Të drejtën për shkollim fillor në Kosovë e shfrytëzojnë pothuajse të gjithë fëmijët, por problem mbetet cilësia që ofrohet në shkollat e fillore dhe të mesme, vlerësojnë ekspertë të çështjeve të arsimit në Kosovë.
Eksperti i çështjeve të arsimit, Dukagjin Popovci në një prononcim dhënë Radios Evropa e Lirë, ka theksuar se Kosovës i duhet një arsim më cilësor në shkollat fillore dhe të mesme.
“Kur flasim për të drejtat e fëmijëve, është e drejta për arsim cilësor, pra jo vetëm fëmija të shkojë në shkollë, por që edhe shkolla t’i ofrojë një arsim cilësor. Nuk mund të jemi të kënaqur me cilësinë e arsimit në shkollat tona dhe kjo vlen për të gjitha nivelet e shkollimit dhe tashmë kjo është një çështje që të gjithë e kanë të qartë, por duhet parë se çfarë duhet bërë që ta përmirësojmë këtë cilësi”, thekson Popovci.
Në hulumtimet e bëra për çështjen e arsimit në Kosovë nga organizatat vendore dhe ndërkombëtare, ishte vlerësuar se cilësia e arsimit në Kosovë nuk ishte në nivelin e duhur.
Këta mekanizma kishin kërkuar vazhdimisht nga autoritetet kompetentet që të bëjnë një studim mbi gjendjen e arsimit në vend dhe të dihet se ku qëndron mirë ky sektor dhe ku qëndron keq, dhe pastaj të bëhen ndryshimet.
Për të përmirësuar cilësinë në arsimin fillor dhe të mesëm, shton Popovci, rolin kryesor këtu e kanë mësimdhënësit, pasi që, thekson ai, mësimdhënësit e përgatitur mirë dhe të përkushtuar në punën e tyre, mund të bëjnë mrekulli për fëmijët.
“Nuk është më problem në Kosovë në të shumtën e rasteve infrastruktura ose udhëtimi apo gjërat që i kemi pasur përpara, por problemi më i madh është se si të sigurohet një mësimdhënie cilësore për fëmijët”, vlerëson Popovci.
Në një përgjigje dhënë më parë për Radion Evropë e Lirë, Kushtrim Shkodra, shef i kabinetit të Ministrit të Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, kishte theksuar se në arsimin fillor dhe të mesëm sfidë mbetet përmirësimi i plan-programeve dhe veçanërisht teksteve shkollore, të cilat fatkeqësisht kanë shumë gabime përmbajtjesore.
“Është thelbësore që të fuqizojmë edhe mekanizmat për monitorim dhe vlerësim për të siguruar zbatim të drejtë të politikave dhe sigurim të cilësisë. Në arsimin profesional duhet të stimulojmë hapjen e programeve të studimeve me orientim profesional dhe që iu përgjigjen nevojave të tregut të punës”, kishte theksuar Shkodra.
Kosova, gjatë këtij viti, për herë të parë i nënshtrohet një vlerësimi ndërkombëtar për arsim, rezultatet e të cilit do të publikohen në vitin 2016.
Programi për vlerësimin ndërkombëtar të nxënësve, i njohur me shkurtesën “PISA”, është një vlerësim ndërkombëtar për njohuritë e nxënësve 15-vjeçarë në lexim, matematikë dhe shkencë.
Pjesë e testitit vlerësues ndërkombëtar për arsim "PISA", janë 72 vende të botës dhe organizohet nga Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim.
Sipas ligjit, arsimi fillor dhe i mesëm në Kosovë është falas dhe financohet nga buxheti i Kosovës. Arsimi është i detyrueshëm për të gjitha moshat nga 6 deri në 15 vjeç. Ligji për arsimin u garanton arsimim të barabartë të gjitha komuniteteve në Kosovë.
Mësimi në shkollat fillore në Kosovë mbahet në pesë gjuhë: në gjuhën shqipe, serbe, boshnjake, turke dhe kroate.