Ndërlidhjet

Refuzimi i ndërkombëtarëve, çon Maqedoninë drejt izolimit


Institucionet shtetërore nuk komentojnë kërkesat në rritje për përgjegjësi politike dhe dorëheqje si alternativë për t'i hapur rrugën hetimeve lidhur me pretendimet nga "afera e përgjimeve" e opozitës për përfshirjen e, siç thuhet, zyrtarëve në “afera korruptive, manipulime zgjedhore, përzierje në punën e gjyqësorit dhe shkeljen e fjalës së lirë përmes presioneve të ndryshme ndaj pavarësisë së mediave“.

Kryeministri Nikolla Gruevski dhe zyrtarët e tjerë të lartë të kabinetit qeveritar, të gjitha këto pretendime i kanë quajtur “të montuara me ndihmën e shërbimeve të huaja sekrete me qëllimin e vetëm rrëzimin e qeverisë dhe destabilizimin e vendit“.

Por, lidhur me zhvillimet e fundit janë intensifikuar edhe prononcimet e diplomatëve perëndimor, të cilët kërkojnë hetim të plotë të rastit, madje ambasadorja gjermane në Shkup, Kristine Althauzer, tha se bazuar në praktikën ndërkombëtare për raste të këtilla jepen edhe dorëheqje për t'i hapur rrugën zbardhjes së rastit.

“Sipas standardëve politike perëndimore, pasojat politike janë të pashmangshme në raste të akuzave të përmasave të këtilla. Që të jem e qartë, ashtu siç ishte edhe kolegu im amerikan javën e kaluar, pasojat politike përbëjnë, për shembull, dorëheqje si parakusht që të zbatohet një hetim i nevojshëm, transparent dhe i plotë".

"Vetëm përmes një procesi të besueshëm hetimor, i cili sërish do ta vendoste përgjegjësinë politike dhe gjyqësore te bartësit e funksioneve publike dhe politikanët, do të mund të ruhet perspektiva euroatlantike e Maqedonisë”, ka deklaruar ambasadorja gjermane Kristine Althauzer.

Deklarata e këtillë e ambasadores gjermane është vlerësuar si reale nga njohësit e çështjeve ndërkombëtare.

Ata thonë se në situatën e krijuar hetimet nuk mund të bëhen nga pushteti aktual i cili apostrofohet si fajtori kryesor për gjithçka që ndodhë në vend.

“Mendoj se ambasadorja gjermane po e trason rrugën që Maqedonia të futet drejt një procesi, fillimisht me një qeveri teknike e një konsensusi të gjerë dhe pastaj t'i hapet rruga një procesi gjyqësor dhe një skenimi për të parë se çfarë përmbajnë përgjimet si dhe të gjitha çështjet tjera kontestuese e deri te pastrimi i listës zgjedhore që është shumë problematike që partive politike në pushtet u garantojnë fitore pa u futur në proces zgjedhor“, thotë për Radion Evropën e Lirë, Arsim Sinani nga Qendra për studime ndërkombëtare dhe hulumtime ballkanike.

Përgjegjësi dhe hetim të plotë të rasti kishte kërkuar edhe zëvendësndihmës sekretari amerikan i Shtetit, Hoyt Brian Yee, gjatë vizitës së fundit në Maqedoni.

Duke komentuar qëndrimet e diplomatëve perëndimor, por edhe atë të institucioneve që refuzojnë të gjitha kërkesat që vijnë nga jashtë, Arsim Sinani thotë se pushteti aktual nuk ka shumë hapësirë për të vepruar dhe se çdo konfrontim me ndërkombëtarët mund të çojë në izolimin e tij të mëtejmë.

“Pushteti aktual i Maqedonisë ka një rrugë, të konfrontohet me faktorin ndërkombëtar dhe të futet në një izolim apo në një rrugë edhe më të errët, apo të ulet dhe të diskutojë formën se si Maqedonia do të shkojë në rrugën kalimtare".

"Mendoj se qëndrimi amerikan por edhe ai evropian është shumë i qartë se kjo qeveri më nuk ka mbështetje, se kjo qeveri e ka humbur legjitimitetin dhe mendoj se qëndrimi i këtyre faktorëve është i rëndësishëm për të mos lejuar pushtetin aktual që përmes krizave të ndryshme të mbijetojë politikisht“, u shpreh Sinani.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG