Ndërlidhjet

Fushatë dhe kundërfushatë për Kosovën në UNESCO


Pamje nga qyteti i vjetër i Prizrenit, foto nga arkivi
Pamje nga qyteti i vjetër i Prizrenit, foto nga arkivi

Fushata për anëtarësimin e Kosovës në Agjencinë për Arsim, Shkencë dhe Kulturë të Organizatës së Kombeve të Bashkuara - UNESCO, po vazhdon pozitivisht, përderisa fushata e Serbisë kundër këtij anëtarësimi, po zhvillohet me diskurs mjaft negativ, vlerësojnë zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës.

Zëvendësministri i jashtëm i Kosovës, Petrit Selimi, i cili ka vizituar të martën Selinë e shenjtë në Vatikan, thotë për Radion Evropa e lirë se temë kryesore me zyrtarët e Selisë së shenjtë ka qenë çështja e anëtarësimit të Kosovës në UNESCO.

Por, sipas tij, një nga shembujt e diskursit negativ të Serbisë ndaj anëtarësimit të Kosovës në UNESCO është edhe deklarata e ambasadorit të Serbisë pranë UNESCO-s, Darko Tanaskoviq.

Ky i fundit ka deklaruar për radion ruse “Sputnjik”, se trashëgimia kulturore serbe nuk është vetëm ortodokse, por edhe e krishtere dhe se “në qoftë se fronti i mbrojtjes do të jetë gjerësisht i krishterë, atëherë edhe efektiviteti i gjithë aksionit do të jetë më i madh”.

Zëvendësministri Selimi thotë se nga autoritetet e Selisë së shenjtë është njoftuar se këta të fundit nuk kanë biseduar me autoritetet serbe lidhur me çështjen e anëtarësimit të Kosovës në UNESCO.

“Ata që insistojnë që anëtarësimi i Kosovës është një lloj rreziku për trashëgimin e krishtere - ortodokse në Kosovë, ata nuk kanë bashkëbiseduar me Selinë e shenjtë".

"Teoritë e ambasadorit Tanaskoviq mbi konfliktin midis islamit dhe krishterimit i takojnë një diskursi tejet të tejkaluar dhe nuk është i Evropës së sotme. Jam i gëzuar që kam pasur takime me ministrin e kulturës, me ministrin e dialogut ndërfetar dhe me zëvendësministrin e jashtëm të Selisë së shenjtë”.

Zëvendësministri Selimi ka shtuar se procesi i anëtarësimit të Kosovës në UNESCO do të jetë i vështirë, por sipas tij, Kosova tashmë ka krijuar një bllok të fuqishëm lobues në të cilin janë disa dhetëra shtete, që sipas tij, e dinë se anëtarësimi i Kosovës në UNESCO është më i mirë, madje edhe për vet Kishën Ortodokse Serbe, se sa mbetje e Kosovës jashtë kësaj organizate.

Igumeni Sava Janjiq nga Kisha Ortodokse Serbe në Kosovë, thotë për Radion Evropa e Lirë se lidhur me çështjen e anëtarësimit ose jo të Kosovës në UNESCO, kjo kishë dëshiron të mbetet jashtë fushatave mediale.

“Ne kemi arsye pse e themi këtë. Më mirë t’i pyesni ata që deklarohen. Por ne, vërtetë nuk mund të komentojmë asgjë për këtë”, tha igumeni Janjiq.

Zëvendësministri Selimi, e konsideron si pozitive mospërfshirjen e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë në fushatat për ose kundër anëtarësimit të Kosovës në UNESCO.

“Kisha Ortodokse Serbe dhe kleri në Kosovë, përkatësisht, ipeshkvi Teodosije dhe ati sava kanë qëndruar jashtë debatit media dhe mendoj se është kontribut pozitiv. Kleri ortodoks, mysliman dhe në përgjithësi, mendoj se ka pak vend që të përzihet në punët që janë të shtetit dhe të ‘tokës’- thënë në terminologjinë teologjike- edhe pse natyrisht, presionet nacionaliste në Beograd janë shumë të mëdha që ta përdorin apo keqpërdorin kishën që ta godasin Kosovën”.

Zëvendësministri Selimi ka shprehur mendimin se Serbia edhe për një kohë do të përpiqet ta bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, por sipas tij do të ballafaqohet me realitetin që, siç thotë ai, ‘nuk mund të ulet në dy karrige”.

“Nuk mundet të bëhet apo të pretendojë që të bëhet fqinje e mirë e Kosovës, në kuadër të bisedave në Bruksel për një ditë, ndërkaq të nesërmen të flas zi e më zi dhe ta gënjejë opinionin ndërkombëtar për Kosovën dhe të tentojë që ta bllokojë atë në organizatat ndërkombëtare”.

Mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, së fundmi ka dhënë edhe sopranoja me famë botërore, Inva Mula, e cila të shtunën ka qëndruar në Prishtinë.

Në shkrimin për botimin diplomatik francez “La Lettre Diplomatique”, Mula, ka theksuar se “është ora që UNESCO t'ua hapë dyert njerëzve të Kosovës”.

Në tetor pritet që Komiteti ekzekutiv i UNESCO-s të votojë për aplikimin e Kosovës për anëtarësim, ku nevojiten votat e shumicës së thjeshtë apo 51 për qind e votave për rekomandim pozitiv për Kosovën.

Më pas, në nëntor lidhur me pranimin e Kosovës në UNESCO do të votohet në Kuvendin e përgjithshëm, ku nevojiten dy të tretat e votave.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG