Ndërlidhjet

Borxhi i Kosovës, mbi 1.73 miliard euro


Ilustrim
Ilustrim

Borxhi i jashtëm bruto i Kosovës, i cili përfshin borxhin publik dhe borxhin privat, në fund të vitit të kaluar ka arritur në vlerën 1.73 miliardë euro. Sipas statistikave të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, borxhi i sektorit privat deri në këtë periudhë ka arritur në 1.34 miliard euro, kurse borxhi publik ka kap shifrën 392.8 milionë euro.

Por, rreth asaj se sa rrezikon qëndrueshmërinë buxhetore dhe likuiditetin e bizneseve private, ekspertë për çështje ekonomike japin vlerësime të ndryshme. Ata thonë se pavarësisht rritjes, Kosova ka nivelin më të ulët të përgjithshëm krahasuar me vendet e rajonit.

Megjithatë, sipas tyre, autoritetet kompetente, por edhe sektori privat duhet të jenë të kujdesshëm kur marrin borxhe.

Milazim Abazi, ekspert për çështje ekonomike, konsideron se niveli i borxhit është shumë i ulët. Ai thotë për Radion e Evropa e Lirë, se autoritetet kompetente duhet të marrin më tepër borxhe për projektet, të cilat ndikojnë në përmirësimin e zhvillimit ekonomik.

“Unë i sugjeroj Qeverisë së Kosovës dhe biznesit privat që më tepër të angazhohen në tërheqjen e investimeve të huaja, qoftë në formë kredie, qoftë me investime direkt në bizneset kosovare dhe investimet publike të Qeverisë së Kosovës, siç është rruga Prishtinë – Shkup. Pra, të investohet me kredi të butë, e jo nga buxheti i shtetit. Mirëpo, para se të ndodhë kjo, duhet të ndalet korrupsioni në ekzekutiv”, thotë Abazi.

Ndryshe, në Ligjin për borxhet publike, thuhet se në asnjë rast shuma e papaguar e borxhit të përgjithshëm, nuk duhet të tejkalojë 40 për qind të Bruto Prodhimit Vendor (BPV).

Edhe eksperti tjetër i ekonomisë, Menderes Ibra, konsideron se norma e ngarkimit të borxhit të përgjithshëm është dukshëm më e ulët se në shtetet tjera të rajonit. Kjo, pasi borxhi publik aktualisht është 10.6 për qind e Bruto Prodhimit Vendor.

“Ideja se borxhi i një vendi, përveç se duhet shikuar si një shumë, duhet të parë edhe në kontekst të zhvillimit ekonomik, sa është në funksion të tij, sa është në funksion të ekonomisë, rritjes së eksportit dhe zvogëlimit të importit. Do të thotë, sa prek ai borxh direkt në politikat strukturore ekonomike të një vendi”, konsideron ai.

Ndërkaq, Milazim Abazi tregon se për cilat projekte Kosova duhet të hyjë në borxhe ndërkombëtare.

“Në borxhe, autoritetet kompetente duhet të hyjnë për rregullimin e infrastrukturës, për rrugë, për kanalizime, për ujësjellës. Pasi ne jemi shumë prapa rajonit në këtë aspekt. Gati 60 për qind e familjeve kosovare që jetojnë në fshatra, nuk kanë ujë të pijshëm të kontrolluar”, thekson Abazi.

Ndryshe, pjesa më e madhe e borxhit publik përbëhet nga borxhi i jashtëm i Qeverisë, i cili në fund të dhjetorit 2014 ishte 326.4 milionë euro.

Kurse, shuma më e madhe e borxhit privat është në formë të kredive ndërmjet kompanive, që janë në relacion të investimeve direkte, pasuar nga borxhi i sektorëve tjerë të ekonomisë dhe huamarrjet e bankave komerciale.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG