Ndërlidhjet

Pa remitenca, Kosova edhe më e varfër


Pa dërgesat e qytetarëve të Kosovës që jetojnë jashtë vendit, norma e varfërisë në Kosovë do të ishte 50 për qind më e lartë, thuhet në një analizë të Grupit për Studime Juridike dhe Politike.

Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, remitencat kapin shifrën e mbi gjysmë miliardë euro në vit. Që nga viti 2004 e deri në fund të shtatorit të vitit të kaluar, shuma e dërgesave nga emigrantët, ka arritur mbi gjashtë miliardë euro.

Arbëresha Loxha, nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, ka bërë të ditur se pa këto para, norma e varfërisë në Kosovë do të kishte ndryshuar nga 26 përqindëshi i vëzhguar në rreth 52 për qind, që paraqet një rritje prej 100 për qind.

Në përgjithësi, tregon Loxha, normat e varfërisë krahasuar me skenarin e vëzhguar, do të ishin të larta si në zonat rurale ashtu edhe në ato urbane.

“Sa i përket rritjes në zonat rurale, rritja do të ishte rreth 27 pikë përqindje, që në zonat rurale do të ishte një rritje prej 105 për qind në nivelin e varfërisë. Sa i përket rajoneve, varfëria do të ishte e lartë në shumicën e rajoneve, por që rritja më e lartë do të ishte në rajonin e Mitrovicës dhe të Gjilanit”, shton Loxha.

Paratë e dërguara nga emigrantët kosovarë për familjet e tyre, vazhdojnë të luajnë rol mjaft të rëndësishëm në mirëqenien e një numri të madh të qytetarëve të Kosovës.

Sipas të dhënave zyrtare, janë mbi 22 për qind e familjeve që pranojnë remitenca.

Kosova konsiderohet si një ndër shtetet me më së shumti dërgesa të emigrantëve, ku në të shumtën e rasteve, këto dërgesa shfrytëzohen për konsum familjar.

Ministri për Diasporë në qeverinë e Kosovës, Valon Murati, vlerëson se është shumë e rëndësishme që këto remitenca të fillohet të shfrytëzohen edhe si burim për zhvillim ekonomik të vendit.

“Ne duhet të krijojmë atë klimë të përshtatshme, që kur t'u themi njerëzve tanë në diasporë ejani investoni në Kosovë, t’ju krijojmë kushte duke e ditur atë që kur ata vinë të investojnë, të fitojnë ata dhe të fitojmë ne".

"Jo ejani investoni se e keni obligim, se ky është vendi i juaj, mendoj se ajo kohë ka kaluar, njerëzit janë lodhur me idenë se duhet të vinë të investojnë dhe të humbin apo vetëm të sjellin para”, thekson Murati.

Gjatë prezantimit të kësaj analize është theksuar si e nevojshme që institucionet e Kosovës të sigurojnë mekanizma të nevojshëm për tërheqjen e këtyre investimeve, siç janë sundimi i ligjit, luftimi i korrupsionit, sistemi i qëndrueshëm tatimor, si dhe administratë efikase.

Drejtori i Departamentit të Analizave Ekonomike dhe Stabilitetit Financiar të Bankës Qëndrore të Kosovës, Arben Mustafa, theksoi se remitancat që vijnë në Kosovë, janë mjaft të qëndrueshme historikisht dhe paraqesin një aspekt të rëndësishëm në uljen e varfërisë në Kosovë.

“Roli i diasporës për financimin e ekonomisë në Kosovë, shkon përtej remitencave, pra të hyrat nga diaspora janë shumë më shumë sesa vetëm remitencat. Pastaj, nëse merren parasysh të hyrat nga punëtorët, nga rezidentët kosovarë, që punojnë jashtë vendit, qoftë përkohësisht, e që pjesa më e madhe përbëhet nga punëtorët në Irak, Afganistan, ato të hyra deri në shtator të vitit të kaluar kanë qenë 150 milion euro”, tregon Mustafa

Raporti i Grupit për Studime Juridike dhe Politike, përmes kësaj analize rekomandon që remitencat të mos shfrytëzohen vetëm për mbulimin e shpenzimeve të konsumit personal, por gjithashtu për investime të dobishme, duke siguruar gjenerim të qëndrueshëm të të ardhurave për këto ekonomi familjare.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG