Ndërlidhjet

Papunësia ulet me investime të huaja


Për të mundësuar rritjen e punësimit në Kosovë, ekspertët e çështjeve ekonomike i rekomandojnë autoriteteve të Kosovës që të orientojnë politikat e tyre drejt zhvillimit të sektorit privat dhe tërheqjen e investimeve ndërkombëtare.

Problemi i papunësisë në Kosovë, thonë ata, nuk mund të zgjidhet brenda një periudhe afatshkurtër.

Profesori i ekonomisë Muhamet Sadiku, e quan mjaft shqetësuese faktin që papunësia në Kosovë përveç që ka normë të lartë, ka karakter afatgjatë, ku sipas tij, mbi 80 për qind e të papunëve presin për punësim më tepër se një vit.

Për të zbutur këtë gjendje, shton Sadiku, Qeveria e Kosovës duhet të krijojë një partneritet të duhur me institucionet financiare ndërkombëtare.

“Ajo që do të duhej të ndërmerret në politikat ekonomike, është promovimi i vazhdueshëm i rritjes së sektorit privat, qeverisja efektive me reforma strukturore dhe orientimi i investimeve të reja në programe që gjenerojnë vende të reja të punës. Por, për të ndodhur këto është më rendësi që Kosova ta përmirësojë mjedisin biznesor dhe ta bëjë një mjedis miqësor për investitorët e huaj dhe ata vendor”, shton Sadiku.

Papunësia është një nga problemet më të mëdha që ka përcjellë shoqërinë kosovare në 16 vjetët e fundit. Të dhënat zyrtare tregojnë së nga 1.2 milion forcë punëtore, Kosova ka të punësuar vetëm 300 mijë sosh, pjesa e mbetur janë ose të papunë ose jo aktivë.

Shprehur në përqindje, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, papunësia është 30 për qind, megjithatë ka të dhëna të tjera të organizatave ekonomike të cilat flasin për një papunësi deri në 50 për qind.

Sidoqoftë, përpjekjeve për të zbutur papunësinë në Kosovë, përveç zhvillimit të këtyre politikave ekonomike, sipas profesor Sadikut është edhe arsimimi.

“Këto përpjekje duhet të shoqërohen me një sistem më të avancuar të arsimit. Kosova duhet të krijojë profesione që i kërkon tregu i punës, profesione që do të jenë shumë të rëndësishme edhe për ardhjen e investitorëve të huaj në Kosovë”, shton Sadiku.

Investimet ndërkombëtare në Kosovë edhe për kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, janë një mundësi e mirë për përmirësimin e gjendjes së rëndë ekonomike dhe sociale në Kosovë.

“Nëse do ta kemi prioritet zhvillimin ekonomik, përveç komponencës pozitive sociale do të kemi edhe përshpejtim të proceseve integruese, do të kemi rritje të atraktivitetit për investime të huaja. Ajo çka është më interesante në këtë situatë, është se nëse analizohen defektet e të bërit biznes në Kosovë ekziston vetëm një emërues i përbashkët nga dalja e kësaj situate, e që ky emërues i përbashkët është sundimi i rendit dhe ligjit”, thekson Gërxhaliu.

Fondi Monetar Ndërkombëtar, gjatë vizitës dy javore që kishte bërë në Kosovë, kishte theksuar se sfida kryesore në Kosovë është rritja e punësimit dhe e kapacitetit të eksportit.

Autoritete të Kosovës kanë deklaruar se janë duke punuar në krijimin e kushteve sa më të mira për investime dhe një mjedis më të mirë biznesor, të cilat do të ndihmojnë më pas rritjen e punësimit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG