Ndërlidhjet

​Veriu skeptik për integrimin e “Mbrojtjes Civile”


Zbatimi i marrëveshjes të arritur me 26 mars të këtij viti në Bruksel, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për shpërbërjen e të ashtuquajturës “Mbrojtje civile” - organizatë kjo e cila nga institucionet e Kosovës konsiderohet si strukturë jolegale - si dhe integrimi i pjesëtarëve të saj në institucionet e Kosovës, nga përfaqësuesit e institucioneve në veri të Kosovës dhe përfaqësuesit e serbëve jashtë institucioneve, po shihet me pesimizëm.

Javë më parë, ministrja për Dialogun, në Qeverinë e Republikës së Kosovës, Edita Tahiri, ka thënë se ekzekutivi i vendit ka marrë për obligim që pjesëtarë nga kjo strukturë t’i integrojë në institucionet e vendit apo agjencitë e ndryshme “për periudhën 3 vjeçare, sepse është e pamundur të gjithë të punësohen menjëherë”, duke shtuar se numri i atyre që do të inkuadrohen ne institucione do të jetë rreth 400.

Përfaqësuesit e institucioneve të nivelit lokal në Mitrovicën e veriut, vlerësojnë se marrëveshja për integrimin e pjesëtarëve të “Mbrojtjes civile” është pritur me mjaft shqetësim.

Adrijana Hoxhiq, shefe e Zyrës Administrative e Qeverisë së Kosovës në Mitrovicën e veriut, thotë për Radion Evropa e Lirë se në përgjithësi çështja e integrimit të pjesëtarëve të “Mbrojtjes civile në institucionet e Kosovës, dhe marrëveshja lidhur me këtë çështje, tek qytetarët në veri por reflektohet me pakënaqësi.

“Janë të pakënaqur edhe me afatin prej 3 vjetësh, për shkak se ato mund të kalojnë shpejt dhe njerëzit po pyesin se çka do të ndodhë tutje. Po ashtu, janë të pakënaqur me faktin se numri i atyre që do të integrohen nuk i përfshinë të gjithë pjesëtarët e ‘Mbrojtjes civile’. Në fund të fundit, vështirësitë më të mëdha do të shpërfaqen në atë moment që do të fillohet me zbatimin e marrëveshjes”, tha Hoxhiq.

Ajo shtoi se shqetësimet e njerëzve në veri, kanë të bëjnë ehe me atë se cili do të jetë niveli i të ardhurave që do të përfitojnë pas integrimit dhe a do të jenë të njëjta me ato që i kanë pasur.

Ksenija Bozhoviq, kryesuese e Kuvendit të Komunës së Mitrovicës së veriut, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se realizimi i këtij integrimi, bartë në vete mjaft paqartësi, për faktin se pjesëtarët e “Mbrojtjes civile”, para se të bëheshin pjesëtarë të kësaj strukture, kanë qenë pjesë e strukturave të ushtrisë serbe.

“Mënyra se sie kanë planifikuar këtë integrim, është paksa i paqartë, për shkak se ata kanë thënë se ata njerëz do të shpërndahen nëpër ministri të caktuara, ku do të paraqitet nevoja për ta".

"Unë do ta kuptoja në qoftë se ‘Mbrojtja civile’ të integrohej në njësitë e paraburgimit, ndërkohë që në Policinë e Kosovës është e pamundur, sepse edhe ashtu disa njerëz kanë mbetur jashtë saj. Por, t’i integrosh ata njerëz në Ministrinë për Ekonomi apo Ministrinë e Bujqësisë, njësitë e të cilave në veri nuk ekzistojnë, kjo për mua është e paqartë”, tha Bozhoviq.

Megjithatë, sipas saj, brenga më e madhe tashmë mbetet përfshirja e të gjithë pjesëtarëve të “Mbrojtjes civile” në integrim në institucionet e Kosovës dhe mundësia e mbetjes pa punë e një numri të tyre. Bozhoviq ka theksuar se numri i pjestarëve të ‘Mbrojtjes civile” është mbi 700 perona.

Në anën tjetër, kundërshtarët e pjesëmarrjes së serbëve në institucione të Kosovës, e vlerësojnë të panevojshëm integrimin e pjesëtarëve të “Mbrojtjes civile” në institucionet e Kosovës. Një prej tyre është Marko Jakshiq, lider politik i serbëve në veri të Kosovës.

“Integrimi nuk ka qenë fare i nevojshëm. Unë madje nuk e shoh as arsyen dhe as qëllimin për ndryshimin e statusit të atyre njerëzve. Ata e kanë kryer punën e vet, e cila më tepër ka pasur natyre komunale se sa të një rëndësie ushtarake”, tha Jakshiq.

Ai ka shtuar se ekziston rreziku nëse mund të zbatohet marrëveshja për integrim të “Mbrojtjes civile”, për shkak se sipas tij, marrëveshja është bërë pa u pyetur fare pjesëtarët e kësaj strukture.

Por, megjithatë, sipas tij, për zbatimin e kësaj marrëveshje shumëçka do të varet nga Beogradi zyrtarë dhe fakti se a i konvenon atij zbatimi i saj.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG