepse hyn në hartën e destinacioneve të trashëgimisë kulturore dhe të turizmit kulturor, ku njerëzit tjerë mund të vijnë këtu dhe ta vizitojnë Kosovën, t'i vizitojnë monumentet, objektet e trashëgimisë kulturore”.

Canolli ka shtuar se me përfitimet që vijnë nga anëtarësimi eventual i Kosovës në UNESCO, vijnë edhe obligimet dhe përgjegjësittë, siç është avancimi i legjislacionit, inventarizimi apo krijimi i listës së aseteve të trashëgimisë kulturore në mbrotje të përhershme, si dhe mbrojtja dhe ruajtja e tyre më e thuktë dhe rigoroze, pa dallim etnik apo fetar, të cilave u takojnë ato.

Edhe zëvendësministri i jashtëm, Selimi, thekson se përfitimet nga anëtarësimi në UNESCO, nënkuptojnë edhe përgjegjësi më të mëdha, përfshirë edhe ato financiare, si dhe të aderimit të Kosovës në disa dhjetëra konventa dhe instrumente ndërkombëtare, e që shumë prej tyre janë obliguese dhe paraqesin një nivel të ri të përgjegjësisë karshi fushave që mbron UNESCO.

“Rriten obligimet formale ndërkombëtare të Kosovës në fushën e trashëgimisë. Në fushën e arsimit rritet nevoja e standardizimit dhe analizës së sistemit arsimor të Kosovës, përfshirë elementin krahasues, ku do të shihet shumë qartë se ku jemi në krahasim me shtetet tjera".

"Pra, janë benefite të qarta, të cilat ishte dashur që të vilen nga ministritë dhe institucionet tjera të dikastereve, por janë edhe përgjegjësitë. Ne në një mënyrë po vullnetarizohemi që të kemi më shumë përgjegjësi dhe të tregojmë pjekurinë e demokracisë dhe shtetit tonë që të hyjë në mekanizma kompleks multilateral”.

Kërkesa e Kosovës për anëtarësim në UNESCO, tashmë ka hyrë në agjendën zyrtare të Këshillit Ekzekutiv të kësaj organizate.

Në tetor pritet që Komiteti Ekzekutiv i UNESCO-s të votojë për aplikimin e Kosovës për anëtarësim, ku nevojiten votat e shumicës së thjeshtë apo 51 për qind e votave për rekomandim pozitiv për Kosovën.

Më pas, në nëntor lidhur me pranimin e Kosovës në UNESCO do të votohet në Kuvendin e përgjithshëm, ku nevojiten dy të tretat e votave.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG