Ndërlidhjet

Reformat në arsim, të suksesshme apo jo?


Ilustrim
Ilustrim

Mbi 408 mijë nxënës kanë nisur të hënën mësimin në ciklin fillor dhe atë të mesëm, prej tyre 27 mijë janë regjistruar në klasën e parë.

Sistemi i arsimit në Kosovë, vazhdon të përballet me shumë sfida dhe vështirësi. Por, sipas ekspertëve të arsimit, problematikë mbetet shkollimi parauniversitar.

Reformat në mësimdhënie, vitet e fundit kanë qenë temë debatesh nga më të ndryshmet.

Eksperti i arsimit, Fevzi Berisha, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se reformat në sistemin e arsimit nuk kanë rezultuar suksesshëm.

“Edhe pse flitet për reforma, reforma kupton ndryshime për çdo vit, por te ne kjo nuk po sjell cilësi, përkundrazi për çdo vit po kemi rënie, sidomos në arsimin fillor të fitimit të njohurive”.

Akoma nuk kemi arritur të bëjmë një vlerësim se sa dhe me çfarë njohurish po na dalin nxënësit në të gjitha nivelet. Ne kemi dy vlerësime - testin e maturës dhe atë të arritshmërisë dhe ato janë për vlerësime të brendshme jo për të jashtme, për të parë se sa ato njohuri janë konfraktibile me njohuritë në vende të tjera”, ka thënë Berisha.

Por, ndryshe mendon Arbër Morina, zëdhënës në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

Sipas tij, reformat në sistemin e arsimit, sipas raporteve që ata marrin, kanë rezultuar suksesshëm.

“Ne i kemi raportet për shkollat pilot, që janë duke u pilotuar në kornizën e kurrikulës dhe raportet janë tejet pozitive dhe ka ndonjë ngecje aty-këtu që është paraqitur, sepse është e pamundur të mos ketë një gjë të tillë pasi që ne po flasim për rreth 500 mijë nxënës. Dhe reforma te rreth gjysmë milion nxënës, është e pamundur të mos ketë ndonjë ngecje, por ato nuk janë serioze dhe nuk e difektojnë këtë proces”, është shprehur Morina.

Siaps Morinës kurrikulat e arsimit janë përpiluar nga ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë dhe janë në përputhshmëri me standardet evropiane.

“Dihet që Ministria e Arsimit ka marrë një sërë hapash për reformimin e sistemit parauniversitar. Njëri hap është nënshkrimi i kornizës së kurrikulës, krijimi i kurrikulave bërthamë që tashmë është duke u pilotuar në 10 komuna, dhe pritet që të zgjerohet në shkollat tjera në mbarë Kosovën”.

“Dihet që kurrikulat janë bërë nga ekspertë të ndryshëm edhe vendorë edhe ndërkombëtarë, pra ekspertë të arsimit. Andaj kjo kurrikulë është në përputhshmëri me standardet evropiane, sepse faktori ndërkombëtar ka qenë i përfshirë në këtë proces dhe po vazhdon të monitorojë zbatimin e këtij dokumenti shumë të rëndësishëm”, ka shpjeguar Morina

Mirëpo, Berisha konsideron se arsimi parauniversitar është i mbingarkuar dhe kjo nuk reflekton te nxënësit cilësi, por përkundrazi ngecje.

“Nga shumë hulumtime që janë bërë viteve të fundit, këto plan-programe të parapara në arsimin fillor, janë që të lehtësohen sa më shumë dhe njësitë nëpër lëndë përkatëse për nxënës. Të dihet decidivisht çka kërkohet për nxënës, në mënyrë që të zhvillohet logjika te fëmijët, e pastaj në kohë tjera këto njohuri të ngrihen. Jo vetëm në shkollë të fitohen njohuritë, por në shkollë të orientohen e të mos mbingarkohen”.

“Por, nëse dikush tregon interesim për lëmi të caktuar, atëherë ai të zhvillojë njohuri nga tekste të ndryshme. Ky është një problem sidomos në Kosovë, për shkak të reformimit të arsimit”, ka vlerësuar Berisha.

Edhe prindërit e fëmijëve janë të shqetësuar me plan-programin e ngarkuar. Vesa Hoxha, nënë e fëmijës që vijon mësimet në klasën e tretë ka thënë për Radion Evropa e Lirë se fëmijët, sipas saj, janë të mbingarkuar.

“Unë, si prind, mendoj se fëmijët, sidomos ata të ciklit të ulët, janë shumë të ngarkuar. Në perëndim, për shembull, klasën e parë dhe të dytë e kryejnë si lloj loje, më shumë me vizatime me figura. Te ne jo”.

“Kanë shumë libra. Çantat i kanë shumë të rënda. Tash edhe Edukata Fizike ka libër. Lënda e Matematikës i ka tri libra, Edukata Shoqërore, Gjuha Shqipe i kanë nga dy libra. Janë shumë të ngarkuar. Të gjitha duhet t’i bartin me vete, nuk kanë dollapë në shkolla ku mund t’i lënë librat, në mënyrë që mos t’i bartin gjatë gjithë kohës me vete”, është shprehur ajo.

Ndryshe, sociologët në vend kanë thënë se fëmijët në Kosovë ende vlerësohen në bazë të asaj se çka ata kanë mbajtur mend gjatë procesit mësimor, e nuk u mësohet të menduarit kritik.

Sipas tyre, qasja kritike, të menduarit kritik, analizimi i teksteve nuk është duke u zhvilluar në mënyrë të duhur.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG