Ndërlidhjet

Largimi i investimeve nga Shqipëria, në rritje


Porti i Durrësit
Porti i Durrësit

Në vitin 2014, sipas të dhënave nga bilanci i pagesave të Bankës së Shqipërisë, flukset dalëse të investimeve të huaja direkte u rritën me 245 për qind (afër dy herë e gjysmë më shumë) në raport me një vit më parë.

Sipas metodologjisë së Bankës së Shqipërisë, këtu përfshihen investimet e kompanive shqiptare jashtë, ose huat që “bijat” në Shqipëri, mund t’u kenë dhënë “kompanive mëma”.

Bizneset kishin paralajmëruar se rritja e vazhdueshme e taksave, po e bën vendin më pak atraktiv në rajon dhe se barrierat administrative e mjedisi i paqëndrueshëm për të bërë biznes, po i “detyronte” ata të transferonin kapitalin jashtë vendit.

Hapin e parë raportohet se po e marrin bizneset e ndërtimit, të cilat nuk kanë më hapësirë të mjaftueshme në Shqipëri.

Sipas njohësit të çështjeve ekonomike, Besard Kadija, duke parë rrethanat, një gjë e tillë ishte e pritur.

“Kjo situatë pritej, si pasojë e një atmosfere jotërheqëse për biznesin, duke mos ulur taksat dhe duke rritur dividentin(tatimin mbi fitimin). Investimet e huaja janë si shërbimi i picave ‘taxi’- ato shkojnë aty ku ka ofertë më të mirë dhe më të shpejtë”, thotë Kadija.

Revista ekonomike Monitor, vë në dukje se sipërmarrësit vendas e të huaj, po i transferojnë investimet jashtë. Vitin e kaluar, dërgesat e fitimeve jashtë u trefishuan krahasuar me një vit më parë.

Ndërkohë, një atmosferë e tillë do të sjellë rritje taksash edhe në vitin 2016, sipas analistit Besart Kadija.

“Kjo situatë, kur investimet publike janë stopuar, kur bankat nuk japin më kredi, kur investitorët e huaj, apo edhe vendas duan të investojnë jashtë, do të shoqërohet me rritje taksash në vitin 2016. Madje, mendoj se dy vitet e ardhshme do të vazhdojnë të shoqërohen me rritje taksash, si pasojë e një ndikimi edhe të situatës ekonomike globale, e cila është në rënie, gjë që do të pasqyrohet edhe në Shqipëri”, shpjegon Kadija.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, vlera e flukseve dalëse të investimeve direkte arriti në 76 milionë euro, nga 22 milionë euro në 2013-n.
Transaksionet e llogaritura nga banka, nxjerrin në pah se bizneset e huaja, kryesisht banka, nxituan të çojnë dividendët në vendin mëmë, për të shmangur rritjen e tatimit mbi dividendin nga 10 në 15 për qind, në janar të këtij viti.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG