Ndërlidhjet

Integrimi i “Mbrojtjes Civile”, për tre vjet


Uniforma e Mbrojtjes Civile
Uniforma e Mbrojtjes Civile

Procesi i zhbërjes së “Mbrojtjes Civile” [strukturë ilegale] në veri të Kosovës, po bartë në vete një mungesë të transparencës nga ana e Qeverisë së Kosovës, Qeverisë së Serbisë dhe Bashkimit Evropian.

Kështu thuhet në raportin e publikuar me titull “E ardhmja e Mbrojtjes Civile në pjesën veriore të Kosovës”, i publikuar në Prishtinë nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë në Kosovë dhe Qendra e Beogradit për Politika të Sigurisë.

Në raport thuhet se janë identifikuar rreth 700 pjesëtarë të formacionit “Mbrojtja Civile”, ku siç përmendet, pjesa më e madhe e tyre janë anëtarësuar në dy vitet e fundit.

Maja Bjelosh, hulumtuese nga Qendra e Beogradit për Politika të Sigurisë, tha se edhe pse hulumtimi ka gjetur që marrëveshja e arritur pasqyron premtim të Qeverisë së Kosovës për integrimin e 483 pjesëtarëve në institucionet e ndryshme të Kosovës, ende nuk është e qartë se ku dhe si do të sistemohen pjesa më e madhe e tyre.

“Vetë marrëveshja për ketë çështje se ku do të shkojnë këta pjesëtarë të “Mbrojtjes Civile” dhe ku do të hyjnë, ka qenë çështje e një konsensusi. Unë mendoj se të trija palët nuk janë krejtësisht të kënaqura me atë çka përmban kjo marrëveshje. Do të ketë prapë se prapë njerëz apo palë që do të jenë të pakënaqura me ketë proces, por është dashur të arrihet një konsensus”, tha Bjelosh.

Lidhur me ketë çështje, ministrja për Dialogun, në Qeverinë e Republikës së Kosovës, Edita Tahiri, tha se Qeveria e Kosovës, ka marrë për obligim që pjesëtarë nga kjo strukturë t’i integrojë në institucionet e vendit apo agjencitë e ndryshme.

“Kemi marrë obligim që për periudhën 3 vjeçare t’i punësojmë, sepse është e pamundur të gjithë t’i punësojmë menjëherë. Po shprehim përkushtimin tonë për qytetarët tanë të komunitetit serb. Kemi aplikuar edhe ligjin për amnisti, për t’ju thënë se ne jemi të gatshëm për reintegrimin e tyre”, tha Tahiri, duke shtuar se numri i atyre që do të inkuadrohen ne institucione do të jetë rreth 400.

Minstrja Tahiri, tha se pjesa e fundit e muajit prill ishte koha kur kjo strukturë jo legale do të duhej t’i mbyllë të gjitha pikat e vëzhgimit dhe t’i dorëzojë të gjitha pajisjet.

Por, siç tha ajo, nga Qeveria e Kosovës është kërkuar të jipet edhe pak kohë për shkak të procesit të ndërlikuar.

Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, e cila ka nënshkruar marrëveshjen për shpërbërjen e kësaj strukture mes palës serbe dhe ndërmjetësuesit në Bruksel, tha se Serbia nuk ka vullnet politik për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën dhe zbatimin e marrëveshjeve.

“Kur nuk ka vullnet politik gjërat vonohen. Ajo që kam konstatuar është që Serbia ende nuk e ka vullnetin e plotë politik për fqinjësi të mirë me Kosovën, prandaj edhe vazhdon t'i vonojë marrëveshjet”, tha Tahiri.

Ndryshe, marrëveshja e arritur me 26 mars të këtij viti, parasheh mbylljen e të gjitha objekteve, zyrave dhe depove që kanë qenë në shfrytëzim nga "Mbrojtja Civile" në komunat veriore të Kosovës të banuara me shumicë serbe.

Kjo marrëveshje duhet të zbatohet deri më 1 shtator 2015.

Ndryshe, në rekomandimet e raportit i cili u publikua të mërkurën, thuhet se Qeveria e Kosovës duhet të sigurojë një financim të qëndrueshëm, projekte të përkohshme punësimi, ose fonde të cilat janë të dedikuara posaçërisht për këtë situatë, e cila mund të këtë një zgjidhje kalimtare.

Ndërsa Serbia, thuhet se duhet ta ndalë financimin e strukturave të paligjshme.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG