Ndërlidhjet

Dinamika e rritjes së borxhit rrezikon buxhetin


Borxhi i jashtëm i Qeverisë se Republikës së Kosovës deri në fund të shtatorit të vitit të kaluar ka arritur në 324.6 milionë euro, apo rreth 6.6 për qind e Bruto Prodhimit Vendor.

Bedri Zymeri, drejtor i Departamentit të Statistikave në Bankën Qendrore të Republikës se Kosovës, thotë se kryesisht ky borxh atribuohet pagesës se kredisë së trashëguar nga Banka Botërore dhe borxhit nga Fondi Monetar Ndërkombëtar.

“Borxhi më Fondin Monetar Ndërkombëtar është 110.2 milionë euro, borxhin më Bankën Botërore që përfshin këtë borxhin e trashëguar është 203.7 milionë euro dhe borxhi i ri nga Shoqata Ndërkombëtare për Zhvillim (IDA) është 10.8 milionë euro, deri më 30 shtator 2013”, thotë Zymeri.

Ekspertë për çështje ekonomike, konsiderojnë se ky borxh është i ulët në relacion me vendet e rajonit dhe bruto prodhimit vendor, por ekzekutivi duhet të këtë kujdes që mos të praktikojë që për çdo vështirësi financiare të hyhet në borxh.

Profesori në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës, Naim Gashi, konsideron se shteti duhet të hyjë në borxh vetëm për projekte strategjike të cilat sigurojnë zhvillim ekonomik.

“Unë nuk shoh ndonjë rrezik sa i përket borxhit të jashtëm. Borxhi mbi 320 milionë euro nuk është i papërballueshëm për buxhetin e Kosovës, as për potencialin financiar që ka Kosova".

"Mirëpo, duhet të shikohet që në të ardhmen mos të lejohen praktika që për çdo vështirësi financiare të hyhet në borxhe. Unë nuk jam ithtar i hyrjes në borxhe për të mbuluar deficitin buxhetor”, thotë Gashi.

Edhe udhëheqësi i Qendrës për Hulumtime Strategjike dhe Sociale, Ibrahim Rexhepi, shprehet se borxhi aktual i Qeverisë së Kosovës nuk paraqet ndonjë rrezik, pasi janë kredi të buta më një afat të gjatë kthimi, por shqetësim për Rexhepin paraqitet dinamika e rritjes se këtij borxhi.

“Do të thotë prej një situate, para dy tri vitesh, ky borxh them kushtimisht ka qenë rreth zeros, tashme përnjëherë ka arritur mbi 300 milionë euro dhe më tendencë të rritjes. Dhe këtu tash paraqitet rreziku, nëse eventualisht mungon kontrolli, mungon një qasje më racionale ndaj obligimeve që mund të krijojë qeveria e Kosovës", shprehet Rexhepi

Në anën tjetër, ekspertë e ekonomisë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, më herët kanë kritikuar ekzekutivin për, siç është thënë, shumën e lartë të borxhit publik.

Sipas tyre, secili qytetar i Kosovës është rreth 250 euro borxh.

Për këto dy vite qeveria ka paguar vetëm për interes të borxhit 21 milionë euro, që sipas LDK-së, llogaritet që secilës familje kosovare i ka kushtuar rreth 80 euro pagesa për borxhin që ka marrë qeveria.

Por, Naim Gashi, thotë se qeveria nuk ka mundësi të futet në borxh pa pëlqimin e opozitës, pasi për huazimin e borxhit ndërkombëtar nevojiten 2/3 e votave të deputeteve në Kuvendin e Kosovës.

Ndërkaq, sa i përket asaj që secili qytetar i Kosovës i ka borxh 250 euro unë mendoj se Kosova si një shtet i varfër është një shumë relativisht e larë, por krahasuar më vendet e rajonit, unë mendoj se qytetarët e Kosovës kanë më se paku borxhe për kokë banori”, thekson Gashi.

Ndryshe, sipas Ligjit për Borxhet Publike, në asnjë rast shuma e papaguar e borxhit të përgjithshëm nuk duhet të tejkalojë dyzet për qind të Bruto Prodhimit Vendor (BPV).

Në rast se Borxhi i Përgjithshëm e tejkalon këtë përqindje të Bruto Prodhimit Vendor, atëherë Qeveria duhet t’i paraqesë Kuvendit strategjinë për të kthyer Borxhin e Përgjithshëm nën pragun dyzet për qind.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG