Ndërlidhjet

Bashkëpunim jo i duhur ekonomik Kosovë - Shqipëri


Marrëdhëniet ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë mbeten simbolike apo karakterizohen vetëm nga shkëmbimet tregtare, eksport - import, edhe pse vullneti politik nuk mungon për formimin e një tregu të përbashkët.

Ekspertë për çështje ekonomike konsiderojnë që Kosova dhe Shqipëria duhet që të kenë një treg unik, me rregullativa të përafruara në të gjitha aspektet e legjislacionit që mbulon fushën ekonomike, me qëllim që bashkëpunimi të intensifikohet.

Arian Zeka nga Oda Ekonomike Amerikane në Prishtinë, thotë se bashkëpunimet ekzistojnë vetëm në letër, por që mbeten larg dëshirës. Sipas tij, niveli institucional është niveli ku burojnë problemet ose mungesa e iniciativa për veprime konkrete.

“Nuk kemi harmonizim të legjislacionit për çështje tregtare apo doganore që do të ishte hapi i parë që do të lehtësonte procedurat e shkëmbimeve tregtare dhe komunikimeve të bizneseve në të dyja anët”, thotë Zeka.

Këto shtete kanë pasur probleme në tentimin e bllokadave për produktet e patates dhe çimentos, ndërsa muajin mars autoritetet në Prishtinë nuk lejuan hyrjen në territorin kosovar për prodhimet e qumështit, ndërsa vetëm një ditë më pas, autoritetet shqiptare nuk lejuan hyrjen e miellit kosovar matanë kufirit.

Në anën tjetër, sipas Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, thuhet se bashkëpunimi me shtetin e Shqipërisë është në nivel të duhur, duke i përjashtuar rastet e lartpërmendura.

Në një përgjigje nëpërmjet postës elektronike, thuhet se Shqipëria vazhdon të mbetet një nga partnerët kryesorë tregtarë të Kosovës, dëshmi për këtë ka paraqitur rritja e eksportit dhe importit në muajt e parë të këtij viti.

Vetëm në dy muajit e parë të këtij viti, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2012, ka një rritje prej 44% të eksporteve, ndërsa importet shënuan rritje për 63%.

Në muajin mars të këtij viti këto shtete kanë nënshkruar protokollin e bashkëpunimit ndërqeveritar Kosovë - Shqipëri, i vlerësuar si dokumenti kryesor që do të nxiste bashkëpunimin në të gjitha fushat, duke filluar nga ekonomia e deri tek arsimi.

Përveç këtij protokolli bashkëpunimi, që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, ndërmjet Tiranës dhe Prishtinës janë nënshkruar mbi 50 marrëveshje në fusha të veçanta.

Edhe afaristë kosovarë shprehin shqetësimin se shkëmbimet tregtare ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, mbesin të vështira për shkak se nuk ka një plan konkret për këtë bashkëpunim dhe ka mungesë vullneti për promovimin e prodhimeve të të dyja shteteve.

Ramiz Kelmendi, drejtor i kompanisë” Elkos Group”, thotë se konsumatorët shqiptarë nuk u besojnë shumë prodhimeve kosovare. Ai tregon se kompania e tij ka një filiale matanë kufirit, në qytetin e Fierit, por nuk është i kënaqur me punën që bëhet.

“Bashkëpunimi ndërmjet biznesve prodhuese të Kosovës dhe Shqipërisë nuk është në nivelin e duhur. Është dashur që Qeveria nëpër mes Odave Ekonomike dhe asociacioneve tjera ekonomike që veprojnë në Kosovë, t’i mbledhë akterët ekonomikë prodhues dhe tregtarë që t’i ofrojnë në mes vete dhe të njoftohen se çfarë produktesh kanë”, thotë Kelmendi.

Sipas statistikave zyrtare, në Shqipëri veprojnë 386 biznese kosovare, prej të cilave 197 janë shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, kurse 180 kanë statusin e personit privat. Për nga prejardhja e kapitalit, 339 janë me kapital kosovar, kurse 50 me kapital të përzier.

Ndërkaq, në Kosovë veprojnë 502 biznese, më 2.190 punëtorë dhe më një kapital të përgjithshëm prej 59.781.835 euro.

Numri i bizneseve shqiptare të regjistruara në Kosovë, është rritur dukshëm nga viti 2008, kur edhe është shpallur pavarësia e Kosovës.

Ndërkaq, impuls të madh të eksportit dhe importit i ka dhënë ndërtimi i autostradës Durrës - Kukës - Morinë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG