Ndërlidhjet

Kriza politike në Maqedoni, në pikën e vlimit


Ilustrim
Ilustrim

Kriza politike po hyn në pikën e vlimit, ndërkohë që mbetet dilema se cili do të jetë epilogu: do të ketë dorëheqje të zyrtarëve ashtu siç këshillojnë ndërkombëtarët, apo protesta masive siç paralajmëron opozita, e cila për zgjidhjen e krizës, kërkon formimin e një qeverie teknike, kërkesë kjo që kundërshtohet nga pushteti aktual.

Njohësit e çështjeve politike kanë qëndrime të kundërta lidhur me situatën e krijuar, në veçanti pas zyrtarizimit të padisë për spiunazh ndaj liderit të opozitës, Zoran Zaev.

Njohësi i rrethanave politike, Albert Musliu, thotë se padia ndaj Zaevit për siç thuhet “përgjime të paligjshme dhe dhunë kundër përfaqësuesve më të lartë shtetërorë”, është paralajmërim nga ana e pushtetit se nuk e ka ndërmend të dorëzohet para presioneve të opozitës.

Madje, nuk përjashtohet edhe mundësia e arrestimit të tij para mitingut të paralajmëruar nga mesi i këtij muaji.

Burgosja eventuale do të vlerësohej si presion politik dhe jo si një proces gjyqësor normal. Mendoj se edhe reagimet në opinion do të shkonin në këtë drejtim. Konsideroj se sa më i ashpër dhe sa më joadekuat do të jetë intervenimi i partisë në pushtet, aq më të ashpra do të jenë edhe reagimet në opinion“, thotë Musliu

Zgjidhja e krizës, sipas Musliut, do të vinte me dorëheqjen e qeverisë aktuale dhe formimin e një qeverie kalimtare, e cila do të kishte mandat të përgatis terrenin për zgjedhje të parakohshme, meqë sipas tij, afera e përgjimeve ka nxjerr në shesh falsifikimin e zgjedhjeve dhe shumë veprime tjera kriminale të pushteti aktual, siç shprehet ai.

“Mendoj se pas gjithë asaj që kemi kaluar në tre muajt e fundit, është mënyra e vetme që do t’i mundësonte institucioneve që të kthejnë kredibilitetin te qytetarët, që çdo veprim i tyre të pranohet në mënyrë objektive. Pra, pas gjithë kësaj, qeveria kalimtare do të jetë alternativa e vetme për dalje nga kriza. Ajo do të ketë shumë punë dhe ndoshta nuk do të jetë për periudhë shumë të shkurtër“, vlerëson Musliu.

Por, me vlerësimet e tilla nuk pajtohet analisti Vlladimir Bozhinovski. Ai thotë se mënyra e vetme për dalje nga kriza është që opozita të heqë dorë nga kërkesa për qeveri teknike, që më pas të mund të bisedohet për dorëheqjet eventuale, për të cilat flasin edhe përfaqësuesit ndërkombëtarë.

Nuk ka zgjidhje nëse qeveria pranon lëshime apo sugjerime, disa zgjidhje të papranueshme, ndërsa në anën tjetër, opozita të mbetet në qëndrimin e fortë të saj, veçanërisht në kërkesën për qeveri teknike që absolutisht është e papranueshme".

"Në atë moment kur opozita do të pranojë faktin se kërkesa për qeveri teknike është e parealizueshme, do të ketë gjasa që të bisedohet për çështje tjera që do të çonin në arritjen e një zgjidhjeje të pranueshme për të dyja palët”, thotë Bozhinovski.

Ai konsideron se zgjedhjet kanë qenë të lira, me përjashtime të vogla dhe se qeveria aktuale ka legjitimitetin për të udhëhequr me vendin.

Lidhur me gjendjen e krijuar janë shpeshtuar edhe prononcimet e përfaqësuesve ndërkombëtarë, të cilët kërkojnë hetimin e plotë të asaj që njihet si aferë e përgjimeve.

Ambasadori i BE-së, Aivo Orav, ditë më parë deklaroi se Maqedonia ka gjasa reale që të humbë rekomandimin për nisjen e bisedimeve nëse së shpejti nuk zgjidhet kriza politike. Ai, sikur edhe zëvendës-ndihmës sekretari amerikan Shtetit, Hoyt Brian Yee, gjatë vizitës së fundit në Maqedoni, kërkoi përgjegjësi, por edhe dorëheqje për të hetuar pretendimet e opozitës për përfshirjen e zyrtarëve në veprime të paligjshme.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG