Ndërlidhjet

Arsimit në Kosovë i duhet transformim


Ilustrim
Ilustrim

Sistemi i arsimit në Kosovë është në krizë të thellë dhe se nga ky rreth vicioz nuk mund të dalë me reforma, por me një transformim, thonë njohës të çështjeve të arsimit.

Halim Hyseni nga Qendra për Avancimin e Performancës së Sistemit të Arsimit, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë thekson se transformimet duhet të jenë të gjithanshme.

Të gjitha ndryshimet që janë bërë nga viti 2000, sipas Halimit, kanë dështuar dhe kanë ndikuar që arsimi të marrë drejtim të gabuar.

“Duhet të transformohen kushtet, nuk ka rezultate në kushte jo të mira. Është bërë një infrastrukturë, por kjo infrastrukturë nuk është optimale dhe nuk balancon rezultate. Struktura e procesit arsimore duhet të jetë më e avancuar sesa që është, tekstet duhet të jetë me të avancuara, kurrikulat duhet të avancohen, po ashtu, edhe ligjet duhet të jenë më të avancuara, pastaj duhet të bëhen ndryshime të thella në procesim”, thotë Hyseni.

Sistemi i arsimit në Kosovë, edhe në raporte të shumta të organizatave vendore dhe ndërkombëtare, ishte kritikuar se është në nivel jo të dëshiruar.

Ankesat më të mëdha fillimisht ishin bërë për mungesë të objekteve shkollore, mirëpo thuhet se kjo problematikë është zbutur deri më tani, derisa problemi që vazhdon ta rëndojë këtë fushë është cilësia.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, ndërkohë ka deklaruar se arsimi do të bëhet prioritet i Qeverisë së Kosovës.

Përfaqësues të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë thonë për Radion Evropa e Lirë se është shumë e vërtetë që në sektorin e arsimit ka shumë probleme dhe mangësi, por se janë duke punuar për eliminimin e këtyre problemeve.

Kushtrim Shkodra, këshilltar politik i Ministrit të Arsimit, në një përgjigje përmes postës elektronike dërguar Radios Evropa e Lirë bën të ditur se janë të përkushtuar që të ndërtojnë një sistem arsimor që siguron kushte për formim cilësor.

Në arsimin fillor dhe të mesëm, sipas Shkodrës, sfidë mbetet përmirësimi i plan-programeve dhe veçanërisht teksteve shkollore, të cilat, siç thekson ai, fatkeqësisht kanë shumë gabime përmbajtjesore.

“Është thelbësore që të fuqizojmë edhe mekanizmat për monitorim dhe vlerësim për të siguruar zbatim të drejtë të politikave dhe sigurim të cilësisë. Në arsimin profesional duhet të stimulojmë hapjen e programeve të studimeve me orientim profesional dhe që u përgjigjen nevojave të tregut të punës”, shton Shkodra.

Shpallja e arsimit prioritet nacional, për njohësit e çështjeve të arsimit, duhet të bëhet me një ligj të veçantë.

Halim Hyseni nga Qendra për Avancimin e Performancës së Sistemit të Arsimit, kujton se çështja e arsimit prioritet është shpallur së paku katër herë në 15 vitet e pas luftës, por që asnjëherë nuk është marrë seriozisht kjo çështje.

“Prioritet nënkupton kur Kuvendi i Kosovës me ligj e shpall arsimin me interes të veçantë dhe kur në nivelin e Kuvendit, nga Bruto Produkti Vendor ndahen gjashtë për qind për arsim, sepse nuk ka ndryshime pozitive në arsim pa një ndarje të këtij niveli për arsim. Nëse Kuvendi i Kosovës vendos të ndajë gjashtë për qind të Bruto Produktit Vendor dhe nëse me ligj e bën këtë, atëherë mund të themi se arsimi mund të jetë prioritet”, vlerëson Hyseni.

Ndryshe, në raportet vendore dhe ndërkombëtare për çështjen e arsimit është kërkuar vazhdimisht që Kosova duhet të bëjë një studim mbi gjendjen e arsimit në vend, të dihet se ku qëndron mirë ky sektor dhe ku qëndron keq, dhe pastaj të bëhen ndryshimet.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG