Ndërlidhjet

Maqedoni: Ndërkombëtarët "zbusin" krizën politike


Përfshirja e diplomacisë amerikane në zgjidhjen e krizës politike në Maqedoni, është e domosdoshme, vlerësojnë njohësit e çështjeve politike duke komentuar bisedimet që po zhvillohen në Bruksel mes pushtetit dhe opozitës, të cilat edhe pas dy raundeve nuk kanë dhënë ndonjë rezultat konkret.

Vlerësimet e analistëve, vijnë në momentin kur në Maqedoni qëndron për një vizitë dy ditore, zëvendës-ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Hoyt Brian Yee, për tu njohur nga afër me krizën politike që është përshkallëzuar nga ajo që quhet “aferë e përgjimeve“, e publikuar nga ana e opozitës me audio-incizime të bisedave telefonike të zyrtarëve të lartë shtetëror, që, sipas LSDM-së, “dëshmojnë punën kriminale të qeverisë dhe politizimin e të gjitha institucioneve shtetërore“.

Alajdin Demiri, ish diplomat dhe njohës i çështjeve politike, thotë se ndërhyrja e administratës ametrikane, ka qenë vendimtare në zgjidhjen e shumë krizave në Maqedoni, përfshirë edhe konfliktin e vitit 2001, andaj edhe kësaj radhe, sipas tij, kriza nuk do të mund të zgjidhet pa një presion edhe nga Uashingtoni, paralelisht me kontributin që po jep Bashkimi Evropian.

“Bashkimi Evropian me tre europarlamentarët, do të jetë një hap i dështuar dhe nuk do të ketë zgjidhje të krizës, si dhe inkuadrimi i amerikanëve në mënyrë më agresive do të jetë një mundësi që kriza në Maqedoni të zgjidhet".

"A është e mundur kjo? Unë mendoj se është e mundur pasi inkuadrimi i amerikanëve në këtë fazë do të bëhet edhe me kërcënime me kërkesa për luftimin e krimit, dekriminializimin e politikës dhe të partive, e kështu me radhë“, thotë Demiri duke shtuar se dy partitë, VMRO-DPMNE-ja e kryeministrit, Nikolla Gruevski dhe LSDM-ja e Zoran Zaevit, do të vazhdojnë të mbrojnë qëndrimet për gjatë kohës deri sa të mos ketë një ndërhyrje të fuqishme nga jashtë.

Nga ana tjetër, ish diplomati Dimitar Mirçev, thotë se përfshirja e komunitetit ndërkombëtar në zgjidhjen e krizës është e mirëseradhur, por ai nuk beson se do të jetë edhe vendimtare në kapërcimin e gjendjes së tanishme.

“Konsideroj se përfshirja e tyre si faktor lehtësues, mund të ndihmojë deri diku procesin e zgjidhjes së krizës. Nuk besoj se do të bëjnë presion, kjo u pa edhe nga takimi i parë në Bruksel, por nuk besoj se do të mund të gjejnë ndonjë zgjidhje, megjithatë mund të ndihmojnë në lehtësimin e dialogut të cilin ne duhet ta udhëheqim“, thotë Mirçev

Por, Alajdin Demiri, thotë se bazuar në qëndrimet e partive, kriza vështirë se do të zgjidhet, andaj ai alternativë të vetme, sheh formimin e një qeverie teknike.

Demiri ndalet edhe në rolin e shqiptarëve dhe injorimin e tyre nga bisedimet për zgjidhjen e krizës, por për këtë fajin ua hedhë partive shqiptare.

“Shqiptarët kanë kapcitet, kanë detyrim të marrin pjesë në zgjidhjen e kësaj krize. Por, fakti që edhe pozita e Ali Ahmetit dhe opozita e Menduh Thaçit pozicionohen në ruajtjen e gjendjes, dmth pozicionohen në ruajtjen e Gruevskit, e vështirëson këtë proces. Prandaj, konsideroj se inkuadrimi i amerikanëve do të ndihmoj në kapërcimin e gjendjes nëpërmjet një qeverie teknike“, thotë Demiri.

Ndryshe, Bashkimi Demokratik për Integrim, përshëndet vizitën e diplomatit të lartë amerikan, duke kërkuar intesifikimin e dialogut mes palëve për zgjidhjen e krizës dhe kthimin e vendit drejtë prioriteteve kryesore, zgjidhjen e çështjes së emrit dhe integrimin e vendit në strukturat euroatlantike.

Ndërkohë, paralelisht me bisedimet dhe diplomacinë e intensifikuar ndërkombëtare, opozita vazhdon me publikimin e audio-incizimeve nga bisedat e zyrtarëve të lartë, të cilat kundërshtohen nga pushteti me pretendimin se ato janë të montuara dhe të siguruara nga shërbimet e jashtme, me qëllim të destabilizimit të vendit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG